Në orët e hershme të mëngjesit të së martës, një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në një lokal që ndodhet në “Rrugën C” në kryeqytet.
Eksplozivi i vendosur në hyrje të lokalit ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, mirëpo fatmirësisht asnjë person nuk është lënduar.
Në video shihet qartë se si i dyshuari del nga një veturë, kalon dy korsitë e rrugës dhe e vendos me shpejtësi eksplozivin në hyrje të lokalit.
Ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë në orën 02:20 minuta, ndërsa policia për eksplodimin është njoftuar në orën 03 e 30 minuta.
“Sot rreth orës 03:30, jemi njoftuar për një rast shpërthimi në një lokal në rrugën “C”, në Prishtinë. Njësitet përkatëse policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po merren me rastin. Nuk raportohet për persona të lënduar. Për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti, i cili është cilësuar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, janë duke punuar njësitet përkatëse në koordinim me Prokurorinë e Shtetit”, ka thënë Flora Ahmeti, zyrtare për informim në Policinë Rajonale të Prishtinës.
Deri pasditen e sotme, nuk është raportuar për identifikimin apo arrestimin e ndonjë të dyshuari. Hetimet përkitazi me këtë rast ende janë duke vazhduar me intensitet nga organet e hetuesisë.