×
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    Reagime për djegien e flamurit maqedonas në Shkup, BDI thotë se u dogj edhe flamuri shqiptar

    FrontOnline
    29 Nëntor 2024

    Gjatë festës së mbrëmshme për Ditën e Flamurit, 28 Nëntor, në lagjen Bit Pazar të komunës së Çairit në Shkup u regjistrua një incident, ku disa të rinj u panë duke djegur flamurin shtetëror të Maqedonisë së Veriut.

    Për rrjedhojë, ministria e brendshme e RMV-së njoftoi se ka arrestuar tetë persona lidhur me këtë rast, i cili nxiti reagime të mëdha.

    Kjo ministri njoftoi se në mesin e të arrestuarve është një i mitur ndërsa të tjerët janë nga 18 deri 21 vjeç.

    Sipas MPB-së maqedonase, katër nga ta dyshohen për veprën “nxitje e urrejtjes ndëretnike, racore dhe fetare, dhe grindje e mosdurim”, e dënueshme deri në një vit heqje lirie.

    Ky rast nxiti reagime të ashpra në mesin e qytetarëve, institucioneve shtetërore dhe partive politike në vend.

    Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për komentimin lidhur me ngjarjet e djeshme, me përdhosjen e flamurit maqedonas, deklaroi se e dënon ashpër rastin i cili tha se paraqet akt agresioni.

    “E dënoj ashpër. Megjithatë, paraqet një akt agresioni, diçka që ne paralajmëruam se do të ndodhte, se përpjekje të tilla për të përshkallëzuar ngjarjet dhe për të krijuar tensione etnike, do të ketë dhe do të ketë edhe në të ardhmen. Nëse mendoni se ky do të jetë një rast i izoluar, nuk do të jetë. Prisni që të ketë edhe në të ardhmen, sepse siç u afrohet por me siguri kriminelëve dhe si drejtësia troket në dyert e tyre, ata do të bëhen më nervozë, më të padurueshëm dhe e vetmja mënyrë për të mbrojtur kapitalin e tyre të fituar në mënyrë kriminale, është pikërisht kështu duke manipuluar dhe shkaktuar incidente të këtij lloji”, u shpreh kryeministri maqedonas.

    Partia në pushtet, VMRO-DPMNE bëri thirrje për vënien e autorëve para drejtësisë, ndërsa vlerësoi se, siç thuhet, ngjarja ka prapavijë politike dhe kishte për qëllim nxitjen e ndarjeve dhe tensioneve etnike.

    Ministri i brendshëm i RMV-së, Pançe Toshkovski, dënoi incidentet gjatë festimeve të mbrëmshme të siç tha grupeve të caktuara, të cilat i cilësoi si “sulm direkt ndaj shtetit”.

    Toshkovski tha se policia nuk do të lejojë veprime të tilla të nxisin tensione ndëretnike në Maqedoni të Veriut. Ai tha se “këto veprime janë dëshmi e paralajmërimeve për përpjekje për të shkaktuar padurim ndëretnik”.

    “Policia do të ndërmarrë të gjitha masat për zbardhjen e incidenteve”, shtoi Toshkovski.

    Lidhja Social Demokrate në opozitë, akuzoi pushtetin dhe Ministrin e Rendit, Pançe Toshkovski për “mungesën e veprimeve për parandalim, kontroll dhe të ndërhyrjes së shpejtë për pengimin e incidenteve”, ndërsa kërkon dorëheqjen e ministrit.

    Reagim pati edhe nga koalicioni VLEN i partive shqiptare, që është pjesë e qeverisë. Ata e dënuan incidentin ndërsa akuzuan Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) se në këtë mënyrë po përpiqet “ta destabilizojë vendin”.

    Ndërkohë partitë shqiptare të opozitës, BDI dhe Aleanca për Shqiptarët, duke e dënuar incidentin, njoftuan për një incident të djegies së flamuri shqiptar dhe shprehën shqetësim për, siç thanë, “qasjen selektive dhe të njëanshme të policisë”, e cila ka marrë masa vetëm ndaj qytetarëve shqiptarë të përfshirë në incidente.

