Unioni i Sindikatave të Arsimit të Evropës, që numëron 11 milionë anëtarë, është duke zhvilluar një aktivitet të rëndësishëm sindikal me temën kyçe “Sindikatat e arsimit mbështesin përfshirjen e refugjatëve dhe emigrantëve në arsim”.
Në këtë tryezë në mesin e 64 përfaqësuese sindikalë nga e tërë Evropa, marrin pjesë edhe përfaqësuesit e SBASHK-ut, nënkryetarja Vjollca Shala dhe sekretari i përgjithshëm Ymer Ymeri , të cilët kanë prezantuar përvojat e mësimdhënësve të Kosovës, të cilët pas dëbimit me dhunë të popullatës së Kosovës nga pushtuesi serb, kishin organizuar mësimin në Maqedoni, Shqipëri e Mal të Zi me fëmijët e Kosovës, duke bërë që të shërohen sado pak plagët dhe traumat e luftës dhe duke bërë të mundur vazhdimin e vitit shkollor, që ishte ndërprerë pas gjithë atyre masakrave e vrasjeve që bëri makineria vrastare e pushtuesit serb kudo në Kosovë, thuhet në njoftimin për shtyp të SBASHK-ut.
Më tej theksohet se prania dhe kontributi i çmuar që kjo sindikatë jep në të gjitha aktivitetet sindikale në Evropë e botë, dëshmon për përkushtimin që Kosova të prezantohet në mënyrë të denjë dhe për respektin meritor që SBASHK-u gëzon nga Unioni i Sindikatave të Arsimit të Evropës dhe nga Internacionalja Botërore e Arsimit.