Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë u ka propozuar institucioneve shtyrjen e vitit shkollor për 10 ditë, pasi sipas tyre pjesa më e madhe e shkollave nuk është dezinfektuar.
SBASHK-u përmes një njoftimi për media ka shprehur shqetësimin se shkollat ende nuk janë përgatitur për të nisur vitin e ri shkollor sipas kushteve të parapara për masat mbrojtëse dhe plani i MASH-it.
Lexoni të plotë njoftimin:
“SBASHK-u u propozon institucioneve që të shtyhet viti shkollor për disa ditë
Duke shprehur vullnetin dhe dëshirën e sinqertë që viti i ri shkollor të nis së mbari dhe që institucionet arsimore të jenë plotësisht të përgatitura në plotësimin e udhëzimeve të Institutit të Shëndetit Publik në përpjekje për ruajtjen e shëndetit të nxënësve dhe personelit arsimor SBASHK-u u drejtohet Qeverisë dhe MASH-it me zërin e punëtorëve arsimor që nisja e vitit të ri shkollor të shtyhet për 10 ditë.
Me qëllim të analizës së përgatitjes për fillimin e vitit të ri shkollor dhe masave që janë marrë nga institucionet për krijimin e sigurisë së mjaftueshme të ruajtjes së shëndetit të nxënësve dhe personelit arsimor, SBASHK-u ka mbajtur takim nga larg me kryesinë, kryetarët e nivelit komunal dhe Universiteteve dhe me anëtarët e Këshillit Drejtues.
Pjesëmarrësit e këtij takimi kanë deklaruar vlerësimet lidhur me gjendjen momentale në institucionet arsimore nga këndvështrimi i udhëheqësve sindikal. Ata kanë deklaruar se personeli arsimor dhe tekniko-ndihmës shprehin vullnetin për të nisur mësimin në objektet shkollore duke përkrahur në këtë mënyrë Masterplanin e MASH e të miratuar nga Qeveria, por numri më i madh i pjesëmarrësve kanë shprehur shqetësimin se shkollat ende nuk janë përgatitur për të nisur vitin e ri shkollor sipas kushteve të parapara për masat mbrojtëse dhe plani i MASH-it.
Duke argumentuar ata kanë përmendur se pjesa më e madhe e shkollave ende nuk është dezinfektuar, dhomat e mësimit nuk janë pajisur me dezinfektues për duar, nuk janë siguruar maskat mbrojtëse për personelin arsimor, nuk është përgatitur lista e mësimdhënësve rezervë për të zëvendësuar mësimdhënësit e sëmurë e as nuk është shpallur ndonjë thirrje a konkurs për mësimdhënës vullnetar, nuk janë përgatitur dhomat e mësimit për të siguruar distancën e duhur sociale, por nuk janë bërë edhe përgatitje të tjera brenda ambienteve shkollore.
Nga ana tjetër SBASHK-ut kanë nisur t’i vijnë informacione se ka tendenca nga ndonjë DKA dhe ndonjë drejtor shkolle që mjetet higjienike dhe dezinfektuesit t’i sigurojnë përmes prindërve, qoftë duke mbledhur para nga prindërit, qoftë duke sjellë prindërit dezinfektues në shkollë.
SBASHK-u është kundër iniciativave të tilla sepse në këtë situatë të rënduar sociale e ekonomike nuk është e drejtë të ngarkohen edhe më shumë apo të vihen një pjesë e tyre në pozitë të keqe para të tjerëve ngase nuk kanë mundësi të jenë pjesë e këtij aktiviteti, të cilin SBASHK-u kërkon të ndalet dhe kërkesat e shkollave në rrethanat e reja të sigurohen nga buxheti shtesë prej 9.5 milionë, që ka ndarë Qeveria e Kosovës.
SBASHK-u edhe në këtë takim ka përkrahur deklarimet e MASH-it dhe Qeverisë për sigurimin e një fondi për pagesën gjatë kohës së pandemisë për mësuesit e sëmurë rëndë .
Duke shprehur vullnetin dhe dëshirën e sinqertë që viti i ri shkollor të nis së mbari dhe që institucionet arsimore të jenë plotësisht të përgatitura në plotësimin e udhëzimeve të Institutit të Shëndetit Publik në përpjekje për ruajtjen e shëndetit të nxënësve dhe personelit arsimor SBASHK-u u drejtohet Qeverisë dhe MASH-it me zërin e punëtorëve arsimor që nisja e vitit të ri shkollor të shtyhet për 10 ditë.
Kryesia, Këshilli Drejtues dhe kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të Universiteteve pas shumë diskutimeve dhe bazuar edhe në komunikimin gjatë gjithë kohës me veprimtarët sindikal nxjerr konkluzionet me të cilat publikisht njofton Qeverinë, MASH-in dhe gjithë opinionin:
Të pajisen shkollat me dezinfektues,
Të caktohen persona përgjegjës, po jo mësimdhënësit , për matjen e temperaturës së nxënësve,
Të ketë personel mjekësor kujdestar së paku në shkollat që kanë më shumë se 500 nxënës,
Të sigurohen maska dhe mjete mbrojtëse për punëtorët arsimor,
Të ketë lista të mësimdhënësve rezervë,
Të lëshohen vendime për lirimin e përkohshëm nga procesi mësimor të punëtorëve arsimor të sëmurë dhe ata të vazhdojnë të marrin paga gjatë gjithë kohës së pandemisë,
Të krijohen mundësi për kryerjen e testit për COVID të personelit arsimor,
E-shkollori dhe nisma për ditarët digjital të implementohet pas pandemisë COVID-19.
Këto janë disa nga kërkesat e domosdoshme që duhen plotësuat para fillimit të vitit të ri shkollor.