Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka njoftuar se në bashkëpunim me Njësinë Rajonale të Policisë në Prizren dhe Drejtorinë për Krim të Organizuar, duke zbatuar masat e veçanta të hetimit dhe vëzhgimit, kanë realizuar kontroll në regjionin e Prizrenit, me ç’rast kanë arrestuar dy të dyshuarit E.K., dhe B.K., për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Fajdeja” nga neni 331 par.3, lidhur me nenin 31 sipas KPRK. Po ashtu, i pandehuri B.K., veprën penale “Detyrimi” nga neni 328 par 2-1, dhe E.K., veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
“Të pandehurit E.K., dhe B.K., që nga muaji shkurt i vitit 2021, e në vazhdimësi, në Prizren, kontraktojnë shuma dukshëm jopropocionale në këmbim të shërbimit për viktimën E.G., duke e shfrytëzuar, gjendjen e rëndë financiare, papërvojën ose paaftësinë për të kuptuar pasojën, në atë mënyrë që i japin viktimës para (të holla) në formë të borxhit me kamata të paligjshme (fajde), të cilat kamata vazhdojnë t’ia rrisin pandërprerë sa herë që viktima has në vonesa të kthimit të parave”, thuhet në njoftimin e prokurorisë, transmeton Telegrafi.
Gjithashtu, i pandehuri B.K., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete përdorë forcën duke detyruar të dëmtuarin E.G., të kryej veprime në dëm të pasurisë së tij, në atë mënyrë që pasi nuk ka qenë në gjendje për ta realizuar kthimin e borxhit që ka rezultuar nga dhënia e fajdesë, në mënyrë të dhunshme ia merr automatin Golf VII, ia heq nga dora orën të dëmtuarit në vlerën prej 1,300 euro si dhe e kërcënon se nëse nuk paguan borxhin dhe kamatat e lartcekura do të shkojnë tek noteri për ta bartur banesën e të dëmtuarit në posedim të tij. Me këto veprime, kryen veprën penale “Detyrimi” sipas KPRK-së.
Gjithashtu, i pandehuri E.K., në kundërshtim me ligjin për armët, posedon një (1) pistoletë dhe 13 fishekë, një (1) pushkë ajrore dhe një (1) fishekë të armës së gjatë, si dhe 42 fishekë të pistoletës 9×19 mm, dhe një (1) karikator të zbrazët. Me këto veprime kryen veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së.
Me rastin e ekzekutimit të urdhër kontrollit në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të pandehurve E.K., dhe B.K., policia ka arritur të sekuestrojë të holla në shumën totale prej 24.700€ (njëzet e katër mijë e shtatëqind euro), një (1) pistoletë“Pjetro Bereta Gardone” me 13 fishekë, një (1) automjet “Mercedes 2024” C, dyzet e dy (4)2 fishekë të pistoletës 9×19 mm, një (1) karikator i zbrazët, një (1) pushkë ajrore dhe një (1) fishekë të armës.
Për të pandehurit e arrestuar, prokuroria ka parashtruar kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.
Prokuroria Themelore në Prizren, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin, thuhet në njoftim.