×
  • Lajme
  • Lajme

    “Reja e zezë” mbi presidencën

    FrontOnline
    25 Qershor 2020

    Paraqitja e aktakuzës për shqyrtim nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, me seli në Hagë, në Dhomat e Specializuara, e cila e ngarkon presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasje, zhdukje me forcë, persekutim dhe torturë, do ta vë vetë presidentin para zgjedhjes së dy pozicioneve, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Prishtinë.

    Sipas tyre, pozicioni i parë është ai ligjor, sipas të cilit, presidenti Thaçi nuk do të duhej të jepte dorëheqje, sepse ndaj tij ende nuk ka një aktakuzë të vërtetuar. Për më shumë, në bazë të Nenit 91, të Kushtetutës së Kosovës, presidenti i vendit mund të shkarkohet në rast së “është dënuar për ndonjë krim të rëndë”. Por, sipas tyre, pozicioni i dytë në të cilin mund të gjendet presidenti Thaçi, është ai i presionit medial, moral dhe politik, gjë që do të mund ta shtynte presidentin të jepte dorëheqje nga posti i tij.

    Thaçi, për të ruajtur integritetin e zyrës, për të ruajtur kredibilitetin dhe reputacionin e Republikës së Kosovës, do të duhej të bënte një sakrificë të tillë, duke dhënë dorëheqje.

    Posti apo sakrifica?

    Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, thotë për Radion Evropa e Lirë se përkundër faktit që aktakuza e paraqitur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ende nuk është konfirmuar nga Dhomat e Specializuara, vetë barra e të qenit i akuzuar për vepra penale serioze do të duhej të ishte shtysë për presidentin Thaçi që të mos e dëmtojë reputacionin e Zyrës së Presidentit dhe të shtetit të Kosovës.

    “Është e vërtetë që në bazë të Kushtetutës, Presidenti i Republikës së Kosovës mund të shkarkohet vetëm nëse është i dënuar për vepër të rëndë penale. Por, po flasim gjithmonë në aspektin etik dhe moral që Zyra e Presidentit të Kosovës, në këtë rast presidenti Thaçi, për të ruajtur integritetin e zyrës, për të ruajtur kredibilitetin dhe reputacionin e Republikës së Kosovës, do të duhej të bënte një sakrificë të tillë, duke dhënë dorëheqje, për t’u përgatitur që të përballet qoftë me akuzat nga Zyra e prokurorit të Specializuar, qoftë me procesin që ka të bëjë në raport me të”, tha Miftaraj.

    Analisti i çështjeve politike Artan Muhaxhiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson që vetë akti i paraqitjes së aktakuzës për shqyrtim, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Dhomat e specializuara, me të cilën e ngarkon Thaçin, ka krijuar efekt në aspektin medial dhe politik.

    “Kjo e vë në pozitë jashtëzakonisht të vështirë presidentin Thaçi, posaçërisht në aspektin moral, sepse ia dobëson pozitën e tij negociuese. Pra, është një imponim për të, që të rimendojë postin e tij dhe mënyrën sesi do të vazhdojë karrierën e tij politike, pra, me anë të një dorëheqjeje, apo me anë të një pritjeje të vërtetimit të aktakuzës”, tha Muhaxhiri.

    Komunikata e Gjykatës Speciale e ka ndryshuar rrënjësisht pozicionin e presidentit Thaçi, imazhin dhe fuqinë e tij politike, posaçërisht në raport me bashkëpunëtorët ndërkombëtarë.

    Pozicioni i presidentit përballë faktorit ndërkombëtar

    Të dy njohësit e zhvillimeve vlerësojnë që në rast se Thaçi zgjedh që në pozitën e presidentit të presë vërtetimin e akuzës ndaj tij nga Dhomat e Specializuara, atëherë jo vetëm pozicioni negociues i këtij institucioni, por i gjithë imazhi dhe reputacioni i institucionit do të dëmtohej.

    Miftaraj thotë që, paraqita e aktakuzës për shqyrtim ndaj presidentit Thaçi, e ka dëmtuar kredibilitetin dhe integritetin, dhe jo vetëm të presidentit por edhe të zyrës së tij.

