×
  • Opinione
  • Opinione

    SHBA-ja ka nevojë për një qasje të re në politikën e jashtme

    Jeffrey D. Sachs
    25 Maj 2023

    Shkruan: Jeffrey D. Sachs

    Rreziqet e politikës së jashtme amerikane shtrihen përtej Kinës. Qëllimi i SHBA-së për të zgjeruar NATO-n në Ukrainë dhe Gjeorgji, duke e rrethuar Rusinë në Detin e Zi, ndihmoi në nxitjen e Luftës së Ukrainës. Shumë vende e shohin të rrezikshme këtë qasje. Kombet e mëdha, nga Brazili tek India, dhe më gjerë synojnë një botë shumë–polare. Të gjitha shtetet anëtare të OKB-së duhet të ri–angazhohen ndaj Kartës së OKB-së dhe të kundërshtojnë pretendimet për dominim nga çdo lloj kombi mbi të tjerët.

    Politika e jashtme e Shteteve të Bashkuara, bazohet tek një kontradiktë e natyrshme por edhe një e metë fatale. Synimi i politikës së jashtme të SHBA-së, është një botë e dominuar nga SHBA, në të cilën kjo e fundit shkruan rregullat globale të tregtisë dhe ato financiare, kontrollon teknologjitë e avancuara, e ruan supremacinë ushtarake dhe dominon mbi të gjithë konkurrentët e mundshëm.

    Në rast se politika e jashtme e Amerikës nuk ndryshon me synim njohjen e nevojës për një botë shumë–polare, kjo do të çojë në më shumë luftëra, dhe ndoshta edhe në Luftën e Tretë Botërore. Kontradikta e natyrshme në politikën e jashtme të SHBA-së, është se ajo bie ndesh me Kartën e OKB-së, e cila angazhon SHBA-në (dhe të gjitha shtetet e tjera anëtare të OKB-së) ndaj një sistemi global të bazuar në institucionet e OKB-së, në të cilin nuk dominon asnjë vend i veçantë.

    E meta fatale, është se në SHBA jeton vetëm 4 për qind të popullsisë së botës, dhe se asaj i mungojnë kapacitetet ekonomike, financiare, ushtarake dhe teknologjike, dhe aq më pak pretendimet etike dhe ligjore, për të dominuar 96 për qind të pjesës tjetër.

    Në fundin e Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara ishin shumë më superiore se sa pjesa tjetër e botës në aspektin e fuqisë ekonomike, teknologjike dhe ushtarake. Tani gjërat nuk janë më kështu, pasi shumë vende kanë ndërtuar ekonomitë dhe kapacitetet e tyre teknologjike.

    Presidenti francez Emmanuel Macron, tha kohët e fundit të vërtetën kur deklaroi se Bashkimi Evropian, edhe pse një aleat i SHBA-së, nuk dëshiron që të jetë një vasal i Amerikës. Ai u sulmua gjerësisht në SHBA dhe Evropë për këtë deklaratë, sepse shumë politikanë mediokër në Evropë varen nga mbështetja politike e SHBA-së për të mbetur në pushtet.

    Në vitin 2015, ambasadori i SHBA-së Robert Blackwill, një strateg i rëndësishëm i politikës së jashtme amerikane, përshkroi me një qartësi të jashtëzakonshme strategjinë e madhe të Uashingtonit. Ai shkroi ndër të tjera: Që nga themelimi i tyre, Shtetet e Bashkuara kanë ndjekur vazhdimisht një strategji të madhe të përqendruar tek marrja dhe ruajtja e pushtetit dominant mbi rivalët e ndryshëm, fillimisht në kontinentin e Amerikës së Veriut, më pas në Hemisferën Perëndimore dhe më në fund globalisht.

    Në këtë kuadër ai argumentoi se “ruajtja e lidershipit të SHBA-së në sistemin global duhet të mbetet objektivi qendror i strategjisë së saj të madhe në shekullin XXI”. Për të mbështetur dominimin e SHBA-së në garën me Kinës, Blackwill parashtroi një plan që po ndiqet aktualisht nga presidenti Joe Biden.

    Ndër masat e tjera, Blackwill rekomandoi që Shteteve të Bashkuara të nënshkruajnë “marrëveshje të reja preferenciale tregtare midis miqve dhe aleatëve të tyre për të rritur përfitimet e tyre të ndërsjella përmes instrumenteve që përjashtojnë me vetëdije Kinën”.

    Kjo duhet të arrihet përmes “një regjimi kontrolli teknologjik” për të bllokuar aftësitë strategjike të Kinës, dhe ngritjen e “kapaciteteve politike të miqve dhe aleatëve të SHBA-së në periferi të Kinës”, si dhe përmes forcimit të pozitës ushtarake amerikane përgjatë bregut aziatik, pavarësisht nga çdo lloj kundërshtim kinez.

