Policia e Kosovës me një komunikatë për media ka njoftuar se në një fshat të Zubin Potokut ka kapur paisje për prodhimin e kriptovalutave.
Për këtë rast ishin ankuar banorët e lagjës, pasi që po të njëjtit kishin probleme herë pas here me energjinë elektrike, dhe nga puna e këtyre pajisjeve po shkaktohej edhe zhurmë.
Aty janë kapur 11 pajisje për prodhimin e kriptovalutave të llojit Bitcoin.
I dyshuari nuk gjendej aty, pasi që po i njëjti udhëtonte shpesh nga Beogradi në at shtëpi dhe anasjelltas.
Njoftimi i plotë:
Policia e Kosovës, konkretisht drejtoria rajonale e Policisë Mitrovicë veri, me datë 10.06.2023, ka pranuar informata relevante se një person i dyshuar nga fshati Uglar, komuna Zubin Potok posedon pajisje për prodhimin e kriptovalutave (Bitcoin).
Sipas informacioneve si rrjedhojë në lagjen e fshatit të lartcekur herë pas here ka probleme me energjinë elektrike dhe qytetarëve po u dëmtohen pajisjet elektrike shtëpiake, shkaktohej zhurmë dhe kërkohet ndihma e Policisë lidhur me këtë çështje.
Policia e Kosovës, nga stacioni policor Zubin Potok, mbështetur nga Njësia për reagim të shpejtë (NJRSH), bazuar në detyrat dhe autorizimet ligjore kanë ndërmarr veprime të menjëhershëm dhe ka identifikuar lokacionin (shtëpinë ) e personit të dyshuar dhe në shtëpi janë gjetur njëmbëdhjetë (11) pajisje për prodhimin e kriptovaluatave (Bitcoin).
Lidhur me rastin është njoftuar njësia kompetente nga Dogana e Kosovës, të cilët kanë dalë në lokacion, pajisjet janë konfiskuar dhe sipas verifikimeve i dyshuari nuk gjendej në shtëpi pasi që herë pas here udhëton nga Beogradi i Serbisë dhe viziton shtëpinë lartcekur.
Bashkëngjitur gjeni disa fotografi të vendit të ngjarjes dhe pajisjeve të konfiskuara