    “Duke u nisur nga fakti, apo nga praktikat e mëhershme, kur në ish-Jugosllavi kemi pasur edhe në të kaluarën pozita të larta të akuzuara për krime lufte, faktori ndërkombëtar, respektivisht, ambasadat e huaja, e kanë pasur shumë të vështirë që të komunikojnë, të bashkëpunojnë me këtë person. Ngjashëm në këtë rast me presidentin Thaçi, kur i njëjti, në të njëjtën kohë është i akuzuar për krime lufte”, tha Miftaraj.

    Ngjashëm mendon edhe analisti Muhaxhiri. Sipas tij, në rast se presidenti Thaçi vendos që ta mbajë postin e presidentit të vendit, deri në konfirmimin ose hedhjen poshtë të aktakuzës nga Dhomat e Specializuara, gjë që më së largu mund të jetë edhe rreth katër muaj, megjithatë, paraqitja e aktakuzës për shqyrtim nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, do t’i rrijë atij, siç tha ai, si “re e zezë” mbi kokë.

    “Nuk mendoj që ndonjë politikan i rëndësishëm ndërkombëtar, qoftë evropian apo amerikan, do të pranojë që ta konsiderojë si një partner të njëjtë ashtu siç ka qenë presidenti Thaçi para komunikatës së Gjykatës Speciale. Komunikata e Gjykatës Speciale e ka ndryshuar rrënjësisht pozicionin e presidentit Thaçi, imazhin dhe fuqinë e tij politike, posaçërisht në raport me bashkëpunëtorët ndërkombëtarë”, u shpreh Muhaxhiri.

    Ai shtoi se ndryshimi eventual i pozicionit politik të presidentit Thaçi, domosdo do të shkaktojë riformatizim dhe transformim rrënjësor të përfaqësimit shtetëror të Kosovës në dialogun me Serbinë. Një transformim i tillë, sipas tij, do të kërkojë kohë të konsiderueshme për harmonizime të vështira brenda spektrit politik të Kosovës.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar, të mërkurën, ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

    Ende nuk është e qartë se kush bën pjesë në grupin e “të tjerëve”, siç i ka cilësuar Zyra e Prokurorit.

    Pas këtij njoftimi, i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka anuluar udhëtimin e tij për në Uashington, ku ishte paralajmëruar të marrë pjesë në takimin e 27 qershorit që do të organizohej në Shtëpinë e Bardhë mes zyrtarëve të Kosovës dhe atyre të Serbisë. Udhëtimin për në Uashington e ka anuluar edhe kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti. /rel/

    Nga Rubrika
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Moti nga e hëna parashihet të jetë i ftohtë dhe me reshje të herëpashershme bore deri të mërkurën, ndërsa nga e enjtja...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Një aksident trafiku ka ndodhur sot rreth orës 17:00 në rrugën “Fahri Fazliu” në Prishtinë, ku janë përfshirë tri automjete. Si pasojë...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Pritjet për të hyrë në Kosovë përmes pikave kufitare te Dheu i Bardhë, dhe në Muçibabë po zgjasin një orë. E në...
    Të tjera
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Sekretari i PDK-së për organizim dhe zgjedhje, Betim Gjoshi ka thënë se të moshuarit kanë nevojë për pensione të dinjitetshme çdo muaj...
    Hulumtime22 Dhjetor 2024
    Real Madridi ka kaluar në epërsi ndaj Sevillas, në kuadër të xhiros së 19-të në LaLiga. Golin e ka shënuar kush tjetër...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Instituti Demokratik i Kosovës, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimit, ky kryeministri Albin Kurti dha njoftimin se Ministria e Financave po ndan për...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Sot, në një bashkëbisedim të zhvilluar në Gjilan me veteranë të UÇK-së dhe pensionistë të FSK-së,  kandidati per deputet i  PDK-se ,...
    Bota/Rajoni22 Dhjetor 2024
    Autoritetet gjermane të sigurisë e pranuan se kishin marrë informacione vitin e kaluar për autorin e dyshuar për sulmin vdekjeprurës në një...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Vullneti ia ka transmetuar Xhenetës fjalët e Drenushës për të. Ai i tregoi se Drenusha ka thënë se Xheneta është e varur...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.