
Shtatë ushtarë janë vrarë në dy incidente të ndryshme në provincën Baloçistan, që shtrihet në pjesën jugperëndimore të Pakistanit.
Ushtria pakistaneze njoftoi të martën përmes një deklarate se gjashtë ushtarë u vranë dhe së paku katër të tjerë u plagosën, kur vetura me të cilën po udhëtonin ra në një bombë përderisa po patrullonin në zonën e quajtur Bolan.
Shefi i administratës lokale, Murad Kasi, tha se ushtarët e plagosur në këtë shpërthim janë dërguar përmes helikopterit në një spital të kryeqytetit provincial, Quetta. Në një incident tjetër, një ushtar u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me militantët në distriktin Kech të së njëjtës provincë, bëri të ditur zyra për informim e ushtrisë pakistaneze.
Deri më tani, asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për ndonjërin prej sulmeve, shkruan “Free Europe”.
Sulmet ndaj forcave pakistaneze të sigurisë në zonat kufitare me Afganistanin dhe Iranin janë shtuar muajve të fundit.
Gjashtë ushtarë pakistanezë u vranë nga një sulm me bombë në Baloçistan, afër kufirit me Iranin, më 8 maj.