×
  • Opinione
  • Opinione

    Serbia ka faj edhe për ministrat dembelë

    Imer Mushkolaj
    26 Qershor 2023

    Shkruan Imer Mushkolaj

    Beogradi nuk po e ndal Liburn Aliun që t’i përfundojë rrugët e lëna në gjendje të mjerueshme, as Arbërie Nagavcin t’i ndërtojë çerdhet e premtuara dhe ta rrisë cilësinë në arsim. Serbia nuk po e pengon Hekuran Muratin që ta rrisë pagën minimale, e as Arben Vitinë që t’i përmirësojë kushtet në spitale. Tash 27 muaj n’pushtet, Vetëvendosja ka bërë pak punë të hajrit.

    Të enjten rrjeti social Facebook më solli ndërmend një deklaratë të para një viti të Liburn Aliut, ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Në një intervistë, ai kishte thënë se po planifikonin një tren të shpejtë në linjën Prishtinë-Fushë Kosovë. Fiks 12 muaj më vonë, kjo deklaratë ka mbetur veç një premtim i papërmbushur, si plot të tjerë.

    Në prill të vitit të kaluar, i njëjti ministër thoshte se rruga Prishtinë-Podujevë do të përfundonte brenda dy muajsh. Ata që e bëjnë çdo ditë këtë rrugë e përjetojnë më së miri këtë rrenë.

    Punimet në rrugën Prishtinë-Mitrovicë, Aliu ka dhënë premtime se do të fillojnë në shtator. Jam i bindur se nuk do të përfillet ky afat dhe kam arsye të forta për të besuar se do të jetë kështu. Thjesht, nuk është realizuar asnjë nga premtimet e ngjashme.

    Qeveria e Albin Kurtit ka premtuar se përgjatë një mandati do t’i ndërtojë 160 çerdhe në mbarë vendin. Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se brenda dy vjetësh qeverisjeje ia kanë dalë të përmbushin këtë premtim rreth 24 për qind. Logjikshëm, tashmë do të duhej të ishin ndërtuar më shumë se gjysma e këtyre çerdheve.

    Në tetor të vitit 2021, Hekuran Murati, ministër i Financave, thoshte se paga minimale në Kosovë do të rritet “shumë shpejt”. Njëzet muaj pas kësaj deklarate, kjo pagë vazhdon të jetë e njëjtë, ndërkohë që inflacioni e ka bërë të veten dhe jeta e qytetarëve po vështirësohet çdo ditë.

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, qysh në fillim të mandatit të parë të tij thoshte se sigurimet shëndetësore për qytetarët do të ishin prioritet i tij. Tash, në mesin e vitit 2023, për sigurimet nuk flet askush, ndërkohë që qytetarët vazhdojnë të vuajnë kushtet e këqia për mjekim dhe mungesën e barnave nëpër spitale.

    * * *

    Dialogu me Serbinë, për të cilin kryeministri Albin Kurti dikur thoshte të mos ishte ndër prioritetet kryesore të tij, ka lënë nën hije gjithçka tjetër në Kosovë. Tash 27 muaj në qeverisje, ministrat e qeverisë së Lëvizjes Vetëvendosje nuk po shihen të realizojnë premtimet e dhëna, por të “mbështjellur” në dembeli e agoni, sikur po iu vjen përshtati kriza politike.

    Përplasjet më Serbinë dhe kriza e vazhdueshme në veri sikur i ka amnistuar ata nga dhënia e përgjegjësisë para qytetarëve për punët e pafilluara e të papërfunduara. Nën komoditetin e premtimeve boshe, numri më i madh i ministrave dhe pjesa tjetër e ekzekutivit nuk është se po bëjnë gjë të hajrit. Dështimet e numëruara më lart dhe shumë të tjera si këto janë dëshmia më e mirë e papërgjegjësisë dhe mungesës së kompetencës për të çuar përpara punë të mira.

    Mjafton t’i hedhësh një sy profilit zyrtar të kryeministrit në Facebook dhe rrallë, shumë rrallë aty gjen ndonjë postim që flet për ndonjë projekt të përfunduar, që flet për punësim, zhvillim, infrasturkturë, arsim e shëndetësi. Shumica e postimeve të të parit të qeverisë kanë të bëjnë me përkujtimin e datave dhe figurave historike. Asgjë të re për të thënë, asgjë të re për të njoftuar.

    Paradoksalisht, kriza në veri dhe përplasjet me Serbinë po e ndihmojnë qeverinë dhe kryeminstrin Kurti që të mos merret me çështje të brendshme. Serbia ka eklipsuar gjithçka dhe ministrat nuk po e çajnë fort kokën për punë e angazhim. Dëshmia më e mirë për këtë është mungesa e rezultateve pozitive thuajse në secilën fushë. Ndryshimet radikale të premtuara nuk shihen në horizont, ndërkohë që mandati qeverisës ka hyrë në gjysmën e dytë.

    Me veprime po e bëjnë, ndonëse me gojë ende nuk po e thonë se Serbia nuk po i lë të punojnë. Dhe kur muhabeti me Beogradin të marrë fund dhe qytetarët t’i kthehen realitetit, qeverisja do të shfaqet “cullak” përballë tyre. Mbase Serbia ka faj edhe për ministrat dembelë.

    Nga Rubrika
    Opinione09 Janar 2025
    Shkruan: Christiaan Alting Von Geusau Duket se arritja legjislative më e spikatur e Bashkimit Europian në vitin 2024 ka qenë detyrimi që...
    Opinione08 Janar 2025
    Kushtëzimi i certifikimit të Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet dhe institucionet e Kosovës me njohjen e shtetit, simboleve dhe dokumenteve të...
    Opinione07 Janar 2025
    Nga Adri Nurellari  Vendimi për të ndaluar “TikTok”-un në Shqipëri është një shfaqje e ludite e ngutshme dhe e cekët, që shmang...
    Të tjera
    Lajme10 Janar 2025
    Një veturë është përfshirë nga zjarri mbrëmjen e djeshme në rrugën “Ukshin Hoti” në Prishtinë. Kjo është konfirmuar nga zëdhënësi i policisë...
    Lajme10 Janar 2025
    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se mbështetja për Lëvizjen Vetëvendosje ka rënë ndjeshëm, duke pretenduar se kjo parti nuk i kalon...
    Lajme10 Janar 2025
    Zëvendës Sekretari i Shtetit Amerikan për Menaxhimin dhe Resurset, Richard R. Verma, sot do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Kosovë. Ai...
    Lajme10 Janar 2025
    I pari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, pak ditë para se ta përfundoi mandatin e tij si president i...
    Lajme09 Janar 2025
    Një veturë është përfshirë nga zjarri mbrëmjen e sotme në rrugën “Ukshin Hoti” në Prishtinë, e që fatmirësisht nuk ka të lënduar....
    Lajme09 Janar 2025
    Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka kritikuar qeverinë aktuale të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje duke e...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.