×
  • Kronika
  • Kronika

    Shukri Buja kërkon përjashtimin e gjyqtarit Beqir Kalludra

    FrontOnline
    16 Shtator 2020

    Kur pritej që me fjalën përfundimtare të palëve të përfundonte gjykimi në rastin “Ferronikeli”, ish-kryetari i Lipjanit, Shukri Buja, ka kërkuar përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues të këtij rasti, Beqir Kalludra.

    Një kërkesë të tillë, Buja e arsyetoi me faktin se gjyqtari Kalludra ka marrë veprime dhe vendime të njëanshme.

    Mirëpo, pasi që gjyqtari Kalludra e ftoi Bujën që të jap ndonjë arsyetim konkret lidhur me kërkesën e tij, Buja tha se arsyetimin do ta jap me shkrim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Lidhur me këtë kërkesë, gjyqtari Kalludra tha se po e vëren se ka një tendencë të vazhdueshme për zvarritje të këtij gjykimi. I njëjti tha se menjëherë do të lajmëroj kryetaren e gjykatës për këtë kërkesë, duke i ftuar palët të qëndrojnë në sallë deri në marrjen e një vendimi nga kryetarja.

    Ndryshe, kërkesë së Bujës për përjashtimin e Kalludrës, i parapriu një debat mes gjyqtarit dhe avokatit që mbron Bujën, Arianit Koci.

    Ky i fundit tha se procesverbalin e seancës të mbajtur dje, e ka pranuar vetëm sot në orën 10:30 dhe nuk ka pasur kohë për përgatitje të fjalës pëfundimtare në një kohë kaq të shkurtë.

    “Procesverbalin e seancës së djeshme e kam pranuar sot, e kam kontrolluar imellën disa herë dje deri në mbrëmje, nuk ka pasur, kam kontrolluar edhe sot në mëngjes rreth orës 9:00, nuk ma keni dërguar. Dikun rreth orës 10:30 e kam parë që më ka mbrri imella. Menjherë e kam ftuar klientin tim që të vijë të marr një kopje të procesverbalit dhe i njëjti në mënyrë eksplicite ka kërkuar që t’i jepet afat shtesë për përgatitjen e fjalës përfundimtare. Edhe unë kam nevojë për fjalë përfundimtare sepse për 2 orë nuk kam mbrri. Mua më nevojitet së paku 7 ditë”, tha Koci.

    Mirëpo, kërkesën për afat shtesë për përgatitje të fjalës përfundimtare, e refuzoi gjyqtari Kalludra.

    Një refuzim të tillë, gjyqtari Kalludra e arsyetoi me faktin se ligjvënësi askund nuk parasheh afat shtesë, as afat jo shtesë, siç tha Kalludra, për përgatitjen e fjalës përfundimtare.

    “Sipas dispozitave ligjore, fjala përfundimtare e palëve, duhet të ipet me të përfunduar gjykimi dhe gjykimi ka përfunduar dje, të gjitha palët kanë qenë pjesëmarrjes gjatë gjithë shqyrtimit gjyqësor, fjala përfundimtare nuk është provë, është këndvështrim i palëve lidhur me çështjen penale, pas administrimit të provave andaj këto janë arsyet që ligjvënësi nuk ka paraparë afat kohor për përgatitjen e fjalës përfundimtare nën supozimin real se përcjellja e gjykimit me kujdes mundëson vlerësimin nga këndvështrimi i palëve lidhur me çështjen penale konkrete”, tha gjyqtari.

    Për më tepër, Kalldura tha se duke pas për bazë faktin se kjo çështje penale është në rigjykim, nuk kemi pas as prova të reja për tu shqyrtuar dhe kjo sipas tij rrethanë objektive që ua lehtëson të gjitha palëve në procedurë që të jenë edhe më shpejt të përgatitur për ta prezantuar fjalën përfundimtare.

