Kur erdhi në Kosovës si trajner i Pejës, askush nuk kishte mundur ta mendojë se boshnjaku Adis Beçiragiq do të linte gjurmë të mëdha në basketbollin e Kosovës.
Këtu erdhën e vazhdojnë të ‘aterojnë’ emra të ndryshëm të timonjerëve të huaj, jo shumë prej tyre mbetën gjatë, njofton Klankosova.tv.
9 Shkurti i vitit 2020 ishte dita kur KB Peja e zyrtarizoi marrëveshjen me shefin e shtabit teknik.
Aziz Bekir, siç njihet në botën ndërkombëtare të basketbollit timonjeri 54 vjeçar, pa kaluar as një javë e plotë që nga emërimi, ia pasuroi vitrinën e trofeve “Shqipnonjave”, duke triumfuar në finalen e Kupës së Kosovës në Rahovec, ndaj skuadrës së Golden Eagle Yllit.
Rreth një muaj më vonë, realiteti i jetesës do të ndryshonte në mbarë botën me Pandeminë COVID-19, andaj edhe kampionatet sportive u ndërprenë. Përderisa nuk dihej se çka do të ndodh, bashkëpunimi mes Pejës e kryetrajnerit, u ndërpre, por jo edhe historia e filluar e Beçiragiqit në Kosovë, transmeton Klankosova.tv.
Në Pejë jo, por kur rifilluan garat, trajneri boshnjak do të ishte sërish pjesë e basketbollit kosovar. Atë në krye të bankinës e emëroi pikërisht skuadra të cilën e mundi Bekir në finalen e Kupës 2020.
Nënshkrimi me të, do t’ia ndryshonte historinë klubit të themeluar në vitin 1975. Ylli do të shpallej për herë të parë kampion, kurse paraprakisht fitonte edhe dy trofe, Superkupën mbarëkombëtare dhe edicionin e parë të Ligës Unike.
Pos kësaj, të prirë nga kryetimonjeri i tyre, suharekasit do ta mbronin titullin kampion në Prince Caffe Superligën e Kosovës.
Në epokën e tij, Ylli luajti edhe në grupet e FIBA Europe Cup, duke marr madje një fitore të madhe në Gjermani, ndaj gjigantit Brose Bamberg.
Një vit më vonë, Trepça e Mitrovicës nënshkruan me teknikun nga Sarajeva, i cili një pjesë të madhe të jetës së tij e kaloi edhe në Turqi, ku edhe mori nënshtetësinë dhe emrin e ri të tij.
Mjaftoi një edicion i vetëm që në Mitrovicë të zbarkonin të gjitha trofetë e garave shqiptare, ku skuadra e qytetit verior, garoi, raporton Klankosova.tv.
Titulli kampion, Kupa e Kosovës, Liga Unike dhe Superkupa e shtetit, tashmë zbukuruan sirtarët e “Torcidës”. Dominim total dhe i “frikshëm” i mitrovicasëve në basketboll.
Siç e mbylli sezonin 2023/24, Trepça me Beçiragiq në krye, e nisi edhe të riun.
Në Superkupën shtetërore të organizuar në Prizren (7-11 shtator 2024), kampionët e Kosovës triumfuan përsëri, derisa trajneri karizmatik i tyre, rrumbullaksoi plot 10 trofe të fituara, që kur u bë pjesë e basketbollit të Kosovës në vitin 2020.
Ku do ta ketë përfundimin “Perandoria” e tij nuk dihet, por afër nuk duket të jetë!