Flora [emër i vendosur nga redaksia], është njëra nga viktimat e dhunës në familje e cila ka gjetur strehim për më shumë se gjashtë muaj në një nga qendrat e strehimit në Kosovë.
Dhuna psikologjike, e më pas edhe fizike nga bashkëshorti i saj, e ka detyruar Florën të dalë nga shtëpia dhe të kërkojë ndihmë nga policia. Mё pas, ajo është vendosur në qendrën e strehimit.
“Ka filluar dhuna fizike, një herë e kam paraqitur rastin [në polici] edhe është stabilizuar pak. Kam menduar se është përmirësuar. Por, pas dy-tre muajve ka vazhduar prapë ta përdorë alkoholin dhe ka filluar edhe dhuna fizike”, thotë Flora në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.
Ajo thotë se është ballafaquar me dhunë psikologjike për vite me radhë.
Sipas Policisë së Kosovës, që nga fillimi i këtij viti e deri në muajin gusht janë paraqitur mbi 1,338 raste të dhunës ndaj grave, prej tyre 4 raste kanë përfunduar me vdekje.
Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare që monitorojnë këto raste, thojnë se në Kosovë për 30 deri në 35% është rritur numri i rasteve të dhunës në familje, kurse autoritetet e sigurisë tregojnë se në rritjen e numrit të rasteve të dhunës ka ndikuar pandemia.
“Procesi për integrimin e viktimave është i paprekur”
Në Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë, gjatë këtij viti janë paraqitur 56 raste, thotë për Radion Evropa e Lirë, drejtoresha e kësaj organizate, Zana Hamiti.
Ajo shpjegon se përveç këtij numri, qendra është duke ndihmuar, këshilluar dhe trajtuar edhe shumë raste të tjera në formën online.
“Dihet që gjendja ekonomike, tash edhe në pandemi kjo situatë është rënduar edhe me tepër. Procesi për integrimin e viktimave është i paprekur. Institucionet nuk janë duke vepruar. Nuk ka banime sociale. Viktima kur nuk ka ku të kthehet, kur nuk e ka një vendbanim të sigurt ajo detyrohet të kthehet të dhunuesi prapë dhe dhuna po është e përsëritshme”, tha ajo.
Edhe Erblina Dinarama, drejtoreshë e Qendrës ‘Shtëpia e Sigurt’ me seli në Gjakovë, thotë se viti 2019 dhe 2020, janë vitet ku numri i rasteve të dhunës ndaj grave ka shënuar rritje.
“Nga 1 janari 2020 deri në këto momente, janë 61 raste nëna dhe fëmijë të cilët ne i kemi strehuar në qendrën tonë. Në muajin gusht kemi pasur 18 raste të reja të cilat janë strehuar në qendrën tonë dhe aktualisht i kemi 19 persona në strehimore”, tha ajo.
Dinarama megjithatë dyshon se rastet e dhunës së raportuar nuk janë reale, pasi që, siç thotë ajo, rastet e dhunës në familje dhe kundër grave janë edhe më të mëdha, por se ato nuk raportohen.
Një nga komunat në Kosovë që konsiderohet se ka një numër po ashtu të madh të rasteve të dhunës në familje është raportuar se është ajo e Gllogocit – Drenasit.
Autoritetet thonë se mbi 30 raste janë raportuar kohëve të fundit në këtë komunë.
Kthimi në shtëpi me insistim të punëtorëve socialë?
Drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Komunën e Drenasit, Ilim Dobra, tha për Radion Evropa e Lirë, se me ndihmën e punëtorëve socialë, disa nga rastet që kanë përjetuar dhunën fizike, janë kthyer në familje dhe siç thotë ai “janë pajtuar (me bashkëshortin) dhe po vazhdojnë jetën si më parë”.
Ai madje tregon edhe për një rast të fundit se si është kthyer në familje.
