Presidenti rus, Vladimir Putin, i ka kërkuar falje presidentit serb Aleksandar Vuçiq, lidhur me postimin që e bëri ditë më parë zyrtarja ruse në Facebook, Maria Zakharova.
Veprimi i Zakharovës kishte zemëruar Vuçiqin dhe zyrtarët tjerë në Serbi.
Edhe Kremlini e ka konfirmuar kërkimfaljen e Putinit, shkruan BBC.
Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Rusi, Maria Zakharova, e kishte postuar foton e Vuçiqit ulur pranë presidentit amerikan Donald Trump, e poshtë saj një foto të këmbëve të aktores Sharon Stone.
Edhe vetë Zakharova më vonë kërkoi falje.
Kjo foto e modifikuar erdhi nga filmi “Bacis Instinct”, ku aktorja Stone ekspozon veten në të shkurtra.
“Nëse ftoheni në Shtëpinë e Bardhë, por karrigia juaj është sikur të jeni ulur për t’u marrë në pyetje, ju duhet të uleni sikur në fotografinë numër 2. Kushdo që të jeni – më besoni”, kishte shkruar Zakharova.
Më vonë ajo kërkoi falje duke thënë se “në shënjestër e kishte arrogancën amerikane, e jo udhëheqësin serb”.
Presidenti serb Vuçiq, kishte reaguar duke thënë se “Zakharova kryesisht flet për veten e saj, primitivizmin dhe vulgaritetin”.