×
  • Opinione
  • Opinione

    Pikëpyetjet për kryqëzatën e qeverisë së Shqipërisë, kundër ndërtimeve pa leje!

    FrontOnline
    09 Korrik 2021

    Para pak kohësh ka nisur fushata për shembjen e ndërtimeve pa leje përgjatë bregdetit shqiptar. Në pamje të parë tingëllon si një nismë e drejtë dhe e mirëpritur për të zbatuar ligjin, mirëpo po të shqyrtohet me vëmendje e kthjelltësi, vihen re një sërë problemesh thelbësore me këtë aksion. Janë së paku pesë pikëpyetje që të vijnë në mendje kur

    Së pari, problemi qëndron tek forma, përse ato duhen trajtuar si fushata apo aksione ato veprimtari të natyrshme e të përditshme të shtetit?! Pra, përse Qeveria dhe institucionet shtetërore trajtojnë apo paketojnë si një nismë të rrallë e të jashtëzakonshme një obligim që kanë për të vënë në vend ligjin?! Duket qartë që propaganda e fushatës permanente, marrëdhëniet me publikun, marketingu politik, shfaqja, reklamimi e ambalazhimi janë fjalë kyçe të kësaj qeverie e jo performanca dhe puna konkrete përmbajtjesore. Kjo praktikë e çimentuar e Qeverisë Rama 3, ilustrohet më së miri edhe me “fushatën” e vaksinimeve që u paketua me sloganin “Shqipëria buzëqesh”, me spote publicitare, dizajne etj. ndërkohë që bëhej fjale për një nga detyrat më bazike të shërbimit shëndetësor, të çdo shteti modern.

    Së dyti, të habit fakti që shkatërrimet bëhen pikërisht tani, mu në mes të sezonit. Ky veprim është bërë tashmë një traditë absurde kur prej vitesh vizitorët, vendas e të huaj të bregdetit tonë të, ballafaqohen me pamjen e pakëndshme të rrënojave të shumta që lënë pas buldozerët e policisë ndërtimore. Shëmtia e ndërtimeve të prishura mbart një kosto të madhe tek operatorët turistikë dhe lë shije të hidhur që dëmton reputacionin e vendit tonë tek turistët ndërkombëtar.

    Po ashtu, duhet theksuar që shkatërrimet vënë në trysni të papërmbajtshme infrastrukturën e pushtetit lokal që është tashmë e stërngarkuar prej turistëve. Në zonën bregdetare popullsia shumëfishohet prej pushuesve, gjë që shton barrën e infrastrukturës lokale dhe të shërbimeve bashkiake të pastrimit – ujësjellësit, trafikut etj. Sikurse mos të mjaftonte gjithë kjo peshë e sezonit turistik, qeverisja vendore duhet të merret edhe me pastrimin e ndërtesave të shembura, transportimin jashtë zonave urbane të inerteve dhe rehabilitimin e hapësirave përreth.

    Së treti, shtrohet pyetja përse ka nevojë për shkatërrim, kur ka pasur mundësi për parandalim? Përse përqendrohemi për kurim e jo për profilaksi? A nuk ka dhembshuri apo përgjegjësi kjo qeveri për paratë e qytetarëve taksapagues të çuara dëm nëpërmjet shkatërrimit? Përse nuk e kanë bërë detyrën e tyre në kohë – Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, policitë bashkiake apo të tjera institucione shtetërore përgjegjësie – që të identifikonin në kohë të gjitha ndërtimet pa leje?! Fundja, ndërtimet nuk janë si kontrabanda ku një makinë largohet nga dogana me shpejtësi, pa u kontrolluar mirë, por janë objekte të palëvizshme që duan goxha kohë për të marrë formë. Pra, bien lehtë në sy. A kanë qenë këto institucione dhe punonjësit e tyre të angazhuar në fushatë si patronazhistë për të siguruar vota për partinë? Apo, më keq akoma, a u është shkelur syri dhe janë toleruar këto ndërtime pa leje për të siguruar vota? Dihet që pandëshkueshmëria apo imuniteti për shkeljet e ligjeve dhe rregullave përdoret prej dekadash si instrument elektoral, në shërbim të votave.

