×
  • Lajme
  • Lajme

    Rrëfehet gazetarja kosovare që e mposhti Covid-19: Një muaj luftë, kisha momente që u ndjeva se po e humbi betejën

    FrontOnline
    21 Shtator 2020

    Gazetarja, Jehona Zhitia ka vendosur të rrëfejë për gjithë luftën e saj shëndetësore me COVID-19.

    Ajo ishte infektuar pas disa muajve që kishte raportuar për cdo ditë rreth gjendjes me të cilën po ballafaqohej vendi dhe gjithë globi.

    Zhitia në rrëfimin e saj tregon për ditë më të vështira që kishte kaluar sa ishte e infektuar, për më tepër kishte qaste që ishte ndjerë e pafuqishme.

    Ne ju sjellim rrëfimin e saj të plotë:

    Ato pesë shkronja që i kisha përmendur qindra mijëra herë gjatë pesë muajve të raportimit, e për të cilat kisha folur vetëm keq, kishin vendosur të më hakmerreshin. Kur u gjenda më pak e rrezikuar, organizmi nisi të luftonte me diçka të pazakontë, të paktën gjer në ato çaste.

    Vërtetësinë se trupi im po përballej me diçka të padëshirueshme e dha Instituti i Shëndetësisë.

    Ishte e shtuna e dytë e gushtit, kur dëshpërimisht iu dorëzova njoftimit se edhe unë isha e prekura, në mesin e 190 të tjerëve të cilëve u kishte nisur dita mbrapsht. Një statistikë kjo për të tjerët që rastet pozitive i matnin me peshoren ‘pak’ ose ‘shumë’. E vërteta ishte se ditët kur unë nisa këtë luftë të pabarabartë, dominonte vetëm fjala ‘shumë’. Duke mos e bërë veten të ligë para fëmijëve e bashkëshortit, të tre negativë, vendosa që përpëlitjet e para të shkaktuara nga ‘i huaji’, i cili po gjente labirinthe për t’u fshehur në organizmin tim, t’ia ‘qerasja’ vetes me hezitimin për të mos i ndërruar vendbanim virusit.

    Teksa mushkëritë i ishin dorëzuar sëmundjes, pjesa tjetër e brendësisë, e ndihmuar nga qesja varur, po orvatej t’i bishtënonte armikut. Porse s’po ia dilte.

    Me gjendjen që rëndohej dita-ditës, u zbut edhe kokëfortësia ime për të mos hyrë sërish në Infektivë, këtë herë si paciente.

    Mëngjesi i 20 gushtit më zbardhi nën dritat neon në dhomën nr. 3 të repartit E të Klinikës. Pika që shoqëronin njëra-tjetrën e që po e sulmonin me krejt artilerinë mjekësore vendndodhjen e armikut, por edhe tingujt shpresëdhënës që lëshonin aparaturat e pakta në hapësirën të cilën e ndaja edhe me një paciente, tregonin se sa e vlefshme ishte jeta, se sa të pazotë jemi kur na sulmon diçka, qoftë edhe mijëra e mijëra herë më i vogël se vetë ne.

    Ditët vijuese nuk sollën përmirësimin që prisja. Përkundrazi, gjendja rëndohej e krahas saj, për herë të parë nisa ta mendoja më të keqen. Në njërën prej mbrëmjeve, kur infermierja mundohej me batuta të më dispononte, unë thuajse i kisha humbur shpresat se do t’ia dilja. Ishte ky ai momenti kur ndihesh krejt e pafuqishme dhe e rrënuar gjer në palcë. Gjithçkaje iu zvogëlua vlera, aq sa peshonte vetëm me një frymëmarrje. Arritjet, shkollimi, puna, angazhimi, karriera, nuk kishin më asnjë rëndësi.

    Ajo ishte nata më e keqe e disa prej të tillave që i kalova në atë shtëpi të bardhë.

    Dyjavëshi, pas të cilit shumica e shpallnin fitoren përballë së keqes, më gjeti të shtrirë në Infektivë, e rrethuar nga një staf i përkushtuar e për të cilin isha bërë ‘rast studimi’ pas shfaqjes së një alergjie, e paparë tek pacientë të tjerë.

    Pavarësisht gjendjes jo të kënaqshme, pas konfirmimit se më nuk isha ‘pozitivja’ e asaj dhome, mjekët u pajtuan që trajtimin ta vazhdoja në banesë, e cila më shumë i ngjante një barnatoreje, muret e së cilës nuk ishin mveshur kurrë më parë me aromë medikamentesh: shiringa, ampula, qese infuzioni etj.

    Edhe gjatë kësaj kohe, nuk pushoi interesimi i miqve dhe të afërmve për shëndetin tim. Shumica prej tyre ishin pjesë imja, e kësaj ëndrre të keqe të cilën u detyrova ta shihja. Nuk u ndanë nga unë përmes komunikimit virtual, ashtu siç bënë bashkëshorti e fëmijët duke më qëndruar pranë fizikisht.

    U desh kohë që ta merrja guximin e ta përqeshja armikun, pasi nuk isha e sigurt se ai s’do të kthehej për t’u revanshuar për goditjen që i kishte dhënë organizmi im.

    Sot, e forcuar dhe e rrethuar nga familjarë e miq, e shikoj me mospërfillje atë keqbërës, si tytën e një ushtari që është i shtrënguar të qëllojë edhe të pafajshëm.

    Ai do të jetë armiku im, edhe pse s’jeton më tek unë. Do të vazhdoj ta sfidoj në formën si e kam bërë nga muaji mars. Gjersa të vijë dita kur askush prej nesh mos ta përmendë atë emër të lig, siç veprova dhe unë në këtë rrëfim!

    Nga Rubrika
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij, Xhaferin dhe pensionistë të tjerë, ku ka premtuar se viti...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Policia ka njoftuar se njësitet policore të Drejtorisë së Kryeqytetit, kanë implementuar një plan operativ në tregun e automjeteve, ku kanë sekuestruar...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Përmes një njoftimi në Facebook, policia ka thënë se kanë pranuar policia ka pranuar denoncime për shkeleje të ndryshme nga ngasës të...
    Të tjera
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Në pikën kufitare në Merdarë, sot është paraqitur një autobus me targa vendore, ku gjatë kontrollit të mjetit, janë selektuar për skanim...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se viti 2024 ka qenë viti i pasaportës së vendit tonë. Përmes një postimi në...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Në një bisedë me një gazetar, Ilir Tahiri, kandidati për deputet i PDK-së, shprehu shqetësimin për qëndrimet e Albin Kurtit ndaj UÇK-së....
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosoës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka vazhduar ta prezantojë planin e tij për sektorin e sportit. Përveç Stadiumit...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Ka vdekur Menduh Mullaademi, stilisti i parë në Kosovë – një pre ikonave të Prishtinës. Për vdekjen e ti, kanë shkruar nga...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Banorët e shtëpisë më të famshme në vend, sot janë sfiduar për kapitenin e javës. Sfida e Kapitenit sot u organizua nga...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.