×
  • Opinione
  • Opinione

    Qartësia e rrezikshme

    Blerim Shala
    23 Qershor 2024

    Shkruan: Blerim Shala

    Që prej se nisi ky kapitulli i mbramë (dhe i fundit, ashtu ishte paraparë të ishte) i bisedimeve të Kosovës dhe Serbisë në marsin e vitit 2011, ishte supozuar, jo vetëm prej nesh, por edhe prej kryeqendrave perëndimore (Washingtonit dhe Brukselit) që teksa çështja e statusit të Kosovës kishte marrë fund tashmë, me bërjen e shtetit të Kosovës (në vitin 2008), dialogu në mes të autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit, do të duhej i tëri të përqendrohej në normalizimin e marrëdhënieve në mes të këtyre dy shteteve.

    Serbia ishte ende brenda Kosovës, me strukturat e saja të të gjitha llojeve (prej atyre të sigurisë e tutje). Këto struktura duhej të shuheshin ose të largoheshin (në Serbi), sovraniteti i Kosovës duhej të shtrihej në të gjitha pjesët e vendit, teksa vet bisedimet do të duhej të krijonin rrethana të tilla kur Kosova dhe Serbia për herë të parë në historinë e tyre do të ishin fqinjë të mirë dhe kur do të bashkëjetonin, në një të ardhme afatmesme, si shtete anëtare të Bashkimit Evropian.

    Tek e fundit, integrimi i Kosovës dhe i Serbisë në BE, shihej si një ‘forcë lëvizëse’ e këtij dialogu.

    Megjithatë, atje në vitet e fillimit të këtij dialogu, nuk kishte insistim të SHBA-së dhe të BE-së për ta definuar ‘normalizimin’ në aspektin formal, pos që më pas, ky normalizim mori emrin e një Marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht detyruese për te dy palët.

    Llogaritej, siç do të kuptohet më pas krejtësisht gabueshëm, që edhe pse atypari ishte i pranishëm gjithnjë ai ‘Elefanti në dhomë’ (njohja formale reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë), që ky ‘Elefant’ disi duhej të injorohej, apo që deri te ai do të mbërrihej hap pas hapi, Marrëveshje pas Marrëveshjes (në dialogun teknik dhe politik), sepse në ndërkohë atmosfera politike në Kosovë dhe në Serbi do të ndryshohej aq shumë, saqë në fund, natyrshëm dhe pa tensione të mëdha, do të mbërrihej tek kjo finalja, e cila do t’i dyzojë Marrëveshjen ligjërisht obligative dhe njohjen reciproke.

    Tek e fundit, Serbia e atëhershme, e udhëhequr tashmë nga Alleksandar Vuçiq, e dinte që Serbia nuk mund dot të hyjë në BE pa e njohur Kosovës.

    Çfarë ka ndodhur në ndërkohë, dihet prej të gjithëve.

    Ideja e kësaj ideje të normalizimit pësoi dëme të mëdha. Për më shumë, në vitet vijuese, veçmas pas 2015-tës e këndej, atmosfera politike në mes të Kosovës dhe Serbisë u përkeqësua dukshëm, së bashku me rënien e vlerës së gjithëmbarshme të BE-së dhe ndërlikimin e paparashikueshëm të zhvillimeve në Evropë dhe në Botë.

    Gjendja u përkeqësua edhe më shumë në tri vitet e fundit, saqë kryepyetja në Perëndim ishte si të parandalohet rrëshqitja e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë në një sprovë të madhe të sigurisë për këto dy shtete, për Aleancën Veri-Atlantike dhe për BE-në.

    Në këtë zbrazëti të rrezikshme të shkaktuar nga dështimi i konceptit bazë të idesë së normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe nga ngritjet enorme të tensioneve në mes të këtyre dy shteteve, u lansua nisma franko-gjermane (në shtatorin e vitit 2022).

    Synohej, në këtë mënyrë të ofrohej një periudhë e ndërmjetme afatmesme, përmes të së cilës do të kalohej në një ‘normalisation light’, pa i shkuar deri në fund të gjërave, por duke i dhënë një drejtim të pakthyeshëm (sipas autorëve të propozimit), këtij procesi i cili në fund, megjithatë, do të merrte atë trajtën e njohjes formale.

    Emri i lojës këtu ishte tash ‘njohja de fakto (e Kosovës nga Serbia), në këmbim të asociacionit të komunave me shumicë serbe (detyrë e Kosovës).

    Por, nuk do të vonojë dhe të lindin pyetjet e mëdha për thelbin e Marrëveshjes themelore (Bruksel, 27 shkurt, 2023), dhe Aneksit të Ohrit (Ohër, 18 mars, 2023).

    Këto pyetje shtroheshin në këtë mënyrë: Çka në të vërtetë paraqet njohjen de fakto e Kosovës nga Serbia, dhe çka duhet të jetë Asociacioni si i tillë?

    Ndërsa pyetja tjetër, e cila poashtu e përcjell këtë ndërmarrje të re ndërkombëtare është: A ka në të vërtetë fare Marrëveshje, kur dihet se si i ka trajtuar këto akorde gojore Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq?

    Proceset e këtilla të cilat gjithqysh janë të ndërlikuara, edhe kur ka vullnet të sinqertë të të gjitha palëve për të ecur para, nuk mund dot ta përballojnë gjithë këtë paqartësi dhe pasiguri.

    Kjo është e qartë.

    Nuk mund dot të bëhet gjë relevante në këtë ndërmarrje pa iu dhënë përgjigje kategorike këtyre pyetjeve të rënda.

    Edhe kjo është e qartë.

    Nga Rubrika
    Opinione09 Janar 2025
    Shkruan: Christiaan Alting Von Geusau Duket se arritja legjislative më e spikatur e Bashkimit Europian në vitin 2024 ka qenë detyrimi që...
    Opinione08 Janar 2025
    Kushtëzimi i certifikimit të Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet dhe institucionet e Kosovës me njohjen e shtetit, simboleve dhe dokumenteve të...
    Opinione07 Janar 2025
    Nga Adri Nurellari  Vendimi për të ndaluar “TikTok”-un në Shqipëri është një shfaqje e ludite e ngutshme dhe e cekët, që shmang...
    Të tjera
    Vip11 Janar 2025
    Banorja e edicionit të tretë të Big Brother VIP Kosova, Sara nuk është tërhequr nga ajo që i ka thënë Gresës ditë...
    Lajme11 Janar 2025
    Lidhja Demokratike e Kosovës do të nis fushatën zgjedhore në ora 17:00 në Pallat të Rinisë. Mbrëmë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku,...
    Lajme11 Janar 2025
    Zyrtarët policorë në koordinim me Prokurorinë Themelore–Ferizaj, më 10.01.2025, në orët e pas ditës në Ferizaj, në zbatim të një plani operativ,...
    Bota/Rajoni11 Janar 2025
    Pesë vjet më parë, një virus i panjohur deri atëherë e zhyti njerëzimin në një krizë të paprecedentë: më 11 janar 2020...
    Lajme11 Janar 2025
    Albin Kurti, kandidati për kryeministër i Vetëvendosjes, ditën e parë të fushatës zgjedhore e nisi në Gjakovë. Në një postim në Facebook,...
    Lajme11 Janar 2025
    Altin Krasniqi, kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), së bashku me kandidatët e tjerë për Kuvendin e Kosovës, zhvilluan...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.