Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton se sot, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, së bashku me Drejtorin Ekzekutiv të Institutit për Siguri dhe Reziliencë, Skender Perteshi, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi.
Sipas njoftimit kjo marrëveshje synon formulimin e një bashkëpunimi të ngushtë në implementimin e projekteve të përbashkëta hulumtuese dhe avokuese, si dhe në organizimin e trajnimeve të përbashkëta.
“Qëllimi i marrëveshjes është ngritja e kapaciteteve të SHKK-së për të ofruar shërbime më të mira në trajtimin e të burgosurve. Bashkëpunimi përfshin organizimin e konferencave, trajnimeve, aktiviteteve avokuese, si dhe organizimin e aktiviteteve të SHKK-së me komunitetin. Po ashtu, marrëveshja përfshin ndërmarrjen e punëve vullnetare dhe fushatave avokuese”, thuhet në njoftim.
Marrëveshja synon gjithashtu shfrytëzimin e ekspertizës dhe burimeve të secilës palë për të krijuar një komunitet më të sigurt, më të qëndrueshëm dhe të fuqizuar, duke forcuar kohezionin shoqëror, mbrojtjen e komunitetit dhe rritjen e bashkëpunimit ndërmjet SHKK-së, komunitetit dhe sektorit të shoqërisë civile.