Nga Imer Mushkolaj
Kush e bëri bërllok qeverisjen në Prishtinë? Mungesa e rezultateve të PDK’së, sipas Perparim Ramës apo skandali i këmbimit të pronave të komunës, sipas PDK’së?
Në prill të vitit të kaluar, kryetari i komunës së Prishtinës, Perparim Rama, thurte lavde për Partinë Demokratike të Kosovës, me të cilën ishte në koalicion. Thoshte se bashkëpunimi me këtë parti ishte fantastik, se ekipi është i mirë dhe se strategjia e tyre është që ta lënë anash përkatësinë partiake.
Por, pa kaluar një vit nga kjo deklaratë, bashkëpunimi po del të jetë jo aq fantastik. Rama shkarkoi zyrtarë të lartë të PDK’së, madje edhe nënkryetaren. Gjithçka ndodhi pasi plasi skandali i këmbimit të një prone komunale me një private, që nuk u mbështet nga PDK, por u përkrah nga Lëvizja Vetëvendosje, këshilltarët e së cilës e bënë kuroumin në seancë.
Në komunikimin me qytetarët nëpërmjet Facebookut, Rama tha se drejtorin e Shërbimeve Publike e kishte shkarkuar për shkak se ai nuk ishte treguar i suksesshëm në menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet. Por, pyetja e thjeshtë në këtë mes është: nëse kjo është arsyeja e vërtetë, pse ai nuk u shkarkua më herët, sepse gjendja me bërllok është skandaloze që kur Rama mori qeverisjen.
Në komunikimin tjetër, po nëpërmjet Facebookut, Rama e arsyetoi shkarkimin nga detyra të nënkryetares po me mospunë, kësaj radhe në digjitalizimin e shërbimeve të komunës.
Zyrtarë të PDK’së në reagimet e veta lënë të kuptohet se kjo ishte një hakmarrje e kryetarit për kundërshtimin e PDK’së që ta përkrah në idenë e tij për këmbimin e pronave. “Prishtina na bashkoi, Badoci na ndau”, shkroi ish-nënkryetarja. Me “Badoc” ajo iu referua pikërisht vendndodhjes së pronës private, e cila u këmbye me pronë komunale me hapësirë më të madhe dhe më të shtrenjtë. Pronarë të pronës private afër Liqenit të Badovcit janë ish-klientë të arkitektit Rama para se ai të futej në politikë.
Ish-drejtori i Shërbimeve Publike ka thënë se komunikimi me Ramën ishte i mirë dhe se ishte befasuar me vendimin për largimin nga detyra. Sipas tij, ai vazhdimisht ishte lëvduar nga Rama për punën e tij.
* * *
Perparim Rama mund ta ketë lëvduar ish-drejtorin e tij, por zor se lëvdohet puna e tij gjatë dy vjetëve qeverisje. I kthyer nga Londra në Prishtinë me bujë të madhe, ai gjatë kryetarëllkut nuk ka treguar kushedi çfarë menaxhimi të qytetit më të madh kosovar. Qentë endacakë janë bërë “trademark” i tij, ashtu si dhe bllokimi i rrugëve dhe tollovitë në komunikacion.
Projektet e mëdha të premtuara në fushatë zgjedhore nuk shihen askund, ndërkohë që vazhdon të flasë për njëfarë “energjie pozitive” të banorëve të Prishtinës. E këta banorë të Prishtinës jetojnë në një qytet super të ndotur, më të ndoturin ndonjëherë. Këta banorë vazhdojnë të mos kenë mundësi të shfrytëzojnë një transport normal publik, vazhdojnë të vuajnë kaosin e ndërtimeve dhe mungesën e hapësirave të gjelbra. Këta banorë vazhdojnë të vuajnë radhët e gjata për marrjen e shërbimeve, ndërkohë që kryetari nuk po arrin të bëjë ndonjë ndryshim rrënjësor.
Tash ai duket se ka zgjedhur të qeveris pa PDK’në, por me partitë tjera të vogla, një model që është parë edhe në të kaluarën. Tash e tutje Prishtina me aq shumë probleme do të vuajë edhe pasojat e përplasjeve politike, si rezultat i mosarritjes së qëllimeve, të cilat mund të mos jenë fare në interes të qytetarëve.
Kryeqyteti nuk pastrohet nga bërlloku pa një ndërmarje serioze të përbashkët, pa themelimin e një kompanie komunale e cila nuk do të mbushet me militantë partiakë, por me njerëz punëtorë e të përkushtuar.
Megjithatë, punëtor e i përkushtuar nuk duket të jetë as vetë Rama. Qeverisja nga Facebooku më shumë sesa nga terreni të kujton paraardhësin e tij. Premtimet e mëdha kanë mbetur veç fjalë të thata të cilat tingëllojnë bukur, por realizohen vështirë.
Nuk mund ta fajësosh për dështim një drejtor të partisë tjetër ose gjithë partinë partnere në koalicon. Përgjegjësia në radhë të parë i takon Ramës, pa marrë parasysh se cilët janë drejtorët të cilët qeverisin. Qytetarët e kanë votuar atë për transformimin e qytetit, e jo për “transformimin” e pronës publike për interesa të tjera, siç po akuzon opozita.
P.S. Seriozisht, na mbyti bërlloku!