Deputeti i PDK-së, njëherit kryetar i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala thotë për Front Online, se shuma e vogël që është përdorë për shpenzime kapitale nga kjo Qeveri është vërtetë shqetësuese.
“Mosshpenzimi i investimeve kapitale paraqet një shkallë të lartë të rrezikut zingjiror në gjithë sektorët tjerë pastaj edhe tek pjesa e atyre objekteve kapitale që kanë mbetë pa u realizua, por mbi të gjitha efektet tjera janë edhe tek ekonomia tjetër varëse, logjistike, ndërtimore si dhe mungesa e parasë në terren në pjesën e investimeve kapitale që do të reflektojë tek ndërmarrësit e sektorit privat, pra mjete këto të cilat Qeveria i mban në konto të saj kanë qenë të planifikuar dhe të dedikuara për zhvillime, për investime kapitale që direkt dhe indirekt do të ndihmonin shumë edhe sektorin privat, veçanërisht sektorin privat si pjesë e implementimit dhe zbatimit të projekteve”, është shprehur Shala, për Front Online.
Sipas tij, ky është alarm ekonomik.
“Kjo nënkupton që ne po futemi në një situatë të paqenë ndonjëherë në historinë e shtetit të Kosovës, në fushën ekonomike-sociale sepse kjo është paaftësi totale dhe alarm ekonomik”, ka thënë ai.
Shala, thotë se me këtë qasje të Qeverisë, Kosova po humb miliona euro dhe po e shkatërron sektorin privat.
“Kur, ia shtojmë kësaj edhe shkallën e lartë të inflacionit që është zyrtarisht 14.2 por në disa sektorë shkon deri në 22% do të thotë situata është ende më kritike pikërisht për faktin se mjetet që po rrijnë në konto të Qeverisë pa asnjë arsye po i nënshtrohen një devalvimi të skajshëm dhe sot ne po humbim miliona e qindra miliona euro, sot ne po falimentojmë shumë kompani biznesore dhe po e shkatërrojmë sektorin privat dhe çka është më e keqja Qeveria nuk e vërën këtë dhe vazhdon të subvencionojë sektorin publik, duke e lënë jashtë çdo konteksti logjik dhe ekonomik sektorin privat”, ka deklaruar kryetari Shala./Front Online
Alarm ekonomik/ Shteti i ka 600 milionë € të gatshme, investime kapitale veç 79 milionë €