×
  • Opinione
  • Opinione

    Sfidat e BE-së në vitin e ri 2025

    FrontOnline
    02 Janar 2025

    Ekipi i sapozgjedhur i BE në Bruksel në 2024 ka shumë për të bërë. Si mund të arrihet kjo pa një tandem të fortë Gjermani-Francë tani në 2025? Një vështrim nga Bernd Riegert.

    Një Ukrainë e pambrojtur, një Rusi luftarake dhe një Donald Trump narcist: këto mbeten sfidat më të mëdha për Bashkimin Evropian në vitin e ardhshëm. Këtyre i shtohen problemet e brendshme si ekonomia e plogësht, nivelet e larta të borxhit dhe mundësia e kufizuar për veprim në dy shtetet më të mëdha anëtare, Gjermani dhe Francë. Pra, perspektivat nuk janë rozë. Çfarë do të vijë më pas për ekipin e ri në Bruksel? Presidenti i Këshillit të BE Antonio Costa dhe përfaqësuesja e Punëve të Jashtme të BE Kaja Kallas janë në detyrë që nga 1 dhjetori. Ka mbetur Ursula von der Leyen, por edhe Komisioni i saj i BE është riorganizuar tërësisht. Ekipi i ri është gjithsesi një shans, mendon Steven Everts nga Instituti Evropian për Studime të Sigurisë në Paris: “Ky është momenti, në të cilin ne mund t rimendojmë politikën e jashtme të BE, ta përshtasim dhe ta ringjallim atë”.

    1. Ndihma për Ukrainën
    Ndihmat financiare dhe ushtarake për Ukrainën, që është sulmuar nga Rusia, kryesojnë listën e detyrave urgjente. Vitin e ardhshëm BE do të transferojë çdo muaj 1.5 miliardë euro nga buxheti i tij i përbashkët në arkën e shtetit në Kiev. Përveç kësaj ka një kredi prej 50 miliardë eurosh nga G7 për Ukrainën, e cila do të ushqehet me fitime nga asetet e ngrira ruse. Përveç kësaj sasi të mëdha municionesh dhe armësh do të duhet të financohen nga shtetet evropiane për të ndihmuar Ukrainën, një kandidate për anëtarësim në BE. Llogaria mund të zgjerohet më shumë, nëse presidenti i ri i SHBA, Donald Trump, i vë në jetë kërcënimet e tij dhe shkurton ose anulon plotësisht ndihmën e deritanishme bujare nga SHBA për Ukrainën. Deri tani SHBA ka financuar pothuajse gjysmën e ndihmës së Ukrainës. Në Bruksel ka spekulime të forta, se sa para do të duheshin, bëjnë të ditur diplomatët e BE. Askush nuk e di saktësisht, se çfarë do të ndodhë në 2025. “Ne thjesht do të presim dhe do të shohim. Ne nuk jemi vërtet të përgatitur për Trumpin”, tha një diplomat i BE pas dyerve të mbyllura.

    2. Armatosja
    Përveç Ukrainës BE në vitin 2025 do të fokusohet te mbrojtja e vet kundër Rusisë. Për herë të parë ka një komisioner të BE për sektorin e ri të mbrojtjes dhe hapësirës. Andris Kubilius nuk do të krijojë një ushtri evropiane, por do të koordinojë më mirë politikat e armatimit dhe furnizimit të anëtarëve të BE. Buxhetet në shumë shtete anëtare janë shumë të vogla, për të blerë shpejt armë të reja ose për të vënë në dispozicion më shumë ushtarë.

    Presioni mund të rritet, nëse presidenti amerikan Donald Trump vendos të shkurtojë shpenzimet evropiane të mbrojtjes dhe të kërkojë më shumë kontribute nga evropianët. Se nga do të vijnë miliardat e shumtë për ushtrinë, është një mister për shumë politikanë të BE. Vetëm në Gjermani buxhetit të mbrojtjes i mungojnë 230 miliardë euro në një periudhë afatmesme, vlerëson instituti i kërkimeve ekonomike IFO në Mynih. Në Itali janë 120 miliardë, në Spanjë 80 miliardë. Ideja e disa shteteve për të financuar shpenzimet ushtarake përmes borxhit shtesë të përbashkët të BE u frenua menjëherë nga ministri i ri gjerman i Financave Jërg Kukies (SPD).

    3. Menaxhimi i borxheve
    Borxhet! Në vitin 2025 duhet të financohen jo vetëm shpenzimet e reja ushtarake, por edhe investime në ristrukturimin të ekonomisë në favor të klimës, investime në mbështetje të ekonomisë dhe për rindërtimin në Gaza, Liban dhe Siri. Në një raport dramatik për aftësinë konkurruese të ekonomisë së BE ish-presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi, flet për nevojën për investime prej 800 miliardë eurosh.

    Italiani Draghi rekomandon borxh të përbashkët për financimin fillestar, për të përfshirë edhe investitorët privatë. Franca dhe Italia përballen tashmë me procedurën e deficitit të Bashkimit Evropian. Spanja mund t`u bashkohej së shpejti. Megjithëse Gjermania qëndron nën kufirin e borxhit të BE, për shkak të zgjedhjeve të reja ajo nuk mund të veprojë plotësisht në aspektin e politikës fiskale. Një ministër i ri i financave nuk do të paraqesë buxhetin federal për vitin 2025 para korrikut ose shtatorit. Negociatat për kornizën e re financiare të BE do të vonohen nga formimi i qeverisë në Gjermani.

