Janë dy komplekset kryesore të shqiptarëve. E para, që jemi të vegjël. Pra, jemi një vend pa peshë, që nuk ka bërë shumë prokopi, s’ka shpikur asgjë, s’ka patur ekonomi të fortë, nuk ka patur ushtri, nuk ka pushtuar dot një vend tjetër, por vetëm është pushtuar dhe prandaj ka humbur territore dhe popullsi, e prandaj nuk ka patur mundësi të vendosë për fatet e veta e jo më për ato të botës.
Ky është kompleksi i territorit.
Kompleksi i dytë, është kompleksi i përkatësisë. Megjithëse jemi evropianë, nuk jemi ndjerë pothuajse kurrë të tillë. Jemi pushtuar nga Lindja, jemi pushtuar nga Perëndimi, por asnjëra palë nuk na ka njohur si evropianë të vërtetë.
Kjo është gjeneza e problemeve tona. Është nëna e të gjitha problemeve.
Ku jemi? A jemi ata që mendojmë se jemi? A mendojnë të tjerët se ne jemi, ata që nuk jemi? A jemi ata që besojmë se jemi?
Normalisht, një vendi i duhen shekuj për të shpëtuar nga komplekset që ka dhe shekujt në rastin tonë kanë kaluar. Por, po ashtu, një vendi i duhet dhe pak fat, që ne s’e kemi patur.
Megjithëse unë nuk kam shumë besim se mund të shpëtojmë shpejt nga komplekset tona, ndoshta fati po na troket në derë.
Lufta ne Ukrainë mund të jetë një shenjë e fatit të kthyeshëm.
Sot Evropa ka vetëm një shqetësim. Si të bashkohet, të mblidhet rreth vetes, të forcojë kufijtë për t’u mbrojtur nga Rusia. Kjo krijon natyralisht një ndjenjë të fortë uniteti që evropianët nuk e kanë shumë natyrale. Uniteti nuk është një virtyt evropian, ndërsa përçarja është vesi i tyre.
E, megjithatë, Evropa sot ka nevojë për vende tampon në kufi me Rusinë. Finlanda, Ukraina, Baltiku, Ballkani në përgjithësi janë zona tampon. Kjo nënkupton që edhe nëse luftohet në këto zona, nuk luftohet në Gjermani, në Francë, në Holandë apo Itali.
Së fundi, Finlandës dhe Suedisë po u kërkohet ti bashkohen NATO-s. Ajo që mund të parashikohet lehtësisht është se Evropa mund të shpejtojë procesin e zgjerimit në Ballkan. Me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi.
Nëse ky gjykim kthehet në aksion, Shqipëria ka shanse të kapërcejë në një vit pengesa të cilat ia vuri vetes, apo të tjerët ia vunë asaj në dhjetë vitet e fundit. Në këtë kontekst, nevoja për një Evropë më të madhe mund ta favorizojë Shqipërinë, por më vonë edhe Kosovën. Ky do ishte një shpërblim i madh për njerëz si unë, të cilët dolën nga komunizmi në moshën e fëmijëve të tyre sot, dhe mund të bëhen formalisht evropianë në moshën e prindërve të tyre dje.
Megjithëse jam rritur me besimin se për ne shqiptarët nuk ka asgjë më të shtrenjtë se Evropa, në këto tridhjetë vjet zhgënjime kam mësuar diçka që më detyron të jem një besimtar i tërhequr. Mos i beso kurrë Evropës. Sa më afër duket, aq më larg është. Nëse varka për të kaluar në Evropë është zhvendosur nga Mesdheu në Ukrainë, në Detin e Zi, në këtë tragjedi ne shqiptarët do gjenim një ngushëllim.
Sa herë rusët zbresin në Evropë, ne humbim diçka. Shpresoj të mos jetë kështu në këtë shekull.
Në shekullin e kaluar, kur rusët zbritën dhe luftuan në Evropë, ne u bëmë një vend komunist. Ndoshta fati e do që herën e dytë kur ata kanë zbritur në Ukrainë, ne mund të bëhemi një shtet evropian.
Siç thashë, ndoshta mund të jenë dy avantazhet për Shqipërinë nga lufta në Ukrainë. E para, mund te anëtarësohemi më shpejt, duke hequr qafe fjalën e shëmtuar integrim që ngjan me ingranim. Sikur shtypesh nga një ingranazh dhe deformohesh.
Ne nuk duam më të integrohemi. Ne duam të anëtarësohemi. Me të drejta të plota në Bashkimin Evropian. Nëse ukrainasit janë vrarë edhe për ne, ua kemi borxh.
Ukraina mund ta ketë nxjerrë Shqipërinë nga rivaliteti historik me Serbinë. Një dekret evropian i pashkruar, që ka qenë gjithmonë në fuqi, thoshte se pa u zgjidhur çështja e Kosovës, as Shqipëria as Serbia nuk do mund të hynin në Bashkimin Evropian.
