Prokuroria Themelore në Prizren, më mars 2024 ka marrë vendim për fillimin e hetimeve ndaj dy mjekëve kujdestarë Mentor Bojaxhiu dhe Fisnik Sinani për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, si dhe për gjinekologen Teuta Daullxhiu për veprën penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”.
Lajmin për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë së Prizrenit, Fitore Mehmeti.
“Prokuroria Themelore në Prizren, ju njofton se në muajin Mars 2024, prokurori i rastit ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj të dyshuarve M.B., dhe F.S., për shkak të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 3, nënparagrafi 3.2 lidhur me paragrafin 1, si dhe ndaj T.D., për shkak të veprës penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” nga neni 256 paragrafi 1, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në përgjigjen e Mehmetit.
Gjinekologia Daullxhiu, e cila punon në klinikë private, dyshohet se në natën e 15 dhjetorit të vitit 2023, rreth orës 22:45, ka intervenuar në lindjen e një pacienteje në Spitalin e Përgjithshëm “Prim.Dr. Daut Mustafa”, në Prizren, për të cilën emisioni “Betimi për Drejtësi”, ka transmetuar hulumtimin “Doktoresha e “privilegjuar” në Prizren”, më 16 mars 2024.
Ky rast brenda Spitalit thuhet se ishte raportuar nga vetë mjekët kujdestarë, gjinekologët Bojaxhiu dhe Sinani, për të cilët Prokuroria ka nisur hetimet.
Për lejimin e doktoreshës në sallë, dy mjekëve kujdestarë fillimisht nga Komisioni Disiplinor iu është shqiptuar masa -30% e pagës për tre muaj, ndërsa rasti ishte përcjellë edhe në Prokuroi për doktoreshën Daullxhiu.
Në hulumtimin e “Betimi për Drejtësi”, theksohet se nga Spitali, ndërhyrjen e doktoreshës Daullxhiu e kishin konsideruar arbitrare dhe pa pyetur askënd, ndërsa vetë doktoresha kishte mohuar të ketë ndodhur diçka e tillë.
Ajo ishte shprehur se ka qenë vetëm përcjellëse e pacientes dhe se në sallë të lindjes kishte hyrë me lejen e doktorit kujdestar Fisnik Sinani.
Në anë tjetër, gjinekologu Sinani kishte mohuar një gjë të tillë, duke thënë se nuk e ka lejuar në asnjë moment doktoreshën të futet në sallë.
Për rastin, Oda e Mjekeve dhe Inspektorati Shëndetësor ishte njoftuar tek pas interesimit të “mediumit, këta të fundit kanë nisur inspektimet për rastin.