Të paktën 26 ligjvënës dhe 10 punonjës në selinë e Kongresit në Mississippi kanë rezultuar pozitivë me koronavirus , tha një zyrtar i shëndetit publik të mërkurën.
Numri i personave të infektuar në seli mund të jetë më i lartë, numri i raportuar pasqyron vetëm ata që u testuan kohët e fundit në Jackson, tha zyrtari i lartë i shtetit për shëndetin publik , Dr. Thomas Dobbs.
Guvernatori republikan Tate Reeves, i cili ka rezultuar negativ tha se ai nuk do ta bëjë të detyrueshëm përdorimin e maskave, siç kanë bërë disa qeveritarë të tjerë. Por, ai nënkuptoi që mund të rivendosë disa kufizime në bare apo vende të tjera nëse njerëzit vazhdojnë të grumbullohen në grupe të mëdha.
Departamenti i Shëndetit tha të mërkurën se Mississippi, me një popullsi prej rreth 3 milion banorësh ka konfirmuar të paktën 32.888 raste dhe 1.188 viktima në 24 orët e fundit. Kjo ishte një rritje prej 674 rastesh të reja dhe 30 viktima më shumë së një ditë më parë.
Numri i rasteve mendohet të jetë shumë më i lartë sepse shumë njerëz nuk janë testuar, dhe studimet tregojnë se njerëzit mund të infektohen dhe pa pasur simptoma. Për shumicën e njerëzve, koronavirusi shkakton simptoma të buta ose të mesatare që zhduken brenda disa javësh. Për të tjerët, veçanërisht të moshuarit dhe njerëzit me probleme shëndetësore ekzistuese, mund të shkaktojë simptoma të rënda dhe të jetë fatal.