    Pas kësaj, reagoi sërish Koci i cili tha se i ka pasur më pak se dy orë kohë dhe kjo tha se nuk i mjafton as që të analizohet procesverbali i fundit e lëmo edhe të shqyrtohen provat tjera.

    “Natyrisht që do të shkelja etikën time të avokatit po të tentoja të shkruaja një fjalë përfundimtare brenda dy orësh dhe do të shkelja edhe besimin që klienti im më ka dhënë. Unë deri ditën e sotme, nuk kam pas asnjë herë rast që të më obligoj gjykata ta përpiloj fjalën përfundimtare për në më pak se 24 orë apo në rastin konkret për dy orë”, tha Koci.

    Ky rast mund të rrezikojë parashkrimin për shkak se veprat penale për të cilat pretendohen se janë kryer nga të akuzuarit, përfshijnë periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2012, atëherë edhe gjykatat, qoftë ajo Themelore apo ajo e Apelit, në rast se do të ketë ankesa nga palët, do të jenë në garë me kohën për të përfunduar gjykimin e kësaj çështje.

    Kjo pasi sipas Kodit Penal, ndjekja penale ndalohet në çdo rast kur të ketë kaluar dyfishi i kohës së afatit të parashkrimit. Duke qenë se veprat penale me të cilat ngarkohen të akuzuarit, kanë paraparë dënime deri në 5 vjet burgim, afati i parashkrimit të tyre është po ashtu, 5 vjet.

    Pas kalimit të afatit i cili është paraparë me ligj, nuk mund të ndërmerret ndjekja penale dhe të akuzuarve nuk mund t’i shqiptohet dënimi për vepër penale që akuzohen se kanë kryer.

    Kësisoj, disa nga veprat penale në këtë çështje pretendohen se janë kryer deri në fund të vitit 2010, çka do të thotë, se deri në fund të vitit 2020, do bëhen 10 vjet nga koha kur sipas prokurorisë, të akuzuarit i kanë bërë veprimet e tyre inkriminuese apo me fjalë të tjera, do të arrihet dyfishi i afatit të parashkrimit për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

    Ish-kryetari i Lipjanit, Shukri Buja, më 5 nëntor 2018, ishte dënuar me tre vjet burgim efektiv, pasi ishte shpallur fajtor për veprën penale, keqpërdorim i detyrës zyrtare në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje.

    Për keqpërdorim të pozitës zyrtare, fajtorë ishin shpallur edhe të akuzuarit e tjerë në këtë rast, Nebih Zeqiri, i cili ishte dënuar me dy vjet e gjashtë muaj burgim, Halit Gashi me gjashtë muaj burgim, Edmond Rexhepi ishte dënuar me gjashtë muaj burgim, Bajram Rizani me gjashtë muaj burgim, kurse Hasim Viseshella ishte shpallur fajtorë për marrje ryshfeti dhe ishte dënuar me pesë muaj burgim.

    Ndërsa, ishin liruar nga akuzat, Magbule Sadiku, Burim Kodra si dhe Driton Avdiu, kurse ndaj biznesmenit Fahri Retkoceri, aktgjykim lirues ishte marrë për veprën penale, punimet ndërtimore të kundërligjshme.

    Gjykata e shkallës së parë, kishte nxjerrë aktgjykim refuzues për të akuzuarit Buja dhe Zeqiri, për katër pika të aktakuzës, sa i përket veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare për shkak se kishte vlerësuar se ka arritur afati i parashkrimit.

    Për të njëjtën arsye, kalimin e afatit të parashkrimit, Themelorja kishte refuzuar edhe pikat II.3 dhe II.2 të aktakuzës, ku Buja akuzohej për veprat penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, marrjes së ryshfetit dhe ushtrimit të ndikimit, kurse Retkoceri akuzohej për veprën penale të dhënies ryshfetit.

