Pavarësisht që nga liderët institucional në vend vazhdimisht është pohuar se liberalizimi i vizave është agjendë e rëndësishme shtetërore, për të njëjtën nuk është punuar edhe aq shumë.
Të paktën kështu po thonë njohësit e integrimeve, të cilët po potencojnë që ka pasur mungesë të vullnetit politik për këtë çështje.
“Mungesa e vullnetit politik për liberalizim të vizave. Kosova ka pasur momentumin pozitiv për liberalizimin e vizave në vitin 2016, sidoqoftë sot çështja e hapjes së kufijve është çështje me implikime të shumta politike brenda disa vendeve anëtare të BE-së”, ka thënë për Front Online, Demush Shasha nga Instituti Epik.
E pengesë sipas tij është edhe mungesa e progresit në dialogun Kosovë-Serbi.
“Ngecjet në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Mungesa e progresit në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është një pengese indirekte pasi qe vendet anëtare të BE-së e shohin bashkëpunimin rajonal si parakusht themelor në kuadër të gjitha proceseve integruese, përfshire edhe liberalizimin e vizave”, ka theksuar Shasha.
Poashtu sipas tij për të ardhur më lehtë deri tek heqja e vizave për qytetarët, Kosova duhet që të shënojë progres edhe në dialogun Kosovë-Serbi.
“Progres në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve. Që nga publikimi i Strategjisë së Zgjerimit në shkurt 2018, BE-ja ka nënvizuar se: “Marrëveshja gjithëpërfshirëse ligjërisht e obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve është urgjente në mënyrë që Serbia dhe Kosova të avancojnë rrugën e tyre Evropiane.” Së fundi, BE-ja ka emëruar Përfaqësuesin e Posaçëm për Dialogun Beograd – Prishtinë detyra e të cilit është të arrij normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë përmes marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme e cila adreson të gjitha çështjet e hapura në mes të palëve dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe stabilitetin rajonal”, ka theksuar Shasha./Front Online
Çfarë po e pengon liberalizimin e vizave? Flet drejtori i EPIK-ut