Themelimi i Asociacionit nuk do të përbënte kurrfar rreziku.
Pasuritë e Kosovës, siç janë Trepça, Ujmani, apo edhe Brezovica, të cilat ndodhën gjeografikisht në komunat me shumicë serbe, do të ishin prapë nën menaxhimin e Qeverisë.
Kështu po thotë për “Front Online” ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli.
“Kuvendi i Kosovës e ka shpall Trepçën si ndërmarrje publike. Ajo është ndërmarrje publike qendrore, aksionare e të cilës është Qeveria. Njëjtë siç është KEK-u. Pra nuk është ndërmarrje komunale, siç është Termokosi apo Pastrimi në Prishtinë”.
Neni 10 i planit franko-gjerman parasheh zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të mëparshme, mes Kosovës dhe Serbisë, përfshirë asaj për AKS-në.
Sipas ujdisë së 2013-ës, Asociacioni, krahas fushave tjera, parasheh përfaqësim të interesave kolektive të komunave me shumicë serbe edhe në sektorin e ekonomisë.
“Ujmani është pjesë gjithashtu e ndërmarrjes publike qendrore Ibër Lepenci. As këtu nuk parashihet ndonjë rrezik, po flas në bazë të fakteve ekzistuese”, u shpreh Ismajli për “Front Online”.
Front Online ka pyetur Qeverinë lidhur me menaxhimin e këtyre pasurive të Kosovës në rast zbatimi të AKS-së, por nga ekzekutivi nuk kanë kthyer përgjigje gjatë së enjtes.
Çka thotë Kushtetuta?
Neni 122 i Kushtetutës të Republikës së Kosovës, pika 1, thotë se populli i Republikës së Kosovës në pajtim me kushtet e arsyeshme të përcaktuara me ligj mund të gëzojë resurset natyrore të Republikës së Kosovës, por nuk mund të shkel obligimet që dalin nga marrëveshjet ndërkombëtare për bashkëpunim ekonomik.
Kurse neni 13, pika 1.5 e Ligjit për Ujërat në Kosovë, potencon se Ministria, në këtë rast ajo e Mjedisit, pjesë e nivelit qendror, është përgjegjëse për administrimin dhe menaxhimin e të gjitha resurseve ujore në territorin e Republikës.
Duke marrë parasysh krejt aspektin ligjor, deputeti i PDK-së, Ferat Shala, i cili njëherit është edhe anëtar i Komisionit për Ekonomi në Kuvend është i prerë në qëndrim.
“Secilat resurse janë kategori kushtetuese, cilado qofshin ato, brenda territorit tonë. S`ka Asocacion që mund t`i trajtojë jashtë Kushtetutës të Kosovës”, u shpreh Shala për “Front Online”.
Neni 5 i Ligjit për Ndërmarrje Publike thotë se Qeveria ka kompetencë ekskluzive për ushtrimin e të drejtave të aksionarit të Republikës së Kosovës në ndërmarrjet publike qendrore.
Ndërmarrje publike e këtij nivel është Trepça dhe po ashtu Ibër Lepenci, që menaxhon me Liqenin e Ujmanit.
Sa i përket Brezovicës, e cila gjendet në komunën e Shtërpcës, ajo është nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Agjencia Kosovare e Privatizimit është organ i pavarur publik i cili i ushtron funksionet dhe përgjegjësitë në mënyrë plotësisht të pavarur, në bazë Ligjit të Kuvendit të Kosovës.
“Shteti duhet të insistojë të mbajë menaxhimin e këtyre pasurive”, u shpreh Fadil Ismajli për “Front Online”.
Kur VV shpjegonte planin e Beogradit për të futur nën kontroll pasuritë e Kosovës nëpërmjet Asociacionit
Lëvizja Vetëvendosje është subjekti politik që ka kundërshtuar hyrjen në bisedime me Serbinë pa kushte dhe rrjedhimisht nënshkrimin e të gjitha marrëveshjeve të Brukselit.
Tash kjo parti është në pushtet. Sa ishte në opozitë thoshte se përmes Asociacionit resurset kryesore të vendit futën nën kontrollin e Beogradit.
Ky është vetëm njëri prej deklarimeve të atëherë deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sfeçla, tash Ministër i Punëve të Brendshme.
“Hyrja nëpër çështje të tilla natyrshëm çon në kërkesa të kamotshme të Beogradit për të futur nën kontroll pasuritë e Republikës së Kosovës, siç janë edhe liqeni i Ujmanit apo Gazivodës dhe Trepça”, pati deklaruar Sveçla.
Institucioni i Presidencës dhe ai i Qeverisë, kur u nënshkrua marrëveshja për Asociacionin, patën thënë se ujdia e Brukselit për Asociacionin e nënshkruar në vitin 2015 parasheh që resurset të menaxhohen nga Qeveria e Kosovës./Front Online/