Ukraina për herë të parë në histori, mund ta ketë grisur këtë dekret të shkruar nga anglezët, francezët dhe rusët, pas luftërave me njëri- tjetrin. Duke u rreshtuar me Perëndimin kundër Rusisë, Shqipëria mund te ketë avancuar në garën e vjetër me Serbinë. Ndërsa, kjo e fundit pa dyshim që ka humbur.
Pyetja që evropianët kanë sot është kjo: A mund ti jepet e drejta e votës Serbisë, në Bashkimin Evropian, në kushtet kur ajo nuk është autonome nga Rusia? Kjo do të thotë që Putin të ketë të drejtën e vetos çdo ditë në vendimmarrjen e Bashkimit Evropian. Ky tmerr për evropianët është një ferr. Edhe në gjumë.
Por, në betejën e Ukrainës, Serbia ka humbur jo vetëm në raport me Shqipërinë, por edhe me Kosovën. Ky është avantazhi i dytë në qiellin evropian të Ukrainës, ku Kosova mund te jete një horizont më i afërt për ne. Kur flas për Kosovën, nuk e kam fjalën që ky shtet mund të përfitojë diplomatikisht duke zgjeruar listën e njohjeve. E, çfarë i duhet Kosovës nëse e njohu Qipro apo jo? Dhe, bashkë me Qipron Greqia apo Spanja? Fitoret diplomatike sot duken si qershi pa tortë. Pra, nuk kanë vlerë, sepse nuk të ngopin. Kosova ka vetëm një dalje nga hallet e një vendi shumë të vogël, pa det, me ekonomi modeste, me shumë emigracion dhe me aq shumë presion kufitar nga të gjitha anët. Të bashkohet me Shqipërinë. Ky do ishte një shpëtim për Kosovën dhe natyrisht edhe për Shqipërinë.
Një vend më i madh me pesë milion banorë, me det dhe me një diasporë pothuajse tre milionë, e cila do energjizohej nga bashkimi kombëtar, do ishte një vend i fuqishëm dhe jo vetëm i respektueshëm. Dhe, jo vetëm në Ballkan.
Nëse Dombasi dhe Luhansku i bashkohen Rusisë, pse jo Kosova të mos i bashkohet Shqipërisë.
Kosova është kthyer në seminar, në debatin diplomatik të pas Luftës së Ftohtë. Kur Rusia kërkon pavarësi, për Dombasin dhe Luhanskun, dy territore të Ukrainës me shumicë ruse, ajo merr për shembull shkëputjen me dhunë të Kosovës nga Serbia. Putini luftoi në Krime dhe sot në Dombas dhe Luhansk me flamurin e Kosovës, pra duke marrë çlirimin e Kosovës nga Perëndimi, si shembull.
Nga ana tjetër, kur Perëndimi kërkon të mbrojë rendin e ngurtë ndërkombëtar në fuqi, sipas të cilit, nuk duhet të ketë më ndryshime kufijsh, merr për shembull Kosovën. Pra, që rendi ndërkombëtar mos vihet në pikëpyetje, Kosova dhe Shqipëria nuk duhet të bashkohen. Këtë thotë Perëndimi dhe Rusia. Dhe, ne e pranojmë.
Por, luftërat bëhen që rendi ndërkombëtar të ndryshojë. Kjo është edhe arsyeja e luftës në Ukrainë. Prandaj, arsyet e vjetra kanë rënë. Ose do bien.
Kush ka sot një arsye bindëse, se pse Shqipëria me Kosovën nuk duhet të bashkohen? A mund ta pretendojë këtë një gjerman? Jo. A mund ta thotë këtë një rus?
Sigurisht që jo. Po pse duhet ta thotë një grek apo një italian apo një belg?
Absolutisht jo. Prandaj, ka ardhur koha për tu bërë një vend më i madh.
Një vend më i fortë dhe më vital, hapësirat dhe pasuritë e të cilit na mjaftojnë për të jetuar këtu dhe për të mos ikur. Madje na mjaftojnë edhe për tu kthyer nëse kemi ikur. Asnjëherë në histori nuk na ka ndodhur që kur të tjerët luftojnë, ne fitojmë. Ndoshta është ky rasti. Ka ardhur koha të pengojmë të tjerët të na pengojnë të zmadhohemi. Vetëm ne vetë mund ta pengojmë bashkimin dhe mes nesh nuk ka pak që do e bëjnë, kur ti vijë koha, por kjo frikë nuk mund ta shëmtojë këtë shpresë.
Sot është koha për tu rritur. Është koha për tu zmadhuar. Është koha për tu bashkuar. Është koha për t’u bërë evropianë. Siç jemi. Siç duhet të jemi. Siç do jemi.