    Lidhur me këtë element të “fushatës” së radhës së qeverisë, ngrihet një pikëpyetje e katërt, akoma më e rëndësishme, e që është prezenca e selektivitetit apo standardeve të dyfishta në ndërmarrjen e këtyre operacioneve të shkatërrimit. Fatkeqësisht, tendenca e shkatërrimit selektiv të ndërtimeve pa leje u demaskua rëndë, publikisht, me skandalin e shumëpërfolur të Astirit dhe protestat që e shoqëruan. Për më tepër që përgjimi i publikuar i drejtorit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame, hoqi çdo dyshim për tendencën abuzive të zbatimit selektiv të ligjit. Konkretisht, në atë përgjim u bë e qartë që 100 mijë qytetarë mbaheshin peng në procesin e legalizimit të pronave të tyre dhe kërcënoheshin me shkatërrim, vetëm e vetëm për arsye elektorale.

    Një ndër parimet thelbësore të filozofisë së të drejtës është që drejtësia selektive është një ndër format më të rënda të padrejtësisë. Jo më kot, që prej antikitetit, perëndesha e drejtësisë portretizohej si e verbër për ta zbatuar ligjin, njësoj ndaj të gjithëve. Thënë ndryshe, nëpërmjet alegorisë së Fermës së Kafshëve të George Orwellit për këtë qeveri: “Të gjithë janë të barabartë, por disa janë më të barabartë se të tjerët”! Vështirë se ka gjë më të rëndë sesa kur drejtësia nga ku njerëzit presin zgjidhje, të shfrytëzohet si mjet represioni, shantazhi e kërcënimi.

    Lista e pikëpyetjeve mund të zgjasë shumë më tepër, por një tjetër pyetje e pestë, që të vjen në mendje e që vlen të theksohet, është kjo qasja harbute, agresive e kriminalizuese dhe e panevojshme ndaj ndërtuesve pa leje, sikur kanë kryer krime lufte! Këtu duhet sqaruar se pronarët e këtyre ndërtesave pa leje, shpesh janë njerëz të thjeshtë të cilët janë detyruar t’i ndërtojnë këto shtëpi mbi tokën e tyre pa marrë leje, pasi bashkia dhe institucionet tjera shtetërore kanë qenë joefikase në administrimin e kërkesave të shtuara dhe nevojave zhvillimore. Si pasojë e mungesës së vullnetit dhe aftësive të pushtetarëve të ,deritanishëm por edhe papërgjegjshmërisë e presioneve për korrupsion, kanë munguar planet urbanistike të detajuara që do të mund ta zhvillonin në mënyrë të organizuar ndërtimtarinë. Këtu del edhe në pah hipokrizia e shtetit dhe e institucioneve kur, nga njëra anë, përpiqet të tërheq investitorë të huaj në fushën e turizmit, madje duke ofruar edhe tokë shtetërore për investitorët strategjikë e, nga ana tjetër, shkel me këmbë qytetarët e vetë që duan të investojnë mundin dhe djersën e akumuluar në pronën e tyre. Kjo do të thotë se, në shumicën e rasteve, barra morale dhe përgjegjësia duhet të vihet mbi institucionet shtetërore e jo mbi qytetarët që duan të investojnë mbi pronën e tyre.

    Prandaj….

    Prania e ndërtimeve masive pa leje dhe organizimi i operacioneve publicitare për shkatërrimin e tyre, duhet konsideruar më shumë si një dështim i këtij shteti sesa si mëkat i rëndë qytetarëve të thjeshtë.

    Nga Rubrika
    Opinione27 Dhjetor 2024
    Nga: Richard Waters / The Financial Times Në vitin 2024, nuk pati asgjë të re në fushën e inteligjencës artificiale [IA] që...
    Opinione26 Dhjetor 2024
    Shkruan: Lutfi Dervishi Meqë po vjen fundi i vitit dhe ti je i vetmi që mban ende premtime në këtë nahinë tonë,...
    Opinione25 Dhjetor 2024
    Shkruan: