×
  • Lajme
  • Lajme

    Shala: Përveç ndryshimit të Kushtetutës, Qeveria Kurti mund të bëjë çfarë të dojë

    FrontOnline
    05 Prill 2021

    Opinionisti Blerim Shala ka thënë se 4 prilli i vitit 2021, në historinë e demokracisë parlamentare të Kosovës, do të shënohet si ditë kur një lider politik (Albin Kurti), dhe një parti politike (Lëvizja ‘Vetëvendosje’), arritën të vendosin pushtetin absolut politik në Kosovë.

    Shala ka shtuar se me përjashtim të ndryshimit të Kushtetutës së Kosovës, pushteti i ri në vend, realisht, mund të bëjë çfarë të dojë në politikën kosovare.

    “Zgjedhja e Vjosa Osmanit si Presidente e Republikës së Kosovës, me votën e 71 deputetëve në Kuvend, (në mesin e të cilëve janë gjetur edhe deputetë të opozitës parlamentare), të dielën e Pashkëve, rrumbullakësoi fitoren zgjedhore të 14 shkurtit të Lëvizjes ‘Vetëvendosje’. Tani, tri postet kryesore në Kosovë, ai i Presidentit, Kryeministrit dhe Kryetarit të Kuvendit, i takojnë një entiteti të vetëm zgjedhor, apo Listës së ‘Vetëvendosjes’ (koalicionit të Partisë së Albin Kurtit dhe Nismës qytetare të Vjosa Osmanit)”.

    “Me përjashtim të ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pushteti i ri në vend, realisht, mund të bëjë çfarë të dojë në politikën kosovare, mund ta reformojë thelbësisht legjislacionin në Kosovë (nëse nuk preken parimet themelore të Kushtetutës), dhe mund ta sendërtojë pa kurrfarë problemi dhe rezistence opozitare Agjendën e vete politike, në katër vitet e mandatit të vet, i cili mund të kontestohet, në aspektin kohor dhe politik, vetëm nëse vet Albin Kurti vendos të shkojë në zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare”.

    Sipas tij, ky do të jetë një test i ri, i madh, i pashoq, për demokracinë kosovare, për skenën politike të vendit, për shtetin e Kosovës, për të gjithë ne.

    Më poshtë mund ta lexoni shkrimin e plotë të Blerim Shalës:

    4 prilli i vitit 2021, në historinë e demokracisë parlamentare të Kosovës, do të shënohet si  ditë kur një lider politik (Albin Kurti), dhe një parti politike (Lëvizja ‘Vetëvendosje’),  arritën të vendosin pushtetin absolut politik në Kosovë.

    Zgjedhja e Vjosa Osmanit si Presidente e Republikës së Kosovës, me votën e 71 deputetëve  në Kuvend, (në mesin e të cilëve janë gjetur edhe deputetë të opozitës parlamentare), të  dielën e Pashkëve, rrumbullakësoi fitoren zgjedhore të 14 shkurtit të Lëvizjes  ‘Vetëvendosje’. Tani, tri postet kryesore në Kosovë, ai i Presidentit, Kryeministrit dhe  Kryetarit të Kuvendit, i takojnë një entiteti të vetëm zgjedhor, apo Listës së  ‘Vetëvendosjes’ (koalicionit të Partisë së Albin Kurtit dhe Nismës qytetare të Vjosa  Osmanit).

    Me përjashtim të ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pushteti i ri në vend,  realisht, mund të bëjë çfarë të dojë në politikën kosovare, mund ta reformojë thelbësisht  legjislacionin në Kosovë (nëse nuk preken parimet themelore të Kushtetutës), dhe mund  ta sendërtojë pa kurfarë problemi dhe rezistence opozitare Agjendën e vete politike, në  katër vitet e mandatit të vet, i cili mund të kontestohet, në aspektin kohor dhe politik, vetëm  nëse vet Albin Kurti vendos të shkojë në zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare.

    Këtë do të mund ta bëjë ai nëse vlerëson që në zgjedhjet e reja do të mund të fitojë edhe  më shumë mandate se sa që arriti me 14 shkurt (2021).

