×
  • Opinione
  • Opinione

    Rrëmbimi dhe jeta në burg, para e pas bombardimit të NATO-s

    FrontOnline
    20 Tetor 2021

    Kur më 3 shkurt 1998 dola nga shtëpia për ta vizituar hamamin e qytetit, për të parë se si kanë shkuar punët në qendrën e re kulturore, diku kah mesdita u rrëmbeva në një dyqan, në Pejë. Në baze të një vendimi të Gjyqit Suprem të Jugosllavisë së atëhershme, u dërgova menjëherë në vuajte të dënimit. Isha dënuar me tre vjet burg, për shkak të armëmbajtjeve pa leje. Nuk kisha asnjë mundësi për t’i ikur vuajtjes së dënimit, meqë shërbimi sekret serb e kishe të qartë se lufta në Kosovë po fillonte dhe gjithë ata të cilët eventualisht mund për të organizonin rezistencë, duhej të largoheshin. Tek unë, rasti ishte shumë i qartë: vendimi me formë të prerë i Gjyqit Suprem. Më dërguan në Burgun e Dubravës. Askush nuk e kishte të qartë se ku jam, se çfarë ka ndodhur me mua.

    Me të hyrë në Burgun e Dubravës, më dërguan në Pavijonin e Pranimit ku duhej të qëndroja për një muaj e pastaj të më dërgonin në ndonjë pavijon tjetër. Aty krijova shumë shokë, të cilët s’i kam njohur më herët, por për të cilët kisha dëgjuar. U ula afër një tavoline dhe rashë në mendime: më silleshin shumë ide dhe mundësi se si mund t’i ikja arrestimit. Por, tashti ishte gjithçka tepër vonë.

    Ishte kohë e acartë, me borë. Isha i lagur e dridhesha. M’u afrua një djalosh i ri dhe më pyeti nëse jam Jahja Lluka. “Po”, i thash. “A ki nevojë për ndonjë gjë”, pyeti. “Nuk e di, nuk kam marrë asgjë me vete, meqë më kanë rrëmbyer në qytet; m’i kanë vënë prangat dhe më kanë sjellë në vuajtje të dënimit. Nëse ke mundësi të m’i sjellësh një palë çorape, do ta dija për nder”. Djaloshi shkoi në dhomën e tij, m’i solli çorapet e papuçet dhe nisa të ngrohem pak. Ky ishte Enver Dugolli. Aty ishte i gjithë grupi i Avni Klinakut – Enver Dugolli, Liburn Aliu, Dylber Beka … me të cilët nga ajo ditë ishim të pandarë në shoqëri. U bëmë miq kështu që edhe kur përfundoi koha e qëndrimit në Pavijonin e Pranimit e na dërguan në Pavijonin C, e vazhduam shoqërimin tonë. Prapë isha në një dhomë me Avni Klinakun. Mund të them se Avniu ishte njeri i madh. Qëndresa e tij na jepte zemër të gjithëve për të qëndruar dhe për të mos u gjunjëzuar para provokimeve dhe maltretimeve të gardianëve serbë.

    Dëgjonim në mbrëmje lajmet, i komentonim dhe bënim biseda se çka do të ndodhë me Kosovën. Ishte kohë e vështirë. Më i vështirë ishte mëngjesi, kur nga banjat dhe WC-të e Pavijonit C, Peja shihej sikur në shuplakë të dorës.

    Çdo ditë ashpërsohej situata. Pas disa muajve, pjesën e pavijonit të lirë, ku ishin rreth 100 të burgosur, i futën brenda në burgun e Dubravës. Sipas fjalëve, atje ishin vendosur frankistët famëkeq. Nëpër burg flitej se një ditë do të na transferonin në Serbi. Pranë Burgut të Dubravës nisën ta përshtatnin një pistë për aeroplanë të vegjël dhe për helikopterët që aterronin nga baza e helikopterëve në Mokne, jo larg Burgut të Dubravës. Nga këtu, pas një kohe nisën fluturimet e aeroplanëve të cilët bombardonin Rrafshin e Dukagjinit. Ishte kohë e vështirë. Uleshim dhe bisedonim se a ka mundësi që ndonjë njësit i UÇK-së ta sulmonte Burgun e Dubravës. Bisedonim se a mund t’i besonim ndonjë shqiptari që ende punonte në Burgun e Dubravës. Ishte e vështirë t’i besoje gjithkujt në ato momente.

