Nga Hisen Berisha:
Se kemi të bëjmë me një kastë politike mashtruesish këtë e kanë dëshmuar me këto pak vite qeverisje, por shumë zhurmë pa bërë asnjë punë.
Është e pranueshme që të pretendohet të bëhet punë apo të vazhdohen punët e mbetura në proces.
Por është tejet e pandershme të mos ruhet vazhdimësia e punëve në proces dhe vetë procesi, e për më tepër të pretendohet se “historia fillon me mua”. Kjo metodë punë, përveç mashtrimit dhe miskinitetit, kur është i qëllimshëm e shkatërron edhe sistemin politik shtetëror. Këto ditë u mbajt “saloni i së martës” ku Ministrja e Drejtësisë shpalosi miskinitetin e saj me doktrinën e vjetër të mohimit të çdo pune të bërë në këtë vend, përfshi edhe në fushën e drejtësisë tranzicionale. Edhe pse ky mekanizëm ka mision pajtimin e palëve të dala nga konflikti dhe paqen, praktika ka dëshmuar se është e pamundur të arrihet paqe pa u vendosur drejtësi së pari.
E vërteta është se gjatë qeverisjes së z. Thaçi ka filluar kjo nismë për “Drejtësi Tranzicionale”, për çka edhe janë prodhuar dokumentet si dëshmi të kësaj pune, siç është edhe: “Manual i për Drejtësinë Tranzicionale. Konceptet, Mekanizmat dhe Sfidat,” në vitin 2015.
Qëllimi i këtij manuali ishte, siç theksohet, “që të jetë pikë reference për të kuptuarit e asaj se çka është DT, çka përfshin ajo, cilat janë sfidat dhe grackat e saj dhe – edhe më e rëndësishme – përse është thellësisht e rëndësishme për të trajtuar të kaluarën në shoqëritë post-konfliktuale.”
Pra, siç theksohet në dokumentin e kohës, “Drejtësia Tranzicionale (DT) është e interesuar për pajtimin midis ish armiqve. Së këndejmi, është e dobishme që të shikohet në historinë e Kosovës për të kuptuar marrëdhëniet midis popullit shqiptar dhe serb, të cilat përfundimisht kanë çuar deri te lufta. Është, madje, edhe më e rëndësishme, megjithatë, për t’ia hedhur një shikim historisë më të fundit, në veçanti zhvillimit të luftës dhe dëmeve të mëdha të shkatërrimeve të luftës tek të dyja palët, gjë që thellësisht i arsyeton përpjekjet e DT-së.” Lufta midis asaj se kujt i takon Kosova daton që nga gjurmët e para të jetës në rajon. Apo siç thuhet në vargjet e Fishtës, “n’mni t’shoj shojt ata kan le, kan n’shej veti i qiell e i dhe.”
Pra konflikti shqiptaro-serbosllav daton që nga dyndjet e para sllave në trevat e Ballkanit apo Ilirisë, dhe janë pretendimet e tyre që i kanë frymëzuar për të luftuar për kontroll të rajonit disa herë gjatë historisë.
Ky manual sqaron po ashtu se, “derisa konteksti i këtillë është substancial për të kuptuarit e konfliktit, është po ashtu krejt e dorës së dytë, krahasuar me zhvillimet më të reja në rajon, se ku versionet selektive të historisë të të dyja palëve kanë siguruar një truall të frytshëm për politikanët oportunistë për të shfrytëzuar pakënaqësitë dhe frikën si dhe për të nxitur intolerancën, militarizimin dhe, përfundimisht, luftën, që në Kosovë kjo është bërë nga Sllobodan Millosheviç.”
Shqiptarët në Kosovë kanë protestuar kundër represionit në rritje të ushtruar ndaj tyre, fillimisht në mënyrë paqësore, dhe, nga viti 1996 edhe me forcën e armës – me krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), që ka filluar luftën çlirimtare kundër regjimit serb, ushtrisë, paramilitarëve, policisë dhe administratës së dhunshme serbe, por edhe kuislingëve dhe bashkëpunëtorëve të pushtetit kriminal të Millosheviqit, deri në çlirimin përfundimtar në qershor 1999. Kurse sot, në mënyrë të paskrupullt, Ministrja e Drejtësisë, zonja Albulena Haxhiu, rren se ajo pas 25 vitesh e ka nisur jetësimin e drejtësisë tranzicionale si proces.
Por, dëmin më të madh kësaj nisme ia bëjnë pikërisht kasta politike që kjo zonja Vetingu i takon, me ligjin për përcaktimin e periudhës së hetimit të krimeve të kryera gjatë luftës, pa u theksuar autorët e krimit, por vetëm periudha nga Marsi 1998 deri në Dhjetor të vitit 2000. Ndërsa vite më parë, kur kjo nismë ishte dokumentuar dhe po hapte mundësinë e veprimit në zbardhjen e krimeve dhe vendosjen e drejtësisë, e cila fillonte me vështirësinë e një treni me avull, nga se pavarësia edhe pas pavarësisë, mbikëqyrej dhe filtrohej pengueshëm nga EULEX.
Po ashtu, kjo dhe çdo nismë tjetër politike në vendin tonë nga ky vit e deri në ardhjen në pushtet të LVV dhe koalicionit qeverisës mazhoritar, përmes mohimit të çdo arritjeje në këtë vend, u pengua përmes “revolucionit të shamive të kuqe”, të kësaj kaste politike që kallën dhe rrënuan çdo vlerë të këtij shteti duke e kthyer në burim të lajmeve të pasigurisë dhe dështimeve.
Kjo edhe e privoj shtetin e Kosovës nda njohjet edhe pas skadimit të moratoriumit një vjeçar, nga çfarëdo investimi a investitori serioz dhe përmbyllja e procesit të pavarësimit e secesionit të plotë me Serbinë.