Shitësi Abdurrahman Memaj, i cili u lëndua nga shpërthimi i mjeteve piroteknike në Prizren në natën e ndërrimit të motmoteve, u dërgua me transport emergjent në Turqi. Për dëmet e shkaktuara në lokalet përreth, komisioni pritet të bëjë vlerësimin e dëmeve.
Shpërthimi i mjeteve piroteknike në natën e ndërrimit të motmoteve la pasoja të rënda për Abdurrahman Memaj.
Shitësi i cili atëkohë po qëndronte në Bazhderhane në Prizren, u përfshi nga zjarri.
E si pasojë, ka mbi një javë që gjendja e tij vazhdon të jetë e rëndë.
Prandaj për trajtim, 25-vjeçari tashmë ndodhet në Qendrën Hulumtuese Spitalore për djegie të thella në Stamboll të Turqisë.
“Bashkësia Islame e Kosovës në bashkëpunim me Ambasadën e Turqisë në Prishtinë, kanë siguruar trajtimin mjekësor dhe transportin emergjent me aeroplan special të Abdurrahman Memajt, i cili ditë më parë u lëndua rëndë nga shpërthimi i fishekzjarrëve në Prizren”.
Ndërsa nga shpërthimi i 31 dhjetorit, dëme të mëdha u shkaktuan edhe në lokalet e vendbanimet në rrugën “Ahmet Prishtina”.
“Komisioni për vlerësimin e dëmeve të shkatuara nga incidenti me mjete piroteknike në lagjen “Bazhdarhane” ishte sot në vendin e ngjarjes për t’i informuar banorët e dëmtuar se duhen, në afat prej 7 ditësh sipas ligjit, të parashtrojnë kërkesë në Drejtorinë e Emergjencave dhe Sigurisë për dëmet që u janë shkaktuar”, kanë thënë nga Komuna e Prizrenit.
E pasi parashtroi kërkesën, pronari i këtij lokali, Enis Dana po pret Komisionin për të bërë vlerësimin e dëmeve.
Në natën e 31 dhjetorit, nga mjetet piroteknike në Kosovë mbetën të lënduar 24 persona.