×
  • Lajme
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    Presidentja e parë grua e Maqedonisë së Veriut: Ballkani së pari, pastaj Brukseli

    FrontOnline
    09 Maj 2024

    Për herë të parë që nga pavarësimi në vitet ‘90, Maqedonia e Veriut zgjodhi një grua për presidente të shtetit.

    Profesoresha universitare, Gordana Silanovska-Davkova, e cila mbështetet nga partia e djathtë opozitare, VMRO-DPMNE, e fitoi balotazhin presidencial më 8 maj, kundër kandidatit të Lidhjes Social-Demokrate, Stevo Pendarovski, deri më tash president.

    Në fjalimin e parë para opinionit, pas fitores, Silanovska-Davkova tha se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike apo partiake.

    “Nga ky moment do të sillem si presidente e të gjithë qytetarëve, të gjitha grupeve etnike, të gjithë anëtarëve partiakë, atyre që nuk janë në parti… sepse presidentja nuk mund ta bashkojë popullin dhe të kërkojë unitet nëse mban vija partiake”, tha ajo.

    Fqinjëve u bëri thirrje që ta mbështesin, siç tha, ballkanizimin, ta ndihmojnë njëri-tjetrin dhe të jenë politikanë të vërtetë.

    “Duhet të fillojmë ta kuptojmë njëri-tjetrin, ta ndihmojmë njëri-tjetrin, të mos kërkojmë veto, por të kërkojmë mbështetje. Rrugët e mia së pari çojnë në Ballkan, dhe, natyrisht, as Brukseli nuk është jashtë”, tha Silanovska-Davkova.

    Çfarë “Maqedonie krenare” premton?

    Gjatë fushatës parazgjedhore, Silanovska-Davkova u paraqit si profesoreshë dhe si përfaqësuese e pavarur në Kuvend.

    Në programin e saj “Maqedonia është sërish krenare”, shkruan se Marrëveshja e Prespës, që ndryshoi emrin e Maqedonisë në Maqedoni të Veriut, “është çështje e hapur”, dhe se në fjalimet e saj para publikut nuk do ta përdorë fjalën “e veriut” në emrin e shtetit.

    Ajo nuk e mbështet ndryshimin e Kushtetutës, por në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë së voni, tha se nëse Kuvendi i miraton amendamentet kushtetuese – të cilat do të mundësonin që bullgarët dhe pesë pakicat e tjera etnike të bëheshin pjesë e Kushtetutës maqedonase – ajo do t’i respektonte ato.

    Ndryshimet e tilla në Preambulën e Kushtetutës janë kusht për Maqedoninë e Veriut që t’i vazhdojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

    Brenda një afati prej dhjetë ditësh, Silanovska-Davkova, si presidente, do t’ia ndajë mandatin për formimin e Qeverisë së re kandidatit të partisë, përkatësisht partive që kanë shumicën në Kuvend.

    Silanovska-Davkova hyri në rrethin e dytë zgjedhor si favorite, pasi në rrethin e parë më 24 prill – kur garuan gjithsej shtatë kandidatë – fitoi dyfish më shumë vota se kandidati i përkrahur nga Lidhja Social-Demokrate, Stevo Pendarovski.

    Në balotazh, Silanovska-Davkova fitoi 363.085 vota dhe Pendarovski 180.499 vota.

    Ky ishte një rezultat krejt i kundërt në krahasim me duelin e tyre të parë zgjedhor në vitin 2019, kur fitoi Pendarovski.

    Mandati aktual i Pendarovskit skadon më 12 maj. Deri atëherë, Kuvendi duhet ta mbajë seancën për inaugurimin e presidentes së re.

    Në këtë rast, seancën ceremoniale për inaugurimin e presidentes së re do ta mbajnë deputetët nga përbërja e deritashme e Kuvendit.

    Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Aleksandar Dashtevski, tha se ky institucion do të mundohet t’i respektojë të gjitha afatet, në mënyrë që më 12 maj vendi ta ketë presidenten e re.

    Pesë presidentë dhe gjashtë cikle zgjedhore

    Që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut, vendi ka pasur gjithsej pesë presidentë.

    I pari, Kiro Gligorov, ka pasur dy mandate. Për të parin është zgjedhur me votim të fshehtë në Kuvendin e Maqedonisë, më 27 janar 1991. Për mandatin e dytë dhe të gjithë të mëvonshmit janë zgjedhur në zgjedhje të përgjithshme dhe të drejtpërdrejta.

    Gligorov e ka fituar mandatin e dytë në vitin 1994 dhe pas tij në këtë pozitë ka ardhur Boris Trajkovski, më 1999. Ai ka qenë president deri në vdekjen e tij tragjike në një aksident avioni, në vitin 2004.

    Presidenti i tretë më pas është bërë udhëheqësi i atëhershëm i Lidhjes Social-Demokrate, Branko Cërvenkovski, i cili ka qëndruar në atë pozitë vetëm për një mandat.

    Pas tij, në vitin 2009, Gjorgje Ivanov, i propozuar nga VMRO DPMNE-ja, i ka fituar zgjedhjet dhe ka mbajtur dy mandate, deri në vitin 2019, kur në krye të shtetit është zgjedhur Stevo Pendarovski. /REL

    Nesër në këto zona nuk do të ketë rrymë deri në 5 orë
    Nga Rubrika
    Lajme19 Maj 2024
    Helikopteri që transportonte presidentin e Iranit, Ebrahim Raisi, rezulton i zhdukur. Televizioni shtetëror iranian njoftoi se helikopteri me të cilin transportohej i...
    Lajme19 Maj 2024
    Emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, ka thënë se është i gatshëm të organizojë një takim tjetër mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe...
    Lajme19 Maj 2024
    Letrën e para pak ditësh, ku Gjermania, Franca dhe Italia i thonë Kosovës që drafti që duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese...
    Të tjera
    Lajme19 Maj 2024
    Aktualisht numri i familjeve në Kosovë që duan të adoptojnë fëmijë është sa katërfishi i numrit të fëmijëve pa përkujdesje. Një dokument...
    Lajme19 Maj 2024
    Prokuroria publike e Schwyz-it dënoi kosovarin për hyrje të paligjshme, qëndrim të paautorizuar dhe punë pa leje me një gjobë prej 6800...
    Lajme19 Maj 2024
    Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se sundimi i ligjit dhe siguria e qytetarëve të Kosovës është në...
    Bota/Rajoni19 Maj 2024
    Vjen reagimi i parë nga SHBA në lidhje me rrëzimin e helikopterit me të cilin udhëtonte presidenti i Iranit Ebrahim Raisi dhe...
    Lajme19 Maj 2024
    Nënsekretarja amerikane për Diplomaci Publike, Liz Allen, ka takuar presidenten Vjosa Osmani në Prishtinë. Ambasada e SHBA-së në Kosovë, përmes një komunikate...
    Sport19 Maj 2024
    Sulmuesi shqiptar Mirlind Daku, ka vazhduar me performancën e shkëlqyer në elitën e futbollit të Rusisë. Reprezentuesi i Kombëtares së Shqipërisë, ka...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.