×
  • Opinione
  • Opinione

    Viti 2025, vit i tranzicionit

    Blerim Shala
    01 Janar 2025

    Shkruan: Blerim Shala

    Viti 2025, i cili tashmë i ka hapur portat për të gjithë ne, do të jetë politikisht një vit i tranzicionit në Amerikë, në Evropë dhe në Kosovë.

    Këtë tranzicion, veçmas kur bëhet fjalë për SHBA-në dhe ri-kthimin e Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë si Presidenti i Amerikës, i cili do të ndodhë pas inaugurimit të tij me 20 janar, e presin me shumë të panjohura, me shpresë dhe me ankth evropianët dhe e gjithë Bota.

    Kur për herë të parë Trump u bë banor i Shtëpisë së Bardhë, me 20 janar, 2017, nuk kishte luftë të madhe dhe rreziqe për sigurinë ndërkombëtare, siç është rasti tani me luftën në Ukrainë të shkaktuar nga Rusia, dhe me atë në Lindjen e Mesme e cila ka si kryeprotagonist Izraelin.

    Trump shumë herë ka thënë gjatë fushatës në zgjedhjet presidenciale në Amerikë, që do t’i ndalë te dy luftërat, madje atë në Ukrainë për vetëm 24 orë.

    Kushdo që përcjell zhvillimet ndërkombëtare e di mirë që pa Administratën Amerikane nuk mund të ketë paqe në Ukrainë dhe as në Lindjen e Mesme. Pyetja që shtrohet këtu është: Çfarë do të jetë kjo paqe? Në dëm të atyre që aktualisht janë faktor më të dobët, apo kjo do të jetë një paqe e baraspeshuar.

    Në anën tjetër, Brukseli (BE), me padurim pret se çfarë qasje politike do të përqafojë Presidenti Trump në komunikimin dhe bashkëpunimin e tij me Bashkimin Evropian.

    BE nuk ka pasur përvojë të mirë me Administratën e parë të Presidentit Trump (2017-2021).

    Megjithatë, tash te dy palët e njohin shumë më mirë njëra-tjetrën, teksa interesi jetik i te dy anëve të Atlantikut është që të ruajnë partneritetin trans-atlantik përballë kërcënimeve dhe sfidave të mëdha që vijnë nga Lindja politike (Kina dhe Rusia).

    Dikush këtu mund të shtojë që kjo që u tha në kryefjalën e mëparme është njëmend e domosdoshme të ndodhë në mes të Amerikës dhe Evropës, por askush nuk është i gatshëm të garantojë këtë epilog aq të duhur në marrëdhëniet trans-atlantike.

    Por, nuk ka dyshim që Evropa i duhet Amerikës, po aq sa Amerika Evropës.

    Në anën tjetër, vetë Evropa do të përballet me tranzicionin e saj.

    Komisioni i ri i Evropës (apo, Qeveria e saj), tashmë është formuar, por Gjermaninë e presin në fund të shkurtit zgjedhjet e reja parlamentare, (të parakohshme, fenomen ky shumë i rrallë në Gjermani), teksa partitë e ekstremit të djathtë dhe të majtë janë në ngritje e sipër, e ato tradicionalet tash e sa kohë kanë krizë identiteti.

    Gjermania e fortë dhe stabile është njëri prej faktorëve përcaktues për fuqinë dhe stabilitetin e BE-së si të tillë.

    Megjithatë, si në atë rastin e mëparmë që përkonte me relacionet e SHBA-së dhe BE-së, as këtu, kur flitet për mëkëmbjen politike dhe ekonomike të Gjermanisë, shpresa është nocioni imponues karshi atij që do të shfaqte sigurinë e një parashikimi.

    Më në fund, edhe skena politike e Kosovës do të hyjë së shpejti në një tranzicion, i cili do të jetë, në rastin tonë, konsekuencë e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

    Tashmë dihet prej të gjithëve që këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta për përbërjen e Kuvendit të Kosovës që nga viti 2008, kur Kosova u bë shtet i pavarur. Është konstatuar tashmë, mbase konsensualisht, prej te dy kampeve politike (qeveritare dhe opozitare), megjithëse me motive fare të ndryshme, që politika kosovare, në zhvillimin e saj, ka pasur nevojë për një mandat të plotë katërvjeçarë të Qeverisë dhe të Kuvendit.

    Ky katërvjeçarë, realisht i është dashur të gjithë protagonistëve të skenës politike kosovare.

    9 shkurti (i vitit të ardhshëm pra), do të jetë një garë dhe një përballje politike që do të ndodhë në kohën e duhur.

    Nuk do të ketë befasi sa i përket temave parazgjedhore që do të trajtohen në fushatën formale e cila do të nisë në javën e dytë të janarit. Zaten, fushata reale parazgjedhore është në rrjedhë e sipër tash e disa muaj.

    Cilidoqoftë rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, nuk ka dilema që politika kosovare do të përballet me një tranzicion në procesin e konstituimit të Kuvendit të ri të Kosovës dhe të Qeverisë së re të Kosovës.

    Nga Rubrika
    Opinione22 Janar 2025
    Përballë hezitimeve të brendshme, pengesave diplomatike dhe ndikimit të Serbisë, Kosova ndërtoi rrugën e saj drejt krijimit të Forcave të Armatosura me...
    Opinione21 Janar 2025
    Nga Ramush Haradinaj: Kur njeriu i luftës dhe njeriu i paqes punojnë bashkë, shteti ndërtohet mbi themele që s’luhaten kurrë. E njoha...
    Opinione20 Janar 2025
    Shkruan Ben Blushi Në Greqinë e Lashtë ishte një mbret që quhej Mida, që kishte aftësinë të kthente në ar cdo gjë...
    Të tjera
    Sport22 Janar 2025
    Borussia Dortmund ka njoftuar zyrtarisht se ka shkarkuar trajnerin Nuri Sahin pas rezultateve zhgënjyese këtë edicion. Pas humbjes shokuese me rezultat 2-1...
    Zgjedhjet 202522 Janar 2025
    Bedri Hamza përmes një postimi, ka treguar se sot do të ketë takime me biznese, për të cilat ka premtuar grante për...
    Lajme22 Janar 2025
    Një grua ka raportuar në polici se më 19 janar në Prishtinë, bashkëshorti i saj kishte ushtruar dhunë fizike ndaj saj, dhe...
    Lajme22 Janar 2025
    Policia e Kosovës, nëpërmjet raportit të saj të përditshëm ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë shqiptuar 1694 gjoba trafiku...
    Lajme22 Janar 2025
    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje, kundër Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila...
    Zgjedhjet 202522 Janar 2025
    Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Idriz Vehapi, ka zhvilluar një tubim në Therandë, ku theksoi mbështetje të fuqishme...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.