Mustafë Ahmetxhekaj 46 vjeçar, i plagosur një ditë më parë në Pejë, pohon se s’ka pasur asnjë problem me të dyshuarin që shtiu me armë zjarri në drejtim të tij.
Ai rrëfen se e gjithë ngjarja nisi dje kur fillimisht zhvilloi një bisedë me të dyshuarin, në një gjelltore.
“Unë kam qenë cak i sulmit. Me personin që ka gjuajtur, kemi ushtru me një sallë bashkë, fitenes”, ka treguar Ahmetxhekaj.
Ai ka dhënë versionin e tij se i dyshuari bashkë me babanë e tij e kërcënuan derisa ishte duke ngrënë bukë.
“Unë isha në gjelltore duke ngrënë bukë, ka ardhë djali, u përshëndetëm, i thash hajde e pijmë ka një kafe edhe i diskutojmë disa gjëra….Nuk u ul e kanë një autoshkollë ma larg, erdhën më babin e tij edhe më kërcënuan…Ju thash a po më leni ta ha bukën, kur jam çu me hyp në kerr babai i i tij ma ka drejtu pistoletën”, tha Ahmetxhekaj për Gazetën Express.
Mustafë Ahmetxhekaj, nip i familjes Haradinaj nga Gllogjani, ishte cak i sulmit me armë zjarri dje në afërsi të Fakultetit të Biznesit në Pejë. Në drejtim të tij u shkrepën disa plumba, dy nga të cilët përfunduan në këmbën e tij dhe një në prapanicë. I plagosur mbeti edhe një kalimtar i rastit.
Sipas mjekëve gjendja shëndetësore e të dy të plagosurve është jashtë rrezikut për jetë, ndërsa policia nuk ka arritur akoma ta kap autorin e ngjarjes.
Gjatë bisedës me Gazetën Express, ai mohon se ka pasur në të kaluarën probleme me të dyshuarin, shumë më të ri në moshë.
“I thash gjuaj dhe e shava, aty kanë qënë policia prezent, veç kur kanë kris pas shpinës. Dy plumba në këmbë dhe në prapanicë. Hala jam në Spitalin e Pejës…Telashe jo telashe, konfrontim sikur djemt e ri, ai është djalë i ri i vlon gjaku, deshta me i thanë ulu me bisedu, qysh e kanë zanat me folë e me sha”, shtoi ai më tej.
Sipas tij është absurde gjuajtja me armë zjarri pas shpinës dhe pohon se ndihet i pastër sa i përket sherrit me armë zjarri.
“Paj për mua është absurditet, e kam një të kalume të madhe, me gjujt njerin pas shpinës… Absolut i pastër jam, kur mi ka jep plumbat jam ra në tokë, ma ka bo e more Mustafë e a po e sheh?…Djali është në arrati, qaty janë konë policia në vendin e ngjarjes”, vijon rrëfimi i tij.
Mustafë Ahmetxhekaj ndihet i rrezikuar dhe thotë se mbrëmë e ka mbyllur dhomën e spitalit me çelës.
“Ai është në arrati, s’është ardhë askush prej policisë mem rujt as sënd, ja kam lyp një çelës, e kam mbyll derën. Po ndihna i rrezikuar”, tha ai.
I pyetur se çfarë lidhje familjare ka me ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, ai tha: “Baba i Ramushit dhe nëna ime jam vëlla e motër”.
Ai tha se ndihet i zhgënjyer sesi i dyshuari ndodhet akoma në arrati, teksa theksoi se ndihet stabil me shëndet.
Gazeta Express mëson se policia ka identifikuar të dyshuarin dhe rasti është nën hetime.
Ndërsa, Prokurorja e Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Pejë ka dalë djë në vendin e ngjarjes dhe është duke u marrë me rastin.
Policia rastin e ka klasifikuar si “Vrasje në tentativë” dhe “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.