    Mirëpo, pas ankesave të ushtruara nga ana e Prokurorisë Speciale dhe mbrojtësve së të akuzuarve, Gjykata e Apelit më vendimin e marrë më 12 qershor 2019, e kishte anuluar këtë aktgjykim të Themelores dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

    Sipas Apelit, aktgjykimi është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ngase dispozitivi i tij është i pakjartë për shkak se pjesa dënuese është në kundërshtim me pjesën liruese dhe atë refuzuese.

    Kjo, pasi siç kishte vlerësuar Apeli, nga një gjendje e njëjtë faktike për të akuzuarin Shukri Buja, gjykata e shkallës së parë, për disa vepra e ka shpallur fajtor dhe i ka shqiptuar dënim, ndërsa, për disa ka nxjerrë aktgjykim refuzues me arsyetim se ka arritur parashkrimi absolut e për disa tjera ka nxjerrë edhe aktgjykim lirues, edhe pse sipas Apelit, kemi të bëjmë me një gjendje të njëjtë faktike dhe periudhë të njëjtë kohore për të cilën akuzohet se i ka kryer veprat penale.

    Siç thuhet në aktvendimin e Apelit, shkalla e parë nuk ka specifikuar as dëmin e shkaktuar nga të akuzuarit si dhe ka dështuar të vërtetojë edhe elementin e dashjes.

    Në rigjykim, Apeli e ka udhëzuar Themeloren që të vërtetojë dëmin e shkaktuar nga të akuzuarit si dhe të merr parasysh pretendimet e ankimore lidhur me parashkrimin absolut të veprave penale.

    Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ngarkon ish-kryetarin e Lipjanit, Shukri Buja, Nebih Zeqiri – zyrtar për çështje pronësore në zyrën e Kryetarit të Komunës së Lipjanit, Halit Gashi – në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan, Magbule Sadiku – zyrtare në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan, se në kundërshtim me dispozitat ligjore, kanë ndërmarrë veprime për shpronësimin, eksproprijimin dhe më pas kanë tjetërsuar pronat shoqërore dhe komunale, në dobi të “Neë Co Ferronikel Complex L.LC”.

    Sipas Prokurorisë, i pandehuri Shukri Buja, në kundërshtim me Ligjin për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme ka caktuar komisionin për vlerësimin e paluajtshmërive, edhe pse ky vlerësim është në kompetencë të nivelit qendror. Lidhur me punën e këtij komisioni, i pandehuri Buja sipas aktakuzës iu ka drejtuar “Neë Co Ferronikel Complex L.LC”, nga i cili ka kërkuar pagesën për punën e komisionit në shumës prej 21.500 euro, dhe atë në llogarinë e cila ka rezultuar të jetë e të pandehurit, Nebih Zeqiri.

    Tutje, Buja pretendohet se duke tejkaluar kompetencat zyrtare, në emër të Komunës së Lipjanit ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi më “Neë Co Ferronikel Complex L.LC”. Në bazë të këtij memorandumi siç thuhet në aktakuzë, Buja i ka dhënë me qira “Neë Co Ferronikel Complex L.LC” një objekt komunal në afat prej 10 vjet, me çmimin prej 1 euro, me të cilat veprime i ka shkaktuar dëm Komunës së Lipjanit.

    Në një rast tjetër, Prokuroria pretendon se të pandehurit Shukri Buja dhe Nebih Zeqiri, duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar, në kundërshtim me ligjin kanë nënshkruar marrëveshje për kompensimin e paligjshmërisë së eksproprijuar me “Neë Co Ferronikel Complex L.LC”, për parcelën me 0.94,75 ari. Me kërkesë të të pandehurve, mjetet nga kjo marrëveshje, në shumën prej 39.795 euro, janë paguar në llogarinë rrjedhëse të klubit futbollistik “Ulpiana”. Sipas prokurorisë, e njëjta procedurë dhe e njëjta mënyrë e eksproprijimit dhe shpronësimit të ngastrave tjera, është përdorur edhe në raste tjera, e të cilat mjete janë transferuar në llogarinë bankare të klubit futbollistik “Ulpiana”.

