Prokuroria për krime lufte në Beograd ka ngritur aktakuzë kundër N.M për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile” gjatë periudhës qershor-korrik të vitit 1999.
Krimet supozohet se janë kryer në fshatin Rudicë, Komuna e Klinës, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Prokuroria në Beograd.
Së bashku me aktakuzën është edhe kërkesa për zgjatje të paraburgimit të të pandehurit N.M, i cili më 3 janar është arrestuar në pikëkalimin kufitar në Merdare dhe që atëherë është në paraburgim.
Zëdhënësi i Prokurorisë për krime lufte në Serbi, Vasillje Seratiq ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë më 9 janar se shtetasit të Kosovës, Nezir Mehmetaj i ishte caktuar paraburgimi prej 30 ditësh, nën dyshimet për krime lufte në fshatin Rudicë.
Në përgjigjen me shkrim nga Prokuroria e Beogradit dhënë për Radion Evropa e Lirë, nuk përmenden detajet se për cilin krim bëhet fjalë dhe për çka konkretisht akuzohet Mehmetaj.
Avokati i Mehmetaj, Sead Spahoviq ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Mehmetaj po akuzohet për vepra të kryera pas qershorit, 1999, kur lufta kishte mbaruar dhe se akuzat ndaj tij nuk mund të lidhen me krime lufte.
Ai ka shtuar se nuk ka asnjë dëshmi në shkresat e prokurorisë ndaj lëndës për Mehmetajn se klienti i tij ka qenë i përfshirë në ndonjë vepër që përbën krime lufte.
Pas ndalimit të Nezir Mehmetajt nga autoritetet serbe, Prishtina zyrtare kishte kërkuar lirimin e tij të menjëhershëm.