    4. Të pengohet lufta tregtare
    Për sa i përket politikës tregtare, viti 2025 ka të ngjarë të jetë një vit mjaft i vështirë. Me Kinën po nis një luftë tregtare për makinat elektrike. Me SHBA mund të ketë një konflikt dramatik lidhur me tarifat ndëshkuese, që Donald Trump dëshiron t`i vendosë Evropës, Kinës, Meksikës dhe Kanadasë. Komisioneri i BE për Çështjet Ekonomike, Valdis Dombrovskis, dëshiron t’u bëjë të qartë këshilltarëve të presidentit të ri të SHBA, se me tarifat ata dëmtojnë veten. “Një luftë tregtare nuk i ndihmon askujt. Tumpit duhet t’i prezantohen shifrat. Një fragmentim i tregtisë botërore nuk i sjell dobi askujt. Tarifat do të shkatërronin shtatë për qind të prodhimit ekonomik global. Kjo do të ishte si në vitet 1930, kur izolacionizmi ishte shumë në modë”, tha Dombrovskis, duke iu referuar krizës ekonomike globale të atyre viteve dhe ngritjes së nacionalsocializmit në Gjermani. Një farë shprese jep marrëveshja tregtare e sapo nënshkruar me Grupin Mercosur në Amerikën e Jugut. Por BE duhet ta miratojë atë brenda radhëve të saj vitin e ardhshëm.

    5. Të ruhet uniteti
    Me pak optimizëm e sheh vitin e ri eksperti i BE Janis Emmanouilidis nga grupi i ekspertëve “European Policy Center” (EPC). “BE ka qenë gjithmonë garantues i kompromiseve. Këtë aftësi ai e ka humbur”, tha Janis Emmanouilidis në një aktivitet në Bruksel në fillim të dhjetorit, duke pasur parasysh sfidat e politikës së jashtme dhe ushtarake, të cilat në Gjermani u përshkruan me shprehjen e kancelarit “pika e kthesës”. “BE nuk është më përgjigja për shumë gjëra. Politika është bërë më nacionaliste.” Shumë njerëz përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor, që dëshirojnë të anëtarësohen, kanë humbur shpresën se BE do t’i përmbushë dikur vërtetë premtimet e saj, tha eksperti i BE Emmanouilidis.

    Franca dhe Gjermania janë të nevojshme tani si fuqi kryesore në BE. Franca është e dobët për shkak të krizave të saj qeveritare. Gjermania për shkak të zgjedhjeve të reja në shkurt mund të veprojë vetëm në një masë të kufizuar. Edhe qeveria e pakicës në Spanjë mund të dështojë për shkak të buxhetit. Italia udhëhiqet nga një qeveri e ekstremit të djathtë. Belgjika dhe Austria kanë vetëm qeveri të përkohshme. Situata në Rumani është konfuze. Në Holandë, Hungari dhe Sllovaki qeverisin euroskeptikët. Viktor Orban, kryeministri hungarez, i thotë vetes se gjatë presidencës së tij të BE e ka bërë më të mundshme paqen në Ukrainë nga afrimi me Rusinë. Ai gëzohet për shpirtin e tij binjak Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Viti 2025 do të jetë i stuhishëm për BE – por të paktën do të jetë shumë interesant. /dw

    Nga Rubrika
    Opinione03 Janar 2025
    Nga Richard Kemp: Ndërsa viti 2025 ka filluar, pesimizmi për fatin e Ukrainës rri pezull në ajër, ndërsa kutërbimi i paqësimit ndihet...
    Opinione01 Janar 2025
    Shkruan: Blerim Shala Viti 2025, i cili tashmë i ka hapur portat për të gjithë ne, do të jetë politikisht një vit...
    Opinione31 Dhjetor 2024
    Shkruan: Ben Andoni Një nga shqetësimet më të mëdha, në ditët ku po jetojmë, është fshirja e jetës private dhe bashkimi me...
    Të tjera
    Lajme04 Janar 2025
    Situata në pikat kufitare të Kosovës, ku ka pritje të gjata të qytetarëve për të dalë nga Kosova, s’ka përmirësim, shkruan Gazeta...
    Lajme04 Janar 2025
    Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, sot gjatë ditës ka takuar qytetarë edhe në Rahovec, të cilët, i pari i...
    Lajme04 Janar 2025
    Toby Cadman, avokat i Nasim Haradinajt gjatë gjithë procesit gjyqësor mbi 4 vjeçar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, duke...
    Lajme04 Janar 2025
    Avokati i Nasim Haradinajt, i cili e përfundoi dënimin prej 4 vjet e 3 muaj burgim javën e kaluar, ka ndarë detaje...
    Vip04 Janar 2025
    Këngëtarja e njohur shqiptare, Dafina Zeqiri, është në pritje të fëmijës së saj të parë. Burime të Indeksonline pranë artistes kanë konfirmuar...
    Lajme04 Janar 2025
    Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës(PDK), Altin Krasniqi ka njoftuar për takimin e sontëm që ka zhvilluar në Drenoc të...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.