×
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    Prokurorja e zgjedhur e Trump: Nuk do të lejoj politizimin e drejtësisë

    FrontOnline
    16 Janar 2025

    Pam Bondi, e emëruara e Presidentit të zgjedhur Donald Trump për postin e Prokurores së Përgjithshme të Shteteve të Bashkuara, u përpoq të siguronte senatorët demokratë të mërkurën se Departamenti i Drejtësisë nuk do të përndjekë askënd për qëllime politike, ndërsa refuzoi të përjashtonte mundësinë e hetimit të kundërshtarëve të presidentit të ri që merr detyrën më 20 janar.

    Seanca e konfirmimit, e shoqëruar në disa raste me shkëmbime, u përqendrua në shqetësimet e demokratëve se zoti Trump do të kërkonte të përdorte fuqinë ligjore të Departamentit të Drejtësisë për të ndëshkuar kundërshtarët, përfshirë prokurorët që e hetuan atë. Demokratët shtruan pyetjen nëse ajo mund të ruante pavarësinë e departamentit nga Shtëpia e Bardhë dhe të kundërshtonte presidentin nëse i kërkohej të bënte diçka jashtë etikës.

    Nga ana tjetër, republikanët e mirëpritën emërimin e saj si një korrigjim kursi të Departamentit të Drejtësisë, për të cilin besojnë se ka ndjekur një axhendë liberale dhe ka zhvilluar hetime të padrejta ndaj zotit Trump të cilat rezultuan në ngritjen e dy aktakuzave, përcjell A2.

    “Çfarë do të bënit nëse prokurorët e karrierës në Departamentin e Drejtësisë do t’ju paraqisnin një çështje për të ngritur hetime penale, të bazuar në fakte dhe ligj, por Shtëpia e Bardhë ju urdhëron të hiqni dorë nga rasti?”, shtroi pyetjen Senatori Chris Coons, demokrat që përfaqëson shtetin Delauer.

    “Senator, po të mendoja se diçka e tillë do të ndodhte, nuk do të isha e ulur këtu sot. Kjo nuk do të ndodhë”, tha zonja Bondi.

    Pyetjet e shumta nxorën në pah atë për të cilën druhen demokratët nga emërimi i zonjës Bondi për postin e Prokurores së Përgjithshme, veçanërisht duke patur parasysh trysninë që ushtroi Presidenti Trump ndaj drejtësisë gjatë mandatit të tij të parë për të çuar përpara interesat e tij personale, përfshirë kërkesën ndaj drejtorit të atëhershëm të FBI-së që të hiqte dorë nga hetimet ndaj një aleati të tij dhe shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm pasi ky i fundit e përjashtoi veten nga hetimet ndaj fushatës së vitit 2016 të zotit Trump.

    “Dua të di se ju do t’i thoni jo presidentit nëse ju kërkohet të bëni diçka që është e gabuar, e paligjshme ose antikushtetuese”, tha Senatori Dick Durbin, demokrati më i lartë i komisionit, i cili nënvizoi se zonja Bondi e kishte përfaqësuar Presidentin Trump gjatë procesit të njërit prej dy gjyqeve për shkarkimin e tij në Senat.

    Ish prokurorja e përgjithshme e Floridës, Pam Bondi, theksoi vazhdimisht se ajo nuk do ta politizonte Departamentin e Drejtësisë ose të hapte hetime për arsye politike ndaj askujt. Ajo tha se do ta respektonte Kushtetutën dhe se publiku dhe jo presidenti, do të ishte klienti i saj.

    Senatori republikan nga Luiziana, John Kennedy, e pyeti zonjën Bondi nëse do të hapte hetime për dikë në bazë të emrit që ka dhe pastaj të kërkonte të gjente krimin. “Sigurisht që jo. Shpresoj që asnjë prokuror i përgjithshëm nga tani e tutje nuk do ta bëjë kurrë këtë”, u përgjigj zonja Bondi. Por këto siguri nuk i zbutën shqetësimet e demokratëve për besnikërinë e saj ndaj zotit Trump.

    Zonja Bondi mbështeti pretendimet e republikanit Trump se hetimet ndaj tij përbënin persekutim politik, duke thënë se, “Departamenti i Drejtësisë ishte politizuar për vite me radhë dhe se kjo duhet të ndalojë”.

