Reduktime të ashpra të energjisë elektrike përjetuan kosovarët në muajin gusht të këtij viti, kur orari i kufizimeve të energjisë elektrike ishte 6 me 2 në favor të territ, përderisa në të njëjtin muaj çuditërisht Kosova ka shitur energji elektrike, raporton portali “Front Online”.
Reduktimet e rrymës ndodhën në kohën kur dhjetëra mijëra mërgimtarë ndodheshin për pushime në Kosovë, përderisa mungesa e rrymës arsyetohej me rënien e blloqeve të Termocentraleve të KEK-ut.
Por, bazuar në publikimin e djeshëm të Agjencisë Kosovare të Statistikave (ASK) mbi Bilancin e Energjisë në Kosovë në muajin gusht 2022, në muajin më të ngrohtë të vitit, kur reduktimet e rrymës aplikoheshin sikur në dimër, Kosova ka shitur më shumë energji elektrike se sa që ka blerë, raporton Front Online.
“Importi i energjisë elektrike në muajin gusht ishte 355.24 gigavatë orë, kurse eksporti i energjisë elektrike në të njëjtën periudhë ishte 367.03 gigavatë orë”, bëhet e ditur mes tjerash në këtë raport ku potencohet se eksporti i energjisë elektrike dy muaj më parë ka qenë për 12 gigavatë orë më i lartë se importi.
Aplikimi i reduktimeve të energjisë elektrike në muajin gusht u përcollë me reagime të ashpra nga përfaqësuesit e opozitës në vend.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, pati deklaruar se dikush duhet dhënë përgjegjësi për sabotimet në projektet për sektorin e energjisë. Sipas saj, nëse verës ka reduktime 6 me 2, atëherë në dimër situata do të jetë edhe më rëndë.
Ndërsa kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pati akuzuar Qeverinë Kurti se s’po ndërmerr asnjë vendim përballë situatës me rrymën.
/Front Online/