    Prokuroria i ngarkon të akuzuarit Shukri Buja, Nebih Zeqiri, Halit Gashi, në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan dhe Magbule Sadiku – zyrtare në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan, se në kundërshtim me dispozitat ligjore kanë nxjerrë urdhëresë për regjistrimin dhe bartjen e pronës në mënyrë të kundërligjshme, në emër të “Neë Co Ferronikel Complex L.LC”.

    I pandehuri Fahri Retkoceri, akuzohet për veprat penale “punime ndërtimore të kundërligjshme” dhe “dhënie e ryshfetit”. I pandehuri Retkoceri akuzohet se ka filluar ndërtimin e një objekti kolektiv-banesor, pa u pajisur me leje ndërtimi.

    I pandehuri Hasim Viseshella – në cilësinë e shefit të sektorit në Drejtorinë e Planifikimit dhe Urbanizmit dhe Mbrojtjen e Mjedisit në Komunën e Lipjanit dhe i pandehuri Edmond Rexhepi-Drejtor për Planifikim dhe Urbanizëm në komunën e Lipjanit, ngarkohen me veprat penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe “marrje e ryshfetit”, për faktin se kanë lëshuar leje ndërtimi për të pandehurin, Fahri Retkoceri.

    Të akuzuarit, Driton Avdiu dhe Burim Kodra, akuzohen për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Prokuroria, pretendon se dy të akuzuarit në cilësi të inspektorëve komunalë, me rastin e inspektimit në ndërtimin e objektit banesor nga i pandehuri, Fahri Retkoceri, nuk i kanë ndërmarrë masat për pezullim të punimeve.

    Ndërsa, i pandehuri Bajram Rizani – në cilësinë e drejtorit në Drejtorinë e Inspekcionit në Komunën e Lipjanit, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, duke qenë në dijeni se i pandehuri, Fahri Retkoceri, po ndërtonte objekt pa leje, nuk ka kërkuar nga vartësit e tij pezullimin e ndërtimit të objektit, me çka akuzohet për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Nga Rubrika
    Kronika22 Dhjetor 2024
    Katër persona janë përfshirë në një rrahje gjatë së shtunës në Ferizaj. Gjatë intervenimit të policisë, njëri nga të dyshuarit e ka...
    Kronika22 Dhjetor 2024
    Një sasi e drogës e dyshuar të jetë e llojit kokainë dhe një armë e zjarrit janë gjetur në një veturë të...
    Kronika22 Dhjetor 2024
    Një person është arrestuar mbrëmjen e së shtunës në Prishtinë, konkretisht në lagjen Vetërnik. I dyshuari derisa ka qenë duke lëvizuar me...
    Të tjera
    Bota/Rajoni22 Dhjetor 2024
    Prej shumë vitesh Irlanda njihet si një strehë e gjigandëve amerikanë të teknologjisë, duke ndërtuar qendra të shumta të dhënash që konsumojnë...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka zhvilluar takim me grupin parlamentar ‘Bllokun e Progresit’ i kryesuar nga shefi i...
    Bota/Rajoni22 Dhjetor 2024
    Një zyrtar gjerman ka thënë se policia ka pasur kontakte më parë me të dyshuarin e akuzuar për sulmin në një turmë...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Driloni ka refuzuar t’i përgjigjej një pyetjeje që i ka bërë Drenusha atij për Sarën. Ajo e pyeti nëse i pengon pëlqimi...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Raporti i tij me femrat, nxiti sërish diskutimin e Gresës, Xhenetës e Drenushës, me Drilonin e Xuxin. Driloni u tha se edhe...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Sara dhe Gjesti janë parë në një afrimitet miqësie mes vete ndërsa ndanin në diskutim disa tema. Ndër to qe edhe situata...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.