×
  • Opinione
  • Opinione

    Pushteti po e fillon reprizën e premtimeve të papërmbushura dhe kauzave të rreme

    Hisen Berisha
    08 Korrik 2024

    Nga Hisen Berisha: 

    Në deklarimet e mia në foltoren e Kuvendit, e përgëzova njëherë Albin Kurtin, që po arrin t’i mbajë në fushën e tij të lojës, tërë spektrin politik opozitar në Kuvend, por edhe mediat. Mirëpo, atë duhet përgëzuar edhe për sojin e njerëzve hipokritë e pa dinjitet që ka ofruar rreth vetes në qeveri e kuvend, që dalin e bëjnë deklarata mashtruese me gjuhën e personazheve të George Orwell, siç është kjo e radhës për “pagën mesatare” prej 780 euro në Kosovë.

    Mbase kjo mund të jetë përllogaritur në nivelin e parlamentarëve, qeveritarëve e kabinetarëve, por për popullin e thjeshtë në përgjithësi, kjo s’është gjë tjetër veçse e pavërtetë.

    Kjo deklaratë e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) (se paga mesatare në Kosovë është 780 euro) nuk përputhet me të dhënat statistikore dhe as me vlerësimet e organizatave ndërkombëtare të fundit. Sipas shumë burimeve, paga mesatare në Kosovë është ndjeshëm më e ulët. Në vitin 2024, paga mesatare bruto në Kosovë raportohet të jetë rreth 500 euro, e cila është më e ulëta në rajon në krahasim me vendet fqinje si Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

    Prandaj, duhet pasur parasysh se shifra prej 780 eurosh mund të jetë një deklaratë politike mashtruese të cilën besoj qytetarët tashmë e kanë lexuar edhe në shumë tema të tjera, ose mund të jetë një objektiv aspirativ në reprizën e premtimeve e kauzave të rrejshme para ardhjes në pushtet, të papërmbushura, as të nisura fare. Pra mund të jetë cilido objektiv mashtrues i personazheve të George Orwell, që s’administrojnë dot as një fermë të kafshëve pa mashtruar, më shumë sesa një pasqyrë e realitetit aktual ekonomik.

    Pra, në Kosovë, paga mesatare mujore bruto për vitin 2024 varion në bazë të sektorit, rolit të punës dhe vendndodhjes gjeografike. Për shembull, varësisht a flasim për qytetet më të mëdha si Prishtina, Prizreni dhe Peja, apo zonat rurale ku ato janë më të ulëta, përgjithësisht variojnë nga 270 deri në 500 euro.

    Paga minimale mujore në Kosovë është 264 euro, e përcaktuar me ligj të miratuar në kuvend. Nga kjo janë të përjashtuar rreth 40 mijë pjesëtarë që hyjnë në kategoritë e dala nga lufta që kompensohen, dhe afër 20 mijë që janë kontestuar e që nuk kompensohen fare. Kjo i bie se nëse familja mesatare kosovare i ka 5.9 anëtarë, pra gjashtë anëtarë, atëherë 60 mijë familje me 360 mijë anëtarë-banorë të Kosovës, moshash të ndryshme, nuk marrin as sa paga minimale në këtë shtet me 1.6 milion banorë. Shto kësaj edhe kategoritë e pensionistëve dhe atyre që jetojnë me social që siç ka deklaruar Kryeministri janë diku 400 mijë sish, atëherë kalkulimi i pagës mesatare prej 780 përfshin vetëm kategoritë e deputetëve, qeveritarëve, kabinetarëve dhe agjencioneve qeveritare.

    Megjithatë, edhe nëse paga minimale ka pësuar një rritje të sfiduar nga inflacioni dhe rritja e çmimeve, gjegjësisht rënia e fuqisë blerëse të parasë, Kosova mbetet vendi me pagën mesatare më të ulët në rajon, duke krahasuar me vende të tjera si Serbia dhe Mali i Zi, ku pagat mesatare janë mbi 1,000 euro.

    Janë disa burime të besueshme që me metodat e tyre përllogaritëse e konfirmojnë se paga mesatare në Kosovë shkon rreth 500 euro. Kështu janë përllogaritur në raportet e tyre nga “TalentUp.io” që raporton se paga mesatare mujore bruto në Kosovë është rreth 500 euro, nga “TimeCamp” i cili përmend gjithashtu një shifër të ngjashme dhe thekson variacionet e pagave bazuar në sektor dhe vendndodhje. Kurse “Kosova Online” tregon se paga mesatare bruto është 521 euro, duke e renditur Kosovën në vendin e fundit në rajon për sa i përket pagave mesatare.

    Bazuar në studimin e Universitetit Leipzig të studiuesit Edison Jakurt, ligjërues edhe në Universitetin e Lancaster, publikon se në Kosovë “Ne e kemi gjetur se vetëm 1 në 5 paga në Kosovë mund të konsiderohet si pagë jetese”. Sipas publikimit, “Hendeku mes pagës minimale dhe pagës së jetesës që ne kemi përllogaritur tregon se punëtorët që marrin një pagë minimale nuk janë në gjendje t’i mbulojnë nevojat bazike të jetës. Dhe, megjithëse paga e re minimale do të kishte një rritje të konsiderueshme nga nivelet aktuale, ajo do të ishte ende nën një page jetese”. Pra, hendeku midis pagës së llogaritur të jetesës dhe pagave minimale aktuale është i madh, dhe se “shumica e pagave në Kosovë, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, nuk arrijnë vlerën e një page të jetesës”.

    Këto të dhëna reflektojnë një vlerësim të përgjithshëm të pagave duke marrë parasysh faktorë të ndryshëm si industria, roli i punës dhe vendndodhja gjeografike.

