Shtëpia më e madhe e futbollit botëror, FIFA nuk do ta lejojë Nedim Bajramin t’i bashkohet Kombëtares së Shqipërisë.
Kështu të paktën ka raportuar dje (e enjte) gazeta e madhe “Blick”, e cila shkroi se FIFA nuk do t’ia japë lejen yllit të Empolit për t’u paraqitur me kuqezinjtë, shkruan FrontOnline.
Kjo për shkak se Bajrami ka zhvilluar katër ndeshje me Zvicrën U21, andaj ai nuk ka të drejtë ta ndryshojë kombëtaren. Së shpejti këtë gjë pritet ta sqarojë edhe Federata Shqiptare e Futbollit.
Bajrami ishte ftuar nga Edi Reja për ndeshjet e muajit mars te Shqipëria, por që nuk u aktivizua shkaku i lejes së vonuar nga FIFA.
Në rast se vërtetohet kjo rregullore e re e FIFA-së, atëherë kjo do të shkakonte pasoja të mëdha edhe te Përfaqësuesja e Kosovës.
Andi Zeqiri, Toni Domgjoni, Bastien Toma dhe Mërgim Berisha janë disa nga futbollistët që po kërkohen nga Kosova, por të cilët janë paraqitur me shtete tjera në grupmoshat U21.
Gjegjësisht, Zeqiri, Domgjoni dhe Toma po luajnë aktualisht me Zvicrën U21, kurse Berisha është aktivizuar deri më tani me Gjermaninë U21.
FrontOnline ka kontaktuar me sekretarin e përgjithshëm të FFK-së, i cili pavarësisht këtyre raportimeve, është optimist për prurjet e reja.
Salihu: Nuk besoj se duhet të dëmtohemi në këtë rast
Njeriu i dytë në Federatën e Futbollit e Kosovës, Eroll Salihu ka deklaruar se çështja në fjalë është diskutabile.
Ai thotë se në FFK do ta studiojnë këtë çështje.
“Duhet të studiojmë çështjen, ta vërtetojmë nëse një nen i caktuar është adekuat. Nuk besoj se duhet të dëmtohemi në këtë rast. Kjo është diskutabile”, ka thënë të premten Eroll Salihu për FrontOnline.
Zeqiri, Domgjoni, Toma dhe Berisha ende të pavendosur
Sulmuesi i Brightonit, Andi Zeqiri në nivel ndërkombëtar, që prej vitit 2013, përfaqëson Përfaqësuesen e Zvicrës.
Futbollisti nga Kosova së fundmi po luan me Zvicrën U21, me të cilën në 16 paraqitje ka shënuar 11 gola.
Nga ana tjetër, Toni Domgjoni ka bërë 18 paraqitje me Zvicrën U21, kurse Bastien Toma gjithashtu 18 sosh duke shënuar edhe dy gola.
Kurse, “bomberi” i RB Salzburgut, Mërgim Berisha vazhdon të paraqitet me Gjermaninë U21 nga viti 2019, ku ka bërë dhjetë paraqitje derisa ka shënuar edhe një gol.
Katër futbollistët në fjalë mund t’i bashkohen në të ardhmen e afërt Kosovës, por që asnjëri prej tyre deri më tani nuk ka shprehur vendosshmëri për një gjë të tillë./FrontOnline/