×
  • Lajme
  • Lajme

    Qeveria e Kosovës themeloi Strukturat për Planifikim Strategjik

    FrontOnline
    09 Korrik 2020

    E drejtuar nga kryeministri Avdullah Hoti, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e dymbëdhjetë të rregullt në të cilën ka miratuar vendime dhe dokumente tjera të fushave të saj të përgjegjësive ligjore dhe kushtetuese.

    Në mbledhjen e sotme Qeveria e Kosovës ka shqyrtuar kërkesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës për dhënien e mendimit lidhur me nismën legjislative të grupit të deputetëve për Projektligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID – 19 në territorin e Republikës së Kosovës. Të gjitha ministritë kompetente e kanë përcjellë opinionin dhe deklaratat e tyre sipas fushëveprimit përkatës të tyre, në rrjedhë të kësaj Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se nuk e mbështet nismën legjislative të inicuar nga disa deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës për rregullim të ri ligjor me të cilën bëhet kufizimi i disa prej lirive dhe të drejtave themelore të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. E vlerëson të panevojshme miratimin e projektligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës me arsyetimin se ligjet e aplikueshme në Kosovë e rregullojnë në mënyrë të mjaftueshme fushën e luftimit dhe të parandalimit të sëmundjeve ngjitëse në Kosovë. Konsideron se Kushtetuta e Republikës së Kosovës ka dispozita të veçanta që adresojnë çështje që institucionet e Kosovës kanë për obligim t’i ndërmarrin në raste të caktuara të rrezikut të shëndetit publik.

    Qeveria ka shqyrtuar edhe kërkesën tjetër të Kuvendit të Republikës së Kosovës për dhënie të mendimit lidhur me nismën legjislative për Projektligjin për masat e përkohshme për të lehtësuar efektin e Pandemisë COVID – 19. Sipas procedurave përkatëse të gjitha ministritë kompetente kanë përcjellë opinionet dhe deklaratat e tyre sipas fushëveprimit përkatës të tyre. Në rrjedhë të kësaj, Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se tashmë ka ndërmarrë veprimet konkrete për adresimin e çështjeve të ngritura në nismën legjislative. Tashmë ka proceduar në Kuvend Projektligjin për rishikimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020, ku ka planifikuar mobilizimin e një buxheti në vlerë prej 385 milionë euro për zbatimin e planit për rimëkëmbje ekonomike. Gjithashtu, Ministria e Financave në procedura urgjente  është duke e draftuar Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike pas pandemisë COVID-19 i cili projektligj është paraparë edhe në programin legjislativ të Qeverisë për vitin 2020. Qeveria vlerëson se çështjet, të cilat synon t’i adresojë nisma e tillë legjislative do të përfshihen në kuadër të Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike pas pandemisë COVID -19, i cili shumë shpejt do të finalizohet nga Ministria e Financave dhe pas miratimit në Qeveri do t’i procedohet Kuvendit për aprovim.

    Në funksion të avancimit dhe rregullimit të planifikimit strategjik, Qeveria e Kosovës ka themeluar Strukturat për Planifikim Strategjik, respektivisht Komisionin për Planifikim Strategjik, dhe Grupin Drejtues për Planifikim Strategjik. Komisioni për Planifikim Strategjik është mekanizëm që do të drejtojë procesin e Kornizës Kombëtare të Planifikimit dhe Menaxhimit Strategjik në Kosovë. Anëtarët e përhershëm të KPS-së janë:

    1. Kryeministri, kryesues;
    2. Zëvendëskryeministri, zëvendëskryesues;
    3. Ministri i Financave;
    4. Kryesuesi i GDPS-së.

    Ndërsa, Grupi Drejtues për Planifikim Strategjik është mekanizëm koordinues ndërinstitucional që mbështet Komisionin, dhe është përgjegjës për koordinimin e zhvillimit të dokumenteve kryesore strategjike, sigurimin e harmonizimit të dokumenteve strategjike dhe ndërlidhjes me burimet buxhetore, koordinimin e zbatimit të Sistemit të Planifikimit të Integruar në Kosovë, si dhe sigurimin e koordinimit dhe harmonizimit të proceseve kryesore planifikuese të Qeverisë.

    Në mbledhjen e sotme kabineti qeveritar ka miratuar edhe Programin për Komunitete, i cili ka për qëllim përcaktimin e kritereve dhe procedurave për ndarjen e subvencioneve apo transfereve nga buxheti i ndarë për Zyrën për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit, për mbështetjen dhe promovimin e të gjitha komuniteteve në Republikën e Kosovës.

    Ka marrë miratimin e Qeverisë edhe vendimi për themelimin e Komitetit Ndërministror për Investime Strategjike, i cili do të bëjë vlerësimin, përzgjedhjen, zbatimin dhe mbikëqyrjen e projekteve për investime strategjike në vend. Komisioni përbëhet nga:

    1. Vesel Krasniqi, ministër i MTI, kryesues;
    2. Hykmete Bajrami, ministre e MF, anëtare;
    3. Blerim Kuqi, ministër i MEA, anëtar;
    4. Besian Mustafa, ministër i MBPZHR, anëtar;
    5. Enis Kervan, ministër i MZHR, anëtar;
    6. Kryetari i komunës në të cilën realizohet investimi strategjik, anëtar;
    7. Ministri i ministrisë në të cilën realizohet investimi strategjik, anëtar;
    8. Sami Istrefi, Avokat i Përgjithshëm Shtetëror, anëtar.

    Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar dhe aprovuar Raportin e konsoliduar vjetor për funksionimin e sistemit të Kontrollit të Brendshëm të Financave Publike në Subjektet e Sektorit Publik të Kosovës për vitin 2019, të përgatitur nga Ministria e Financave.

    Aprovimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme e ka marrë edhe Koncept Dokumenti për kompensimin e viktimave të krimit që është propozuar nga Ministria e Drejtësisë. Ky Koncept Dokument rekomandon hartimin e ligjit të ri për kompensimin e viktimave të krimit, informimin e institucioneve përgjegjëse, si dhe vet viktimat e krimit për të drejtën e kompensimit nga shteti.

    Miratimin e kabinetit qeveritar e ka marrë edhe vendimi për ndryshimin e normës së tatimit të akcizës për mallrat si në vijim:

    1. Ujërat, duke përfshirë ujërat minerale dhe të ajrizuara, të cilat përmbajnë sheqer të shtuar apo ndonjë material tjetër ëmbëlsues apo që janë me shije, si dhe për pijet e tjera joalkoolike, duke mos përfshirë lëngjet e frutave apo të perimeve.
    2. Veturat dhe automjetet e tjera motorike hibride të disenjuara për transport të personave (përpos atyre nga kaptina 8702), duke përfshirë veturat me karvan dhe veturat për gara.

    Kanë marrë miratimin e Qeverisë në mbledhjen e sotme katër nisma për nënshkrimin e marrëveshjeve:

    1. Nisma për marrëveshjen e grantit për projektin “Financimi i emergjencës së pandemisë për Kosovën” në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Botërore;
    2. Nisma për marrëveshjen e kredisë për projektin “Kredia Emergjente për infrastrukturë vitale” në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH);
    3. Nisma për negocimin e marrëveshjes së grantit për projektin “Kosovë, Autostrada Kijevë – Zahaq: Financimi i rrugës dhe studim institucional”, në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH); dhe
    4. Nisma për negocimin e marrëveshjes për zgjatjen e grantit për financimin e projektit “Kosovë, Projekti Rrugët Rajonale: Mbështetje për njësitë zbatuese të projektit”, në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

    Është miratuar edhe vendimi për të kërkuar nga Presidenti i Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit për Ministren e Financave për nënshkrimin e Marrëveshjes së Kredisë “Ndihma Makro-Financiare për Kosovën”, në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e përfaqësuar nga Komisioni Evropian.​

    Po ashtu, në këtë mbledhje të Qeverisë me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë është aprovuar edhe Plani i Veprimit për testimet për COVID -19. Me këtë Plan të Veprimit pritet që me rritjen e mbulueshmërisë së testimeve për COVID -19 qe do të arrihet një pasqyrë shumë më reale e shpërndarjes së infeksionit. Do të krijohen mundësi për kujdes dhe trajtim shumë më të mirë të personave të infektuar me COVID-19, duke rritur kapacitet në të gjithë sistemin shëndetësor.

    Nga Rubrika
    Lajme22 Nëntor 2024
    Për të shtunën parashikohet fillimisht të vazhdojnë reshjet e borës lokalisht gjatë orëve të para të 24-orëshit, ndërsa dita do të vijojë...
    Lajme22 Nëntor 2024
    Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi përmes një postimi në Facebook ka thënë se reshjet e borës po vazhdojnë dhe pritet që të...
    Lajme22 Nëntor 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në X ka bërë një shkrim në lidhje me konfiskimin e armatimit gjatë tri ditëve të fundit...
    Të tjera
    Lajme22 Nëntor 2024
    Fatmir Humolli deputet i pavarur, dikur i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se çdo figurë politike e ka evoluimin e vet dhe në...
    Lajme22 Nëntor 2024
    Gjykata Speciale ka njoftuar se Trupi Gjykues i ka refuzuar kërkesën e Mbrojtjes që t’i lejojë Pjetër Shalës mosparaqitjen e tij në...
    Lajme22 Nëntor 2024
    Njohësi i i çështjeve të emergjencave civile, Tahir Ahmeti ka reaguar pasi situatës së rrugët  e Prishtinës si pasojë e të reshurave....
    Vip22 Nëntor 2024
    Diana është paraqitur në një lidhje direkte nga Norvegjia në “Big Brother Vip Kosova 3”. Diana, e cila la shtëpinë e BBVK3...
    Bota/Rajoni22 Nëntor 2024
    Austria ka hequr veton e saj sa i përket bashkimit të Bullgarisë dhe Rumanisë në zonën pa pasaporta, Schengen, duke hapur mundësinë...
    Lajme22 Nëntor 2024
    Duke komentuar fjalimin vjetor të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani para deputetëve, Ilir Deda, bashkëpunëtor i Institutit për Shkenca Humane në Vjenë,...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.