Shkruar nga: Denys Davydenko, Margarita Khvostova & Olga Lymar, “European Council on Foreign Relations”
Gjatë javëve të fundit kanë nisur të mbërrijnë në Ukrainë armët perëndimore të kalibrit të madh. Dërgesat u intensifikuan dukshëm pasi vendet anëtare të NATO-s njoftuan se do t’i dërgonin ato në Ukrainë. Në mesin e armatimeve përfshihen raketa-hedhësit e shumëfishtë “HIMARS”, topat M777 dhe pzH 2000, artileritë vetëlëvizëse “Zuzana” dhe “Krab” dhe raketa anti-anije “Harpoon”.
Sasia e këtij armatimi është ende e pamjaftueshme për ta mundur plotësisht Rusinë. Por në vijën e frontit, forcat ukrainase po i përdorin tashmë në masë dërgesat e fundit. Dhe me sa duket, furnizimet e reja kanë filluar ta ndryshojnë ekuilibrin e fuqisë ushtarake në favor të Ukrainës.
Në fakt, efekti ishte pothuajse i menjëhershëm. Pak ditë pasi i mori në dorëzim, ushtria ukrainase filloi të godiste objektivat ushtarake të vendosura në një distancë shumë të largët. Ajo kishte arritur ta bënte rrallë këtë gjë përpara mbërritjes së armëve moderne e të kalibrit të madh nga Perëndimi.
Deri kohët e fundit, shumica e artilerisë ukrainase mund të godiste vetëm në një distancë deri në 30-40 km. Arma me rreze më të gjatë – lëshuesi raketor “Tochka-U” – kishte një rreze veprimi deri në 120 km. Por Ukraina kishte në shërbim vetëm deri në 20 e ca sisteme lëshimi “Tochka-U”.
Vetëm gjatë javës së fundit, në rajonet e Luhansk dhe Donetsk, forcat e armatosura të Ukrainës shkatërruan disa depo municionesh të ushtrisë ruse në Zymohirya, Perevalsk, Snizhne, Popasna dhe Donetsk të pushtuara nga rusët.
Këto qytete janë afro 50 km larg vijës së frontit, dhe burimet e ushtrisë ukrainase thonë se janë shkatërruar duke përdorur pikërisht sistemin amerikan “HIMARS”. Për më tepër, sipas vëzhguesve ushtarakë, Ukraina përdori “HIMARS” edhe kundër bazës ajrore ruse në qytetin e pushtuar Melitopol në rajonin Zaporizhzhia, raporton abcnews.al.
Dërgimi i vetëm 4 njësive të kësaj pajisjeje nga Shtetet e Bashkuara, ka mundësuar tashmë shkatërrimin e një pjese të konsiderueshme të logjistikës së ushtrisë ruse në prapavijën e frontit. Edhe fronti jugor i luftës, ka treguar një sukses taktik në rritje për ushtrinë ukrainase.
Forcat e Kievit kanë ndërmarrë së fundmi disa sulme me raketa mbi platformat e shpimit në Detin e Zi, të pushtuara nga Rusia që në vitin 2014. Rusia kishte vendosur në ato platforma mjete të luftës elektronike, duke i dhënë mundësi të kontrollonte hapësirën ajrore në disa pjesë të rajonit të Odesës.
Kjo pajisje ka shumë të ngjarë të jetë shkatërruar, dhe rusët nuk do të jenë më në gjendje të vazhdojnë nxjerrjen e paligjshme të gazit ukrainas nga ato platformat. Disa ditë më vonë, trupat ukrainase nisën sulme me artileri dhe raketa ndaj garnizonit rus në Ishullin e Gjarpërinjve.
Menjëherë pas kësaj, trupat ruse u detyruan të largoheshin nga ishulli. Të gjitha këto objektiva në Detin e Zi, janë brenda një rrezeje deri në 100 km nga bregu i Ukrainës. Qeveria ukrainase nuk ka specifikuar ende, se çfarë lloj arme është përdorur për sulmet në Ishullin e Gjarpërinjve dhe mbi platformat e shpimit në Detin e Zi.
Por mund të supozohet se forcat e Ukrainës përdorën raketa kundër anijeve “HIMARS” ose “Harpoon”. Në të dyja frontet, sukseset e fundit të prekshme të ushtrisë ukrainase, sugjerojnë ndikimin e madh që ka pasur mbërritja e armëve moderne perëndimore të kalibrit të madh.