“Kemi ardhur në përfundim duke biseduar me të [viktimën] se faktikisht ajo ka qenë një mosmarrëveshje… Ka qenë [veprimi] i momentit edhe pse mendojke se ka pasur dhunë, por nuk ka qenë në ekstrem diçka si e pariparueshme. Kështu që me insistimin e zyrtarëve, organit profesional që është, kemi ardhur në përfundim që burri ka pranuar që prapë ajo të kthehet, dhe këtë e ka pranuar edhe ajo. Kështu që kemi shkuar e kemi marrë e kemi kthyer të bashkëshorti i saj dhe çdo gjë është në rregull një herë”, tha Dobra.
Radio Evropa e Lirë megjithatë ka kuptuar se rasti në fjalë ka pasur dyshime për t’u kthyer në familje, por me insistimin e punëtoreve socialë ajo është kthyer të bashkëshorti saj.
Rrjeti i Grave të Kosovës që përfaqëson interesat e 151 organizatave anëtare, përfshirë këtu organizatat e grave të të gjitha grupeve etnike në Kosovë, thotë se në vazhdimësi janë duke i monitoruar rastet e dhunës në familje, duke përfshirë këtu rastet e dhunës ndaj grave.
“Kemi vërejtur se ka raste kur gratë i falin bashkëshortët dhe kthehen te ta. Mirëpo, prokuroria do të duhej ta hetonte mirë rastin se pse gratë po dorëhiqen, për shkak se prapa kësaj dorëheqjeje zakonisht qëndrojnë arsye si: presioni familjar, presioni i zyrtarëve instititucional, kushtet e rënda ekonomike, mungesa e pronës, papunësia, si dhe frika e humbjes së kujdestarisë së fëmijëve“, thuhet në një përgjigje me shkrim nga Rrjeti i Grave të Kosovës.
Ky rrjet thotë se gjatë monitorimit është vërejtur që kualifikimi i veprave penale nga ana e Prokurorisë ndodhë shumë shpesh që të mos bëhet ashtu siç ka qenë vepra.
“Për shembull, ka raste kur tentim-vrasjen e kanë cilësuar si dhunë në familje/kanosje, dhe si pasojë e kësaj kryesi i veprës penale është dënuar vetëm me 7 muaj burg me kusht”, thonë në këtë rrjet.
InfografikëRritet dhuna ndaj grave në kohë pandemie
Për dhunën në familje, por në veçanti ndaj grave, të enjten është diskutuar edhe në Kuvendin e Kosovës.
Deputetja Vlora Limani-Hajnuni, në emër të grupit të grave deputete, tha se sistemi i drejtësisë në Kosovës, duhet të zbatojë politika të ashpra dënuese ndaj çdo dhunuesi e çdokujt që shkakton dhunë në familje.
“Në një periudhë të tillë kohore kur kemi rritje të rasteve të dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave, sistemi i drejtësisë nuk duhet të jetë neglizhent dhe indiferent ndaj këtyre rasteve. Prandaj, sistemi i drejtësisë duhet ta bëjë të qartë se dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje është akt i papranueshëm i cili sanksionohet me dënim maksimal”, tha Limani – Hajnuni.
“Rri n’shpi” nuk bën punë për viktimat e dhunës në familje
Gjatë kësaj jave, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, derisa ka marrë pjesë në një organizim nga Instituti Demokratik i Kosovës, ku ishte duke folur për dialogun politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, iu është ndërprerë fjala nga disa anëtare të Partisë Socialdemokrate, të cilat e kritikuan atë duke i thënë se ‘nuk po ndërmerr asnjë veprim kundër dhunës ndaj grave’.
Gratë që i ndërprenë fjalën Hotit, kanë kërkuar që kryeministri Hoti të veprojë e të flas për dhunën ndaj grave. Kryeministri Hoti, ka lejuar që ato të shprehen dhe ka thënë se vet ai është në anën e tyre për të mbrojtur gratë dhe për të ndaluar dhunën në familje.
Kurse Flora, viktima e dhunës, nga vuajtjet që ka përjetuar, ka ftuar të gjitha gratë që mos ta heshtin dhunën, por të flasin për të.