Njëra nga kompanitë më të mëdha kosovare, e cila merret me shitjen dhe transportin e derivateve të naftës, “Hib Petrol”, është subvencionuar me 50 mijë euro nga shteti i Kosovës, raporton portali “Front Online”.
“Hib Petrol” ka qarkullim vjetor financiar prej rreth 200 milionë euro, e cila njëherit është furnitori kryesor me derivate të naftës i institucioneve të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, ka aplikuar për subvencionim në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë(MTI). Ndërsa sipas raporteve të auditorit, të cilat poashtu i posedon “Front Online”, fitimi bruto i “HIB Petrol” për vitin 2018 ka qenë rreth 20 milionë euro, derisa fitimi i pastër është 4.1 milionë euro.
Sipas dokumenteve që i posedon portali “Front Online”, emri i kompanisë “HIB Petrol” gjindet në listën e përfituesve për subvencione: “Ndarja e mjeteve financiare nga kategoria ekonomike e subvencioneve dhe transfereve sipas thirrjes publike për subvencionimin me mjete financiare për NMVM”.
Sipas kësaj liste që e posedon “Front Online”, “HIB Petrol” është përfituese e kategorisë për ndërmarrjet e mesme, të cilat i kanë prej 50-249 punëtorë.
Portali “Front Online” më shumë se një muaj ka pritur përgjigje nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për shumën financiare me të cilin është subvencionuar “HIB Petrol”, por ata nuk janë përgjigjur.
As drejtuesit e kompanisë së marketingut “Republika”, të cilët janë përgjegjës për mardhëniet me publikun të “HIB Petrol”, nuk janë përgjigjur për më shumë se një muaj në pyetjet e portalit, ndonëse kanë premtuar se shumë shpejtë do ta bëjnë një gjë të tillë.
Kompania “Republika” është në pronësi të Dukagjin Lipës, prindit të këngëtares me famë botërore Dua Lipa.
Përndryshe, portali “Front Online” nga burimet e veta ka mësuar se “HIB Petrol” këtë vit ka marrë 50 mijë euro si subvencion nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë si ndërmarrje që punëson deri në 250 punëtorë në Kosovë.
Në këtë listë të përfituesëve të subvencioneve nuk figuron emri i ndonjë kompanie tjetër të madhe të derivateve, përpos një kompanie të vogël “Carbona Petrol”, e cila është në kategorinë e ndërmarrjeve që i kanë 1-9 punëtorë.
“HIB Petrol” ka 16 pika të shitjes në gjithë Kosovën, përderisa drejtuesit e saj vazhdimisht janë promovuar si tatimpaguesit më të mëdhenj të vend, duke u mburrur me rreth 100 milionë euro në vit tatime të paguara. Megjithë qarkullimin e madh financiar kjo kompani është subvencionuar financiarisht nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ndonëse buxheti i kompanisë private është shumëfish më i madh se i këtij dikasteri qeveritar.
Në anën tjetër, sipas një raporti të publikuar ditë më parë nga Autoriteti Kosovarë i Konkurrencës, i cili ka hetuar çmimin e derivateve të naftës në Kosovë, 16 ndërmarrje që merren me shitjen e derivateve të naftës në vend kanë fituar deri në 124% nga derivatet që u kanë shitur konsumatorëve.
/Front Online/