Por edhe pse lista e armëve të dorëzuara është e gjerë, sasia e tyre është ende e pamjaftueshme, që ushtria ukrainase të arrijë të ketë një avantazh strategjik ndaj asaj ruse. Për shembull, Ukraina ka marrë deri më tani vetëm 12 armë artilerie vetëlëvizëse “PzH 2000”, 8 armë vetëlëvizëse “Zuzana” dhe 4 sisteme “HIMARS’.
Numri i tyre i vogël, nënkupton se Ukraina nuk ka ndërtuar ende forcën e duhur për arritjen e fitoreve vendimtare në akset Kherson apo Kharkiv. Një numër i mjaftueshëm armësh perëndimore moderne, mund ta bëjë këtë të mundur.
Në mesin e muajit qershorit, një këshilltar i lartë i presidentit Zelensky bëri vlerësimet e tij për nevojat e Ukrainës:“1000 topa të kalibrit 155 mm; 300 Sisteme Raketore të Lëshimit të Shumëfishta (MLRS); 500 tanke; 2000 mjete të blinduara; 1000 dronë”.
Përveç kësaj, Ukraina do të kërkojë gjithashtu të paktën 30 avionë luftarakë modernë, amerikanët F-15 ose F-18 apo suedezin “Gripen”, për të përballuar si duhet fuqinë ajrore të Rusisë, dhe për të ofruar mbrojtje shtesë nga raketat ruse.
Kjo ndihmë mund të jetë duke u përgatitur. Projektligji i duhur është depozituar tashmë nga kongresmeni amerikan Adam Kinzinger. Kongresi Amerikan duhet ta miratojë sa më shpejt që të jetë e mundur, pasi pilotët ukrainas do të kërkojnë muaj trajnim, para se të jenë në gjendje që t’i përdorin këta lloj avionësh.
Së fundi, sulmet e fundit me raketa në Kiev, sulmi ndaj një qendre tregtare në Kremenchuk, dhe sulmet e përditshme në qytete të tjera të Ukrainës, tregojnë emergjencën e mbrojtjes së hapësirës ajrore të Ukrainës. Qeveria amerikane ka konfirmuar synimin e saj për të dërguar dy sisteme moderne raketore anti-ajrore, NASAMS.
Ky do të ishte një hap i madh përpara për të mbrojtur qytetet dhe objektet strategjike të Ukrainës nga raketat armike, pasi NASAMS është në gjendje të rrëzojë avionë, helikopterë dhe raketa lundruese si “Iskander” ose “Tochka-U”. Po ashtu, ai mund të godasë objektiva në një distancë prej 160 km, raporton abcnews.al.
Meqenëse bateritë NASAMS mund të mbulojnë vetëm një qytet apo një objekt, është e rëndësishme që ato të kombinohen me sistemet alternative moderne të mbrojtjes ajrore, të cilat janë premtuar nga partnerë të tjerë perëndimorë, duke përfshirë SAM dhe avionë të vjetër.
Këta mund të ndihmojnë për të mbyllur boshllëqet që ekzistojnë në mbrojtjen ajrore të Ukrainës. Ukraina ka treguar aftësinë e saj për t’i përdorur me shumë efektivitet në luftime armët perëndimore moderne. Forcat e saj të armatosura, kanë treguar se mund të mësojnë shumë shpejt se si t’i përdorin ato.
Nëse Perëndimi e furnizon vazhdimisht Ukrainën me armë dhe forca të blinduara, ushtria ukrainase do të jetë në gjendje t’i përdorë këto për të organizuar një kundërofensivë në fronte të shumta, dhe për t’i dëbuar rusët nga territori i saj.
Përveç mbështetjes së paprecedentë të dhënë tashmë ndaj Ukrainës, suksesi i mëtejshëm do të kërkojë gjithashtu që Perëndimi të jetë edhe më i shpejtë dhe akoma më vendimtar, për të siguruar atë që do të ishte një fitore jo vetëm për Ukrainën, por për të gjithë botën demokratike. Nëse Perëndimi shpreson për një fitore të shpejtë të Ukrainës, ai duhet të përshpejtojë urgjentisht furnizimin e saj me armë.
Shënim: Margaryta Khvostova, Olga Lymar dhe Denys Davydenko, janë anëtarë të Koalicionit të Paketës së Rigjallërimit të Reformave, i përbërë nga 26 ojq ukrainase, i krijuar pas Revolucionit të Dinjitetit të vitit 2014.