    Albin Kurti shfrytëzoi procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të Kosovës, jo vetëm ta  konsolidojë pushtetin e tij, por madje, edhe ta shtojë dhe ta forcojë ate. Para nisjes së  procedurës së zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit, ai i kishte 58 deputetë, teksa opozita  parlamentare i kishte 42 deputetë. Tani, opozita i ka humbur dy deputetë (një PDK dhe një  AAK, PDK ka ra në 18 deputetë, AAK në 7 deputetë), teksa ‘Vetëvendosje’ do t’i ketë 59  ose 60 deputetë në radhët e veta. Në anën tjetër, Lumir Abdixhiku dhe Grupi Parlamentar  i LDK-së, u vetë-detyruan të ofrojnë atë përkrahjen vendimtare për zgjedhjen e Vjosa  Osmanit Presidente të Kosovës, gjë që do të mund të reflektohet në zhvillimet e mëpasme  brenda partisë më të vjetër në vend.

    Opozita parlamentare, e cila pra doli nga kjo zgjedhja e Presidentit të ri të Kosovës edhe  më e dobët se sa që ishte, edhe më e përçarë se sa që ishte, e humbi një tjetër betejë politike  me Albin Kurtin, sërish në mënyrë të plotë, bindëse, realisht, pa bërë fare luftë politike, pa  u përpjekur që ta ushtrojë atë mandatin e vet opozitar në Kuvendin e Kosovës.

    Nuk duhet të kesh dije të madhe politike, për ta ditur që asnjëra prej tri partive opozitare  në Kuvendin e Kosovës (PDK, LDK dhe AAK), nuk ka qenë e interesuar të ketë zgjedhje  të reja parlamentare në vend, si pasojë e dështimit të zgjedhjes së Presidentit të ri të  Kosovës.

    Këtë fakt e ka ditur shumë mirë Albin Kurti, prandaj opozita parlamentare nuk ka pasur,  në këtë aspekt, fare hapësirë të manovrimit politik.

    Pasiqë PDK dhe AAK dolën herët me qëndrimin që deputetët e tyre nuk do të marrin pjesë  në Seancën e Kuvendit kur do të jetë në rend të ditës zgjedhja e Presidentit, LDK vendosi

    1

    ta bëjë të kundërtën, por duke aplikuar atë modelin e ‘fletëvotave të bardha’ (abstenimeve),  duke mos votuar formalisht për Osmanin, teksa Quorumi për zgjedhjen e saj, bënte që LDK  realisht, ta mundësonte zgjedhjen e saj Presidente të Kosovës.

    Po çfarë ka mundur të bëjë opozita parlamentare në këtë Kuvend? A ka mundur të veprojë  ndryshe kjo opozitë?

    PDK, LDK dhe AAK, do të bënin shumë më mirë, poqëse do ta nominonin një kandidat të  përbashkët për President të Kosovës, qoftë edhe nëse ai/ ajo do të ishte një figurë publike  që nuk ka lidhje fare me asnjërin prej subjekteve opozitare.

    Në atë rast, së pari, do të ri-vendosej ajo kultura politike që të gjithë deputetët e Kuvendit  të Kosovës duhet të marrin pjesë në votimin për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.  Kjo kulturë fillimisht u prish në mënyrë paqësore, të heshtur, në muajin shkurt të vitit 2011, kur deputetët opozitarë nuk ishin në sallë kur Behxhet Pacolli u zgjodh President i Kosovës. Herën tjetër, kur Hashim Thaçi u zgjodh President i Kosovës, në muajin shkurt të vitit  2016, kjo kulturë u godit në mënyrën më të vrazhdë të mundshme, me gaz lotësjellës dhe  me dhunën e gjithëfarshme të ushtruar nga opozita e atëhershme parlamentare. Poqëse pra kësaj here, do të ri-vendosej ai ‘Rregulli’ parlamentar i pjesëmarrjes në  zgjedhjen e Presidentit, me gjasë, do të evitoheshin, në të ardhmen, problemet e  pashmangshme politike që kanë të bëjnë me këtë proces.

