Partia Demokratike e Kosovës, ka shuar edhe njëherë të gjitha zërat që e ndërlidhnin këtë parti me hyrjen në qeverinë aktuale të drejtuar nga Avdullah Hoti.
Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyqi, me anë të një postimi në Facebook, ka shtuar se hyrja në qeveri as nuk është diskutuar në organet e partisë.
Sipas tij, mediat po e thonë të kundërtën e asaj që po e deklarojnë zyrtarët e PDK-së.
Postimi i plotë:
Sot, në disa portale dhe media, është shpërndarë lajmi se kinse PDK ka dhënë shenja për të qenë pjesë e koalicionit qeverisës, ose nuk është duke e mohuar pjesëmarrjen e saj në koalicionin qeverisës në të ardhmen.
Ndërsa, kur e lexon ose e degjon intervistën e prof. Enver Hoxhajt, është e kundërta e asaj që thonë këta tituj e lajme.
Edhe pse e kemi përseritur shumë herë, disa media po vazhdojnë ta thonë të kundërtën e asaj që ne e kemi thënë.
PDK është në OPOZITË, hyrja në qeveri as që është trajtuar nga organet e partisë!.