Instituti gjerman për sëmundje ngjitëse “Robert Koch” ka njoftuar se gjatë 24 orëve të kaluara në Gjermani janë shënuar 6 të vdekur nga Coronavirusi. Një ditë më parë u shënuan 12 viktima.
Në këtë mënyrë, numri i përgjithshëm i viktimave të sëmundjes së re në ekonominë më të fuqishme evropiane shkoi në 9,368, shkruan The Guardian.
Përpos rasteve fatale, gjatë kësaj periudhe u shënuan edhe 1,901 infektime të reja dhe shifra e përgjithshme e të prekurve shkoi në 263,663. Një ditë më parë u shënuan 1,407 raste.
Ndryshe, qeveria gjermane tashmë i ka larguar kontrollet kufitare me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe me disa vende të tjera.
Ndonëse është në mesin e shteteve evropiane me numrin më të lartë të personave të infektuar, Gjermania ka regjistruar shumë më pak viktima se Britania e Madhe, Franca, Italia e Spanja.