Rusia të hënën e ka raportuar numrin më të ulët të rasteve fatale të personave të infektuar me koronavirus që nga 25 maji.
Për herë të parë në qershor, shifra e të vdekurve ra nën 100 për 24 orë pasi gjatë kësaj periudhe u regjistruan 95 viktima. Numri i përgjithshëm i të vdekurve shkoi në 8,206, shkruan “Anadolu”.
Përpos viktimave, gjatë kësaj periudhe u shënuan edhe 7,600 raste të reja të infektimeve dhe shifra e përgjithshme e të prekurve shkoi në 592,280 persona.
Për një ditë nga spitalet u liruan 4,705 persona pas shërimit nga sëmundja e re. Kjo shifër ishte më e ulët se numri mesatar që është shënuar gjatë këtij muaji. Deri më tani, në Rusi janë shëruar gjithsej 344,416 pacientë.
Pavarësisht rënies së numrit të rasteve, Rusia vazhdon të mbetet në vendin e tretë në botë në listën e shteteve më të prekura nga pandemia. Para saj ndodhen vetëm Shtetet e Bashkuara dhe Brazili.
Që nga fillimi i përhapjes në Kinë në dhjetor, pandemia i ka shkaktuar mbi 468,000 raste fatale në nivel botëror, në bazë të të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins”.