Nga: David Robson / The Atlantic
Në vitin 1986, miliona filipinas dolën në rrugët e Manilës, duke protestuar në mënyrë paqësore (në atë që u quajt “Lëvizja e Pushtetit të Popullit”). Në ditën e katërt të protestave paqësore të vazhdueshme, regjimi i Markosit u rrëzua.
Në vitin 2003, qindra-mijëra gjeorgjianë rrëzuan Shevardnadzen me revolucionin e tyre “të trëndafilave”, gjatë të cilit protestuesit pushtuan Parlamentin me lule në duar.
Para disa vitesh, presidentët e Sudanit dhe Algjerisë deklaruan dorëheqjet e veta, falë protestave të përditshme paqësore qindra-mijëshe.
Në secilin rast, fushatat e përditshme të qindra-mijërave qytetarëve arritën të rrëzojnë elitat politike, dhe të sjellin ndryshime të rëndësishme.
Ka shumë arsye etike e morale për të zgjedhur strategjinë paqësore për ndryshim. Por, rezultat e një studimi shkencor të profesoreshës Erica Chenoweth të universitetit të Harvardit, tregojnë se protestat joviolente s’janë vetëm një zgjedhje e mirë morale, por edhe shumë më efikase për ndryshimin e gjendjes politike.
Duke analizuar qindra lëvizje (si të dhunshme, edhe paqësore), qysh nga viti 1900 e deri në ditët tona, Chenoweth arriti në përfundimin se lëvizjet paqësore kanë gjasa dyfish më të mëdha të jenë të suksesshme, krahasuar me ato të dhunshme. E, megjithëse dinamikat e çdo lëvizje varen nga shumë faktorë, ajo ka gjetur se pjesëmarrja aktive në lëvizjen paqësore e të paktën 3.5 përqind të popullsisë garanton suksesin e saj.
Kur filloi studimin e saj mbi këtë temë, profesoresha Chenoweth nuk besonte se lëvizjet paqësore mund të ishin më të fuqishme se ato të dhunshme. Gjatë punës për mbrojtjen e doktoratës në Universitetin e Kolorados, ajo kishte studiuar për vite faktorët që kontribuonin në lindjen e terrorizmit dhe të lëvizjeve të dhunshme. Por, në një konferencë shkencore në Uashington, ajo u ngacmua nga disa kumtesa mbi lëvizjet paqësore.
E ndihmuar nga studiuesja Maria Stephan, mblodhi të dhëna dhe studime për qindra lëvizje që kishin synuar ndryshime politike në vende nga më të ndryshme të botës (në analizën e saj të gjerë përjashtoi rastet kur ndryshimet politike kishin ardhur si rezultat i ndërhyrjeve direkte ushtarake të huaja). Chenoweth i klasifikoi të dhunshme lëvizjet, kur ishin përdorur bombat, kur kishin ndodhur dëmtime të infrastrukturës etj., ose thjesht, kur ishin shkaktuar dëme materiale ose lëndime njerëzore. Në përfundim, ajo gjeti se probabiliteti i suksesit të një lëvizje paqësore ishte 93 përqind. Ndërsa probabiliteti i suksesit të një lëvizje të dhunshme ishte sa gjysma – vetëm 46 përqind.
Kufiri 3.5 përqind është kyçi i suksesit
Siç duket qartë nga probabilitetet e mësipërme, jo të gjitha lëvizjet paqësore janë të suksesshme. Sipas profesoreshës Chenoweth, numri i pjesëmarrësve në lëvizjen paqësore është faktor kritik për suksesin. Në qoftë se të paktën 3.5 përqind e popullsisë, konkludoi ajo, merr pjesë aktive në lëvizjen paqësore, suksesi është i pashmangshëm.
Studimi i saj tregon se asnjë lëvizje paqësore nuk ka dështuar, kur e ka arritur këtë kufi./Telegrafi