Policia jep detaje për sulmin me armë zjarri ndaj gazetarit Shkumbin Kajtazi
Mesnatën e së dielës është sulmuar me armë zjarri vetura e gazetarit Shkumbin Kajtazi. Policia ka njoftuar se në vendngjarje janë gjetur dhe konfiskuar katër predha.
Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës është bërë e ditur se rasti ka ndodhur në rrugën “Evlia Qelebi” në Mitrovicë.
“Rr. Evlia Qelebi, Mitrovicë 18.10.2020-02:03. Ankuesi mashkull kosovar ka njoftuar se persona të panjohur i kanë dëmtuar veturën e tij e cila ka qenë e parkuar. Njësiti policor në vendngjarje ka gjet dhe konfiskuar 4 predha të kalibrit 9 mm”, njofton policia.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori.
Ndërkohë, edhe vetë Kajtazi ka njoftuar të dielën për sulmin ndaj veturës së tij.
Përmes një statusi në Facebook, Kajtazi ka njoftuar se vetura është sulmuar me 5-6 plumba.
“Mbrëmë u përballa me një sulm të rrezikshëm: vetura ime u qëllua me 5 ose 6 plumba. Ngjarja ka ndodhur rreth mesnatës, kur vetura ishte e parkuar në qendër të Mitrovicës”, ka shkruar ndër të tjera Kajtazi.