Përveç pandemisë me Covid-19, tashmë edhe gripi sezonal ka filluar të përhapet në Kosovë.
Numri i personave që po kërkojnë trajtim mjekësor për shkak të simptomave që lidhen me gripin sezonal, thuhet se është duke u rritur gjatë këtij muaji.
Doktoresha në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Ilire Bunjaku, në një intervistë për Front Online, ka thënë se ka filluar të shtohet numri i pacientëve me simptoma të gripit sezonal që po kërkojnë ndihmë mjekësore në këtë qendër.
Derisa vaksinimi i qytetarëve vlerësohet tejet i rëndësishëm për tu mbrojtur nga gripi sezonal, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë vazhdon të mos furnizohet me vaksina.
Doktoresha Bunjaku ka thënë se nuk kanë informacione të sakta se kur do të furnizohen me vaksina.
“Për momentin nuk kemi vaksina në qendrën tonë, mirëpo presim që brenda muajit, apo në muajin e ardhshëm të furnizohemi, por s’kemi informacion të saktë se kur do të vijnë”, ka deklaruar ajo për Front Online.
Përndryshe, ajo është shprehur se si staf shëndetësorë janë të pajisur me të gjitha masat mbrojtëse, dhe se mund ta menaxhojnë situatën./Front Online
Gripi sezonal fillon të përhapet në Kosovë, gjendja pritet të përkeqësohet në nëntor