Dhjetëra persona janë zhdukur dhe së paku 23 besohet të kenë vdekur nga zjarret e mëdha në natyrë, të cilat janë përhapur në pjesën perëndimore të Shteteve të Bashkuara.
Banorët e Portlandit dhe Oregonit u zgjuan të premten në ajër të mbushur me tym që i pengonte edhe rrezet e diellit dhe e shndërroi qiellin në ngjyrë të portokalltë në të kuqe. Qindra zjarrfikës po luftojnë me dy zjarre të mëdha, të cilat mund t’i afrohen pjesës më të populluar të Oregonit, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Guvernatorja e Oregonit, Kate Brown, tha se mbi 40 mijë banorë janë zhvendosur dhe rreth 500 mijë të tjerë janë në një farë forme nën urdhrat për zhvendosje.
Shtetet më të prekura nga zjarret janë Kalifornia, Oregoni dhe Uashingtoni. Gati 100 vatra zjarri e kanë djegur një sipërfaqe rekorde për shkak të motit të thatë dhe me temperature të larta.
Kryetari i qytetit Portland, Ted Wheeler, e shpalli emergjencën e zjarreve, që ia mundësoi aktivizimin e qendrave të evakuimit, sigurimin e mbikëqyrjes së veçantë për personat që nuk kanë kulm mbi kokë dhe mbylljen e parkut të qytetit dhe zonave tjera të gjelbra.
Në pjesën jugore të qytetit, zjarret janë duke u përhapur aq shpejt, saqë disa njerëz që ishin zhvendosur dhe kishin shkuar në një strehimore u detyruan të evakuohen përsëri.