    Kina do të jetë një kërcënim për SHBA-në, vetëm në masën që kjo e fundit e bën Kinën armike. Armiqësia e SHBA-së ndaj Kinës, e cila përzien synimin arrogant të SHBA-së për dominim me racizmin afatgjatë anti-kinez, po e krijon këtë armik.

    Shumica e politikanëve amerikanë dhe shumë të tjerë në Britani, BE, Japoni, Kore, Australi dhe Zelandën e Re, e mbështesin qasjen agresive të Shteteve të Bashkuara. Unë jo, pasi e shoh qasjen e SHBA-së ndaj Kinës si në kundërshtim me Kartën e OKB-së dhe paqen.

    Kina ka të drejtën e prosperitetit dhe të sigurisë së saj kombëtare. Ajo duhet të jetë e lirë nga provokimet e SHBA-së rreth kufijve të saj. Arritjet e jashtëzakonshme ekonomike të Kinës që nga fundi i viteve 1970 janë mbresëlënëse si për Kinën po ashtu edhe për botën.

    Përgjatë shekullit të gjatë, ndër vitet 1839-1949, Kina u zhyt në një varfëri ekstreme në një periudhë të shënuar nga pushtimet evropiane dhe japoneze të Kinës dhe luftërat civile. Britania e pushtoi në vitin 1839 për ta detyruar Kinën të blinte opiumin. Fuqi të tjera e sfiduan gjatë shekullit që pasoi. Kina e ka marrë më në fund veten nga ajo periudhë katastrofike, dhe në këtë proces i dha fund varfërisë së rreth 1 miliardë njerëzve!

    Prosperiteti i ri i Kinës mund të jetë paqësor dhe produktiv për botën. Teknologjitë e suksesshme të Kinës – duke nisur nga kurat jetike të malaries deri tek energjia diellore me kosto të ulët dhe rrjetet efikase 5G – mund të jenë një ndihmë e madhe për botën.

    Rreziqet e politikës së jashtme amerikane shtrihen përtej Kinës. Qëllimi i SHBA-së për të zgjeruar NATO-n në Ukrainë dhe Gjeorgji, duke e rrethuar Rusinë në Detin e Zi, ndihmoi në nxitjen e Luftës së Ukrainës. Shumë vende e shohin të rrezikshme këtë qasje. Kombet e mëdha, nga Brazili tek India, dhe më gjerë synojnë një botë shumë–polare. Të gjitha shtetet anëtare të OKB-së duhet të ri–angazhohen ndaj Kartës së OKB-së dhe të kundërshtojnë pretendimet për dominim nga çdo lloj kombi mbi të tjerët.

    Shënim: Jeffrey D.Sachs, profesor dhe drejtor i Qendrës për Zhvillim të Qëndrueshëm në Universitetin e Kolumbias në Nju Jork, si dhe president i Rrjetit të Zgjidhjeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së.

    Nga Rubrika
    Opinione09 Janar 2025
    Shkruan: Christiaan Alting Von Geusau Duket se arritja legjislative më e spikatur e Bashkimit Europian në vitin 2024 ka qenë detyrimi që...
    Opinione08 Janar 2025
    Kushtëzimi i certifikimit të Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet dhe institucionet e Kosovës me njohjen e shtetit, simboleve dhe dokumenteve të...
    Opinione07 Janar 2025
    Nga Adri Nurellari  Vendimi për të ndaluar “TikTok”-un në Shqipëri është një shfaqje e ludite e ngutshme dhe e cekët, që shmang...
    Të tjera
    Vip09 Janar 2025
    Artistja e njohur, Rina Balaj ka publikuar një fotografi me ish-reperin Fero. Ajo këtij imazhi ia ka bashkëngjitur edhe një mbishkrim të...
    Bota/Rajoni09 Janar 2025
    Dy persona kanë përfunduar në spital pas një sherri të ndodhur në rrugën “Ndre Mjeda” në Tiranë. Policia ka njoftuar se një...
    Sport09 Janar 2025
    Rezistuan deri në minutën e 63-të. Vedat Muriqi me shokë nuk patën më shumë forcë për ta përballuar Real Madridin. Këta të...
    Lajme09 Janar 2025
    Nesër do të jetë dita e fundit e legjislaturës së 8-të në Kuvendin e Kosovës, e rrjedhimisht të premten do të shpërndahet...
    Vip09 Janar 2025
    A mendon se publiku të ka marrë inat për nominimin e Drilonit me Gjesti? Ishte pyetja e parë për Leo-n  në darkën...
    Bota/Rajoni09 Janar 2025
    Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar se arsyeja e vetme pse nuk ka shkuar të takojë Ilir Metën në burg...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.