    Së dyti, nëse partitë opozitare do të gjenin një kandidat të denjë për President të vendit, me  siguri, gara për të Parin e Republikës së Kosovës, do të ishte shumë më interesante, dhe si  e tillë, do të ishte një kontribut për cilësinë e politikës kosovare.

    Së treti, po ta bënin këtë gjë PDK, LDK dhe AAK, ato do ta ruanin homogjenitetin e  brendshëm partiak, dhe për më shumë, në rastin e PDK-së dhe AAK-së, nuk do të ndodhte  zvogëlimi i Grupeve parlamentare.

    Së katërti, ky bashkëpunimi fillestar opozitar në procesin e zgjedhjes së Presidentit të  Kosovës, do t’i krijonte rrethanat më të volitshme për krijimin e një partneriteti opozitar i  cili edhe ashtu duket se është i domosdoshëm në përballjen me një pushtet shumë të fortë  të Albin Kurtit dhe të Lëvizjes ‘Vetëvendosje’.

    Por, opozita parlamentare vendosi veç e veç se si do të sillet në ballafaqimin me këtë sprovë  politike, gjë që vetëm sa ia ka lehtësuar punën Albin Kurtit që ta fitojë edhe një herë, në  mënyrën më brutale të mundshme, betejën politike me subjektet tradicionale politike të  vendit.

    Nëse këto parti mendojnë që së paku kanë dalë fituese me Kryeministrin Kurtin kur bëhet  fjalë për miratimin e ndryshimit të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë (i cili u  tërhoq nga procedura, për shkaqe të njohura), ato e kanë shumë gabim. Këtë Ligj, herët apo  vonë, kur t’i konvenon Kryeministrit të Kosovës, ai do ta sjell në Kuvend dhe do ta kalojë  pa kurfarë problemi.

    Ishte pra kjo një fitore e Pirros e opozitës parlamentare.

    Çfarë do të ndodhë tash e tutje në politikën e vendit, pas krijimit të këtij pushteti absolut  në Kosovë, këtë do ta shohim të gjithë së bashku.

    Në çdo variant, sidoqoftë, ky do të jetë një test i ri, i madh, i pashoq, për demokracinë  kosovare, për skenën politike të vendit, për shtetin e Kosovës, për të gjithë ne.

    2

    Ata që do ta kalojnë këtë test, do të mund pastaj ta ofrojnë rrëfimin e tyre se si ia dolën. Në  fund.

    1 abonim, 3 paisje, 240 kanale shqip – NimiTV në gjithë Evropën për vetëm 99.90€ për 12 muaj
    Nga Rubrika
    Lajme12 Tetor 2024
    Autoritetet e Serbisë sot e kanë ndaluar një pjesëtar të Policisë së Kosovës në pikën kufitare në Merdarë. Sipas informacioneve të para,...
    Lajme12 Tetor 2024
    Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Millun Zogoviq, ka thënë se Kosova është krahinë jugore e Serbisë. Në televizionin “Aplus” të Malit të...
    Lajme12 Tetor 2024
    Olimpiada Matematike për Vajza (EGMO 2025) për herë të parë do të mbahet në Kosovë. E për këtë, ministrja e Arsimit, Arbërie...
    Të tjera
    Lajme12 Tetor 2024
    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se letra e Gjeneralit Bashkim Jashari dërguar Ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, lidhur me shqetësimet...
    Lajme12 Tetor 2024
    Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berat Rukiqi, i ka reaguar Ministrit të Financave, Hekuran Muratit për postimin që bëri lidhur me...
    Lajme12 Tetor 2024
    Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në Elbasan dhe Korçë ka pezulluar nga detyra katër zyrtarë të policisë së Peqinit. Kjo masë është marrë...
    Lajme12 Tetor 2024
    Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi ka reaguar pas problemeve në FSK me ushqimin e ushtarëve. Bytyqi përmes një...
    Bota/Rajoni12 Tetor 2024
    Admirali i Marinës së ShBA-së Stuart B. Munsch, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli – e cila mbikëqyr...
    Lajme12 Tetor 2024
    Kryeministri Albin Kurti, bashkë me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, janë mirëseardhur në Mynih të Gjermanisë, me pritje...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.