    Në planin qeverisës elektoral të PDK për zgjedhjet 2019 dhe 2021, ishte parashikuar se në Kosovë, bazuar në resurset dhe trendet e rritjes ekonomike, nuk duhet të ketë pagë nën 1,000 euro. Pastaj, në politikat e stimulimit të natalitetit – shtimin e popullsisë, për fëmijën e parë do të kishte shpërblim prej 2,000 euro, për të dytin 3,000 euro, për të tretin 5,000 euro, kurse për nënat – lehonat, në vitin e parë të kujdesit kompensohen me pagë të plotë, të dytin 70%, kurse të tretin me mundësi pune part-time.

    Po këtë politikë pagash e stimulimesh do ta ndjekë në programin qeverisës edhe kandidati për kryeministër i PDK z. Bedri Hamza, nënshkrimi i të cilit është në çdo program zhvillimor në këtë vend që nga pas lufta deri në ardhjen në pushtet të qeverisë Kurti, kur edhe ndalet Kosova, me ndaljen e PDK.

    Kurse për Orwellianët e LVV, dua të plotësoj mendimin profesional, se ka disa faktorë ekonomikë që e determinojnë nivelin e pagës mesatare në Kosovë, siç është vetë struktura ekonomike. Në këtë kontekst, niveli i zhvillimit të industrisë, ku pagat ndryshojnë sipas sektorëve të ndryshëm ekonomikë. Kështu që sektorët me paga më të larta përfshijnë teknologjinë e informacionit (IT), shëndetësinë dhe edukimin.

    Pastaj rol luan pozita e punës, e cila kërkon më shumë kualifikime dhe përvojë, si profesionistët në IT, mjekët dhe profesorët universitarë, që kanë paga më të larta krahasuar me punëtorët në sektorët e shërbimeve dhe ndërtimit. Gjeografia, gjegjësisht vendndodhja e punës a është zonë urbane apo rurale, ka efektin e vet në nivelin e pagës. Në qytetet e mëdha si Prishtina, pagat janë më të larta për shkak të kostos më të lartë të jetesës dhe mundësive më të shumta për punësim. Në zonat rurale, pagat janë më të ulëta për shkak të mundësive të kufizuara ekonomike dhe kostos më të ulët të jetesës.

    Në ekonominë e lirë të tregut, ku oferta dhe kërkesa determinohen nga kërkesa për fuqi punëtore me shkathtësi të veçanta, ndikojnë po ashtu nivelin e pagës. Për shembull, profesione që kërkojnë shkathtësi teknike ose kualifikime të larta kanë paga më të larta për shkak të kërkesës së lartë dhe ofertës së kufizuar të punëtorëve të kualifikuar.

    Por, përkundër të gjitha këtyre kritereve përcaktuese, janë politikat qeveritare që përcaktojnë pagën minimale, e cila ndikon në nivelin e përgjithshëm të pagave në tregun e punës. Për vitin 2024, paga minimale është vendosur në 264 euro, duke krijuar një bazë për pagat në sektorë të ndryshëm. Një kriter tjetër determinues është edhe kostoja e jetesës së qytetarëve, shporta familjare, shpenzimet për banesa, transport dhe shërbime. Në qytete si Prishtina, kostoja e jetesës është më e lartë, duke përfshirë çmimet e qirave, transportit dhe shërbimeve.

    Prandaj, siç thuhet në studimin në fjalë, “duhen veprime urgjente nga qeveria për të rritur pagën minimale, nga bizneset për të rritur pagat në sektorët e tyre ekonomikë, nga sindikatat për t’u organizuar rreth kauzës për një pagë jetese dhe nga OJQ-të dhe organizata tjera ndërkombëtare që të hartojnë politika që synojnë zhdukjen e varfërisë së punës, me operacione financiare konkrete duke e përcjellur rritjen e pretenduar ekonomike, por jo me deklarata boshe e jashtë realitetit të cilin po e jetojnë qytetarët.

    Përfundimisht, çdo studim dhe analizë e gjendjes ekonomike, zhvillimore, e sociale, i demanton pretendimet e eksponentëve të qeverisë e kuvendit për rritje page, pagë mesatare apo të mirëqenies në përgjithësi.

    Nga Rubrika
    Opinione22 Nëntor 2024
    GJNP ka nxjerrë urdhër-arreste kundër kryeministrit të Izraelit Netanjahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Gallant. Çfarë do të thotë kjo dhe çfarë pasojash...
    Opinione21 Nëntor 2024
    Nga Hisen Berisha: Kështu veprojnë tradhtarët e të shiturit tek armiqtë e vendit. Në një shtet të konsoliduar me sistem juridik të...
    Opinione20 Nëntor 2024
    Shkruan: Bekim Çollaku Fitorja e presidentit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka ndezur një debat...
    Të tjera
    Lajme23 Nëntor 2024
    Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot ka thënë se vendi i tij mbështet heqjen e pjesshme të masave të BE-së ndaj...
    Lajme23 Nëntor 2024
    Ende pa u bërë një javë prej kur në media u raportua për grantin rreth 100 mijë euro që ministria e Bujqësisë,...
    Lajme23 Nëntor 2024
    Iniciativa e Komunës së Prishtinës për adoptimin e qenve endacakë, dhe subvencionimin e qytetarëve me nga 50 euro për qen, duket se...
    Sport23 Nëntor 2024
    Interi ka shënuar fitore me rezultat të thellë 5-0 në udhëtim ndaj Hellas Veronës në kuadër të javës së 12-të në elitën...
    Lajme23 Nëntor 2024
    Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe do të jetë kush edhe për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian. Kështu është...
    Lajme23 Nëntor 2024
    Kreu i Listës Serbe, Zlatan Elek, ka thënë se partia që drejton do të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit. Këtë...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.