    “Kjo ndërhyrje, në vend që të ruante rendin publik, provokoi tensione të panevojshme dhe krijoi një klimë konfrontimi, duke cenuar të drejtën për të festuar lirshëm këtë ditë simbolike”.

    “I bëjmë thirrje institucioneve të veprojnë me maturi, profesionalizëm dhe paanshmëri, pa dallim, dhe duke garantuar të drejtën e qytetarëve për të shprehur lirshëm identitetin dhe kulturën e tyre. Në të njëjtën kohë, ftojmë qytetarët shqiptarë dhe të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut që të ruajnë qetësinë, dinjitetin dhe unitetin, duke mos rënë pre e provokimeve dhe manipulimeve të atyre që synojnë të përçajnë dhe të destabilizojnë vendin”, u tha në reagimin e BDI-së.

    Ndërkaq kreu i Kuvendit Afrim Gashi në pyetjen e gazetarëve se si e komenton arrestimin e personave të mbrëmshëm pas ngjarjeve që ndodhën në Ditën e Flamurit, e mos ndërmarrjen e asnjë mase për kryerësit që dogjën flamurin shqiptar, thotë se nuk i di detajet, por e dënon rastin.

    “Nuk jam në rrjedha për detajet, vetëm e di në parim. Mund të ju them se djegia e flamujve nuk ju shërben askujt, qoftë shqiptar apo maqedonas, turk, vlleh apo çkadoqoftë. Ndjenjat e patriotizmit duhet t’i kemi drejt shtetit të cilit jetojmë, duke i kultivuar dhe respektuar flamujt tanë. Mund të shfaqim ndjenjë të patriotizmit, mirëpo duke denigruar, shkelur apo djegur flamuj të tjerë, kjo flet keq për secilin që e bën një veprim të atillë. Dhe unë jam kundër kësaj dhe mendoj se një njeri që e bën një veprim të atillë është në kundërshtim me interesat e këtij shteti, me interesat kombëtare, qoftë shqiptare apo maqedonase, por edhe të komuniteteve të tjera”, tha Gashi.

    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni29 Nëntor 2024
    Ministri i Jashtëm i Ukrainës Andrii Sybiha ka nxitur homologët e tij në NATO për t’i bërë ftesë vendit të tij gjatë...
    Bota/Rajoni29 Nëntor 2024
    Tensioni i lartë i gjakut, i njohur gjithashtu si hipertension, është një gjendje që shpesh kalon pa simptoma, por që mund të...
    Bota/Rajoni29 Nëntor 2024
    Reshjet e shiut dhe borës kanë bërë që shërbimet e Policisë së Shqipërisë të rrisin prezencën e tyre në rrugët urbane ashtu...
    Të tjera
    Kronika29 Nëntor 2024
    Policia e ka intervistuar 32-vjeçarin, D.Sh. pasi dyshohet se më 15 gusht ka shtënë me armë zjarri në një aheng familjar në...
    Lajme29 Nëntor 2024
    Me qëllim të shtimit të sigurisë publike dhe parandalimit të incidenteve të natyrave të ndryshme, Policia e Kosovës njofton se ka shtuar...
    Lajme29 Nëntor 2024
    Leonard Ademaj, vëllai Liridona Ademajt kërkon nga prokuroria që të përgatitet sa më shpejt aktakuza për vrasjen e motrës së tij nga...
    Vip29 Nëntor 2024
    Driloni dhe Anisa kanë kaluar pak kohë bashkë në oborrin e shtëpisë. Ata kanë folur për lojën  brenda shtëpisë, përcjell Klankosova.tv. “Me...
    Sport29 Nëntor 2024
    Futbollistet e Kosovës kanë fituar thellë, 8:0, në miqësoren e parë ndaj Estonisë që u zhvillua të premten. Kaltrina Biqkaj shënoi për...
    Bota/Rajoni29 Nëntor 2024
    Një burrë dhe një grua nga Kosova janë gjetur të vdekur nga arma e zjarrit, mbrëmjen e 27 nëntorit në Florida të...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.