Forcat iraniane konfiskuan për një kohë të shkurtë një anije-cisternë që mbante flamurin e Liberisë, pranë Ngushticës së Hormuzit, tha Komanda Qendrore e Ushtrisë amerikane (CENTCOM).
CENTCOM publikoi një video – bardh e zi – ku tregohej se si forcat speciale zbrisnin shpejt nga një helikopter në anijën-cisternë, pozicioni i fundit i së cilës dukej se ishte jashtë bregdetit lindor të Emirateve të Bashkuara Arabe afër qytetit të Khorfakkan.
Anija ishte mbajtur nga marina iraniane për rreth pesë orë para se të lëshohej më 12 gusht, tha një zyrtar ushtarak amerikan për Associated Press në kushte anonimiteti.
Nga anija nuk ishte bërë thirrje alarmi para, gjatë dhe pas kapjes së saj, tha zyrtari.
Zyrtarët ushtarakë amerikanë nuk ofruan asnjë arsye pse Irani konfiskoi anijen.
Tensionet midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë përshkallëzuar qëkur Uashingtoni më 2018 u tërhoq nga një marrëveshje ndërkombëtare bërthamore midis Teheranit dhe fuqive botërore dhe vendosi sanksione të ashpra.
SHBA-ja thotë se Irani është sponsorizuesi më i madh i terrorizmit në botë dhe se nuk do ta lejojë asnjëherë të posedojë armë bërthamore. /REL