    “Ata vunë në shënjestër Donald Trumpin. Në fakt kjo filloi në vitin 2016 kundër fushatës së tij. Ata kanë nisur hetime të panumërta kundër tij. Nëse bëhem prokurore e përgjithshme, unë nuk do ta politizoj këtë zyrë”, tha zonja Bondi.

    Prokurori i Përgjithshëm, Merrick Garland, i ka hedhur poshtë pretendimet se hetimet ndaj zotit Trump ishin të motivuara politikisht.

    Republikanët shprehën mbështetje të fuqishme për zonjën Bondi dhe planet e axhendës së saj, për të cilën tha se përfshin mbrojtjen e të drejtave për armëmbajtjen, lirinë e fjalës, kufirin dhe luftën kundër krimit të dhunshëm dhe terrorizmit. Siç duket ajo do të marrë konfirmimin e Senatit ku republikanët kanë shumicën.

    “Nëse konfirmohem, do të punoj për të rivendosur besimin dhe integritetin e Departamentit të Drejtësisë dhe secilin prej komponentëve përbërës. Nën drejtimin tim, partishmëria dhe politizimi do të zhduket. Amerika do të ketë një shkallë drejtësie për të gjithë”, tha zonja Bondi.

    Ndërsa demokratët shprehën shqetësimin se zoti Trump do ta politizonte Departamentin e Drejtësisë, senatorët republikanë këmbëngulën se kjo kishte ndodhur gjatë katër viteve të fundit dhe se përzgjedhja e zonjës Bondi përbënte një mundësi për ndryshim.

    Kryetari i komisionit, republikani Chuck Grassley, përmendi vite ankesash kundër Departamentit të Drejtësisë, përfshirë hetimet ndaj zotit Trump për gjoja lidhje me Rusinë dhe së fundmi, memorandumin e kryeprokurorit Garland për të vënë në objektiv kërcënimet nga prindërit gjatë mbledhjeve nëpër shkolla.

    “Zonja Bondi, nëse konfirmohesh, veprimet që ndërmerrni për ta ndryshuar kursin e departamentit duhet të jenë për llogaridhënien, në mënyrë që ato që citova më parë të mos ndodhin më kurrë”, tha Senatori Chuck Grassley.

    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni16 Janar 2025
    Shtatë shqiptarë janë arrestuar të mërkurën në rajonin e Galicias, gjatë një operacioni të zhvilluar nga Garda Civile spanjolle. Gjatë aksionit në...
    Bota/Rajoni15 Janar 2025
    Mediat ndërkombëtare kanë raportuar se Izraeli dhe Hamasi, kanë arritur marrëveshje armëpushimi, pas konfliktit 15 muajsh me dhjetëra mijëra viktima që tronditi...
    Bota/Rajoni15 Janar 2025
    Një avion stërvitor i sigurisë iraniane është rrëzuar në pjesën veriore të vendit dhe për pasojë tre persona humbën jetën. Ngjarja ndodhi...
    Të tjera
    Lajme16 Janar 2025
    Studentët në Serbi u distancuan nga organizatat ekstremiste, që u shfaqën në një protestë para Gjykatës Kushtetuese në Beograd, në fund të...
    Zgjedhjet 202516 Janar 2025
    Kandidati për Kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, sot do të jetë për vizitë në Drenas, kurse tubimin qendror të...
    Lajme16 Janar 2025
    Sot mbushen shtatë vjet nga vrasja ende e pazbardhur e politikanit serb Oliver Ivanoviq me gjashtë të shtëna në shpinë, para objektit...
    Lajme16 Janar 2025
    Për vite të tëra themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ka qenë temë diskutimi si në Kuvendin e Kosovës, ashtu...
    Lajme16 Janar 2025
    Sot parashikohet mot i vranët, por me intervale të shkurtra me diell. Në mëngjes do të ketë kushte për mjegull dhe ngrica,...
    Vip15 Janar 2025
    Banorët fitues të sfidës nga “Retro House”, kanë shijuar darkën e shijshme nga menyja e tyre. Xuxi, Xheneta, Driloni dhe Vullneti derisa...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.