Nga: Samantha de Bendern (titulli origjinal: If Putin has eliminated Prigozhin, the result could be more – not less – instability for Russia).
“Të gjithë ne do të shkojmë në ferr. Por, në ferr ne do të jemi më të mirët”, komentoi Yevgeny Prigozhini në një intervistë të padatuar, që mbrëmë u publikua në kanalin Grey Zone – pro grupit Wagner – në Telegram, teksa ai fliste për qëndrimin që ka ndaj vdekjes. Në mungesë të ndonjë zhvillimi të jashtëzakonshëm, duket gjithnjë e më shumë e mundshme se, sipas raporteve ruse, bosi i Wagner-it u vra pasditen e së mërkurës, në një aksident ajror në rajonin rus të Tverit, gjatë rrugës së tij nga Moska për në Shën Petersburg.
Gati një vit më parë, Prigozhini merr vëmendjen ndërkombëtare pasi një video e tij duke rekrutuar të dënuarit nëpër burgjet ruse – për të luftuar në Ukrainë për trupën e tij ushtarake private Wagner – e shpallte atë si njërin prej lojtarëve më të rëndësishëm rus në luftën në Ukrainë. Kjo kulmin e arriti në maj të këtij viti, kur Wagner-i e pushtoi qytetin simbolikisht të rëndësishëm të Bahmutit, në Ukrainën lindore, pas nëntë muajve të luftimeve të përgjakshme. Gjatë betejës, Prigozhini u bë gjithnjë e më i zëshëm në kritikat e veta ndaj lidershipit të lartë ushtarak të Rusisë, dhe madje shkoi aq larg sa të bënte kritika të maskuara ndaj Vladimir Putinit.
Pastaj ishte puçi që nuk u bë. Në fund të qershorit, bota pa me habi Prigozhinin teksa udhëhiqte rebelimin e armatosur që pushtoi selinë ushtarake ruse në qytetin jugor rus të Rostov-on-Donit dhe që vazhdon drejt Moskës duke kërkuar nga ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, dhe shefi të Stafit, Valery Gerasimov, që të largohen nga postet e veta. Më pas, në rrethana ende të paqarta, Prigozhini e ndaloi rebelimin rreth 125 milje (200 kilometra) nga Moska dhe supozohet se u fal nga Putini (i cili një ditë më parë kishte deklaruar se të gjithë tradhtarët do të ndëshkoheshin). Prigozhinit iu ofrua një kalim i sigurt në Bjellorusi dhe akuzat penale kundër tij u hoqën – duke nënkuptuar diçka si falje. Diktatori bjellorus, Alexander Lukashenko, ofroi garanci sigurie për të gjithë luftëtarët e Wagner-it.
Sipas raporteve të lajmeve ruse, 10 trupa janë gjetur në vendin e rrëzimit dhe lista e pasagjerëve tregon se Prigozhini ishte brenda, së bashku me themeluesin e raportuar të Wagner-it, Dmitry Utkin. Të vdekurit e tjerë përfshinin figurat e larta të Wagner-it. Megjithëse Prigozhini thuhet se kishte hartuar plane emergjence se kush duhet të merrte përsipër grupin në rast të vdekjes së tij, prania e anëtarëve të tjerë kryesorë të Wagner-it, në aeroplan, sugjeron se organizatës i është prerë koka. Ajo që është interesante këtu është se Prigozhini, Utkini dhe komandantët e tjerë të lartë të Wagner-it, dukej se ndjeheshin mjaft të sigurt për sigurinë e tyre në Rusi aq sa ta shpërfillnin rregullin e artë të drejtuesve të çdo organizate të rëndësishme – rregullin që thotë se nuk duhet të udhëtojnë në të njëjtin aeroplan.
Rusia ka hapur një hetim për rrëzimin – dhe disa komentues rusë po sugjerojnë se është kryer një akt terrorist. Kanalet Telegram të lidhura me Wagner-in, pretendojnë se një raketë tokë-ajër ruse e rrëzoi aeroplanin.
Të enjten në mëngjes, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar tha se po e monitoron nga afër situatën, por nuk ka komentuar ende për rrëzimin. Joe Bideni ka qenë më pak i matur në përgjigjen e një pyetjeje në lidhje me fajësinë, duke bërë me dije se: “Nuk ka shumë gjëra që ndodhin në Rusi ku Putini nuk qëndron prapa. Por, unë nuk kam sa duhet informata për ta ditur përgjigjen”.
Dy muaj pas fillimit të rebelimit të tij të ndërprerë, ndodhi shkatërrimi i aeroplanit që duket se e ka vrarë Prigozhinin. Duke pasur parasysh dashurinë e Putinit për përvjetorët dhe datat e tjera të rëndësishme, është e vështirë të mos e shohësh dorën e tij prapa rrëzimit të aeroplanit. Vdekja e Prigozhinit ndodhi gjithashtu në të njëjtën ditë kur Sergei Surovikini, i cili u zhduk si pasojë e rebelimit të ndërprerë të qershorit, zyrtarisht u lirua nga detyrat si komandant i forcave ajrore. Kjo sugjeron se çdo gjë që Putini duhej të ndërmerrte përpara se të merrej me Prigozhinin, ishte të prishte lidhjen me Surovikin. Kjo mund të lidhet me frikën e Putinit se, përmes Surovikinit, Prigozhini do të mundte të llogariste në mbështetjen e ushtrisë.
Është i hidhur qëndrimi në kanalet pro-Wagner në Telegram. Ata që vranë Prigozhinin, Grey Zone i quan “tradhtarë të Rusisë”. Blogeri ushtarak rus, Roman Saponkov shkruan se “vrasja e Prigozhinit do të ketë pasoja katastrofike. Njerëzit që dhanë urdhër nuk e kuptojnë gjendjen shpirtërore në ushtri”. Kanalet e tjera të lidhura me Wagner-in kërcënojnë me një rebelim të dytë, por në kohën e shkrimit është e vështirë të thuhet se sa duhet t’ju besojmë.
Ditët e ardhshme do të jenë vendimtare për të përcaktuar nëse Putini do të dalë në një pozicion më të fortë – pas vdekjes së raportuar të Prigozhinit. Nga njëra anë, një mesazh i qartë është dërguar për këdo që mendon ta sfidojë: sado të fuqishëm të jenë, do të largohen ose do të eliminohen.
Vagneritët e mbijetuar zgjedhin t’i interpretojnë fjalët e Lukashenkos dhe të Putinit si premtime të thyera ndaj Prigozhinit. “Nëse ka një mësim për t’u mësuar, ai është se deri në fund gjithmonë duhet pasuar diçka parasysh”, shkruan kanali pro-Wanger i Telegram-it, DSHRG. Asnjëra nga këto nuk është shenjë e mirë për autoritetin negociues të liderit rus – me ndonjë kryengritës të ardhshëm, ose me dikë tjetër për këtë çështje (njerëzit që janë në favor të negociatave të shpejta mbi Ukrainën, këtë duhet ta kenë parasysh). Nëse Putini nuk është në gjendje të konsolidojë pushtetin absolut mbi të gjitha forcat e armatosura në Rusi, kushdo që e kundërshton nuk do të ketë zgjidhje tjetër veçse të vazhdojë deri në fund. Në mënyrë paradoksale, me eliminimin e kërcënimit më serioz për pushtetin e Putinit, Rusia mund të dalë edhe më e paqëndrueshme se kurrë. /Telegrafi/