    Kështu, çdo ditë kishim mjaft kohë për të biseduar, eventualisht për të lexuar ndonjë libër. Në mbrëmje e kishim të detyrueshme për ta dëgjuar Ditarin e Televizionit të Beogradit, i cili i jepte lajmet për betejat që po zhvilloheshin në anë të ndryshme të Kosovës “kundër terroristëve shqiptarë”. Një ditë në burg u fut një delegacion ushtarak. Flitej se Burgu i Dubravës do te shndërrohet në kazermë ushtarake, kurse ne të gjithë do të transferoheshim nëpër Serbi. Ishte edhe një rrezik i madh për ne shqiptarët. Një natë dëgjova lajmin se është zënë rob Naim Maloku. U trishtova pasi, në këto rrethana, mendoja se mund të na merrnin në pyetje edhe për disa marrëveshje tona për armatimin e popullit shqiptar.

    Në Burgun e Dubravës disa herë vinin punëtorët e sigurimit serb nga Peja, të cilët interesoheshin për armatimin, për organizimin dhe për njerëzit. Qëndrova ashtu si kisha vendosur dhe, pas disa ditësh, erdh vizita. Tani e kisha të qartë se edhe Reshati ishte në rrezik. E shfrytëzova rastin dhe njërin nga gardianët shqiptarë e luta që të ma largonte gardianin serb që të mund të flisja me bashkëshorten. I thashë: të lutem dërgoja Reshatit një porosi që ai të largohet sa më shpejt nga qyteti, për arsye se sigurimi shtetëror serb është duke u interesuar për aktivitetet dhe angazhimet tona në drejtim të përgatitjes për luftë të armatosur.

    Kaluan edhe disa muaj dhe një mëngjes, para orës katër, na zgjuan nga gjumi. Kishin hyrë nëpër qeli si bisha. Na nxorën jashtë që të gjithëve; na rreshtuan në korridor të pavijonit, na prangosën dhe na qitën shumë shpejt jashtë burgut. Ishim të hutuar. Nuk e kishim të qartë se çka është duke ndodhur, megjithëse kishim biseduar edhe më herët se kjo ditë do të vinte. Përfundimisht, kjo ishte dita e zbrazjes së Burgut të Dubravës. Po bëhej transferimi i të gjithë të burgosurve nëpër burgje tjera, pasi aty duhej ishte kazerma kryesore e paramilitarëve serbë për të luftuar kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Rreth 450 të burgosur u nisën me autobusë për në Istog e nga Istogu për në Pejë. Gjithkah atmosferë lufte. Nuk kishte njerëz nëpër rrugët e qytetit. Nga Peja u nisëm drejt Rozhajës.

    Gjithçka e kishim të qartë, mirëpo shpresa, se njësitë e UÇK-së mund të na nxjerrin nga transferimi për në Serbi, për asnjë moment nuk u zbeh. Me të mbërritur diku, në kilometrin e pesëmbëdhjetë, duke hyrë në Grykën e Zhlebit, në një kodër i pashë dy mauna të ndalura të mbushura me zhavorr. Afër rrugës e pashë Idriz Balën, me mjekrën e tij të famshme dhe me dy shokët e tij. Me të parë Idrizin ngadalë iu thashë shokëve se ne do të shpëtojmë. Fatkeqësisht, pritja ishte e kotë (pasi dola nga burgu, mësova nga Idrizi se ai e kishte humbur rrugën dhe se rastësisht kishte dalë në rrugën kryesore, në asfalt, dhe se kur e ka parë policinë dhe kolonën e autobusëve, është tërhequr ne mal). Vazhduam rrugën; isha në mundime për të urinuar, pasi askush nuk guxonte të kërkonte asgjë nga gardianët. Kam marrë një qese dhe jam munduar të urinojmë aty, me mundime shumë të mëdha, pasi mbi pesë a gjashtë orë e kisha mbajtur urinën.

    Mbërrimë në Rozhajë. Nga Rozhaja u nisëm drejt Mitrovicës. Me të arritur në udhëkryq për në Novi Pazar, kolona u ndal dhe u nda në dy drejtime. Një pjesë për Novi Pazar, një pjesë për Mitrovicë. Kur mbërritëm në Mitrovicë, aty kolona prapë u nda. Një pjesë mbeti në Mitrovicë, një pjesë tjetër u nis drejt Prishtinës. Ishim në dilemë. Me të dalë nga Mitrovica, kolona u ndal në Smerkovnicë, ku mbeti një pjesë e të burgosurve, ndërsa ne vazhduam rrugën për në Prishtinë. Masat e sigurisë ishin shumë të mëdha. Nga Prishtina na dërguan për Burgun e Lipjanit. Ishte fillimi i korrikut të vitit 1999. Ishte vapë. Në Burgun e Lipjanit na zbritën e na rrahën mirë. Ishte e pamundur të futesh në burg pa e kaluar kordonin e policëve, të gardianëve dhe të burgosurve serbë të cilët në çdo mënyrë kishin dëshirë t’i dëmtonin të burgosurit shqiptarë. Në Lipjan na vendosëm nëpër qeli. Aty qëndruam për tre muaj të cilët asnjëherë në jetë nuk do t’i harroj. Dhuna dhe represioni ishte jashtë çdo mendje të shëndoshë.

    Gardianët serbë “ndihmoheshin” pa asnjë rezervë nga disa gardianë shqiptarë dhe myslimanë. Unë isha në një dhomë me disa të burgosur për krime ordinere. Gjendja ishte shumë e vështirë. Ushqimi ishte katastrofik, ujë për pije nuk kishte fare. Kishim një orë shëtitje, nën masa të rrepta të sigurisë. Ishte kjo një shëtitje me kokë të ulur, pa mundësi që të bisedonim asnjë fjalë dhe pa asnjë lëvizje të pakontrolluar se, përndryshe, dihej çka të priste.

    Atmosfera në burg ishte e rëndë. Ndihej jehona e betejave në Lipovicë dhe në Kleçkë, ku helikopterët serbë çdo ditë bombardonin. Tymi i zi shihej çdo ditë … Me ne, në Burgun e Lipjanit, ishte edhe Naser Rahova nga Mitrovica, i cili vuante dënimin për një vepër të cilën ai me këmbëngulje thoshte se nuk e kishte kryer. Nuk do të flas për veprën e Naserit, sepse në ato kohë vepra nuk ishte shumë e rëndësishme. Me rëndësi ishte që të gjithë të burgosurit shqiptarë ishin tok së bashku. Ndanin të mirat dhe të këqijat.

    Nga Rubrika
    Opinione25 Nëntor 2024
    Shkruan: Ben Blushi 116 vjet më parë, në vitin 1908, aty nga ora 12 paradite, e datës 20 nëntor, që binte e...
    Opinione22 Nëntor 2024
    GJNP ka nxjerrë urdhër-arreste kundër kryeministrit të Izraelit Netanjahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Gallant. Çfarë do të thotë kjo dhe çfarë pasojash...
    Opinione21 Nëntor 2024
    Nga Hisen Berisha: Kështu veprojnë tradhtarët e të shiturit tek armiqtë e vendit. Në një shtet të konsoliduar me sistem juridik të...
    Të tjera
    Vip25 Nëntor 2024
    Pas rrëmujës që shkaktuan Xheneta, Lelas dhe Anisa, banorët e tjerë të Big Brother VIP Kosova u zgjuan në mëngjes përballë një...
    Vip25 Nëntor 2024
    Anisa i tha Sarës që banorët tentojnë të përdorin çdo situatë të mundshme. Ndaj sipas saj është më mirë që Sara të...
    Bota/Rajoni25 Nëntor 2024
    Një 42-vjeçar shqiptar, Nikolin Nika, ka mbetur i vrarë pasditen e së dielës në provincën Emilia-Romagna të Italisë. Ai u qëllua me...
    Lajme25 Nëntor 2024
    Fahrije Hoti nga Kooperativa Bujqësore “Krusha”, në një konferencë për media ka folur rreth deklarimeve të bëra nga ministri i Bujqësisë, Faton...
    Sport25 Nëntor 2024
    Rumunët po vazhdojnë të bëjnë fyerje raciste ndaj Kosovës. “Viktimë” e radhës e tifozëve rumunë ishte sulmuesi Astrit Selmani, pas fyerjeve që...
    Bota/Rajoni25 Nëntor 2024
    Kreu i SPAK në Shqipëri, Altin Dumani, ka folur mbi rëndësinë e bashkëpunimit me shoqërinë civile, duke theksuar se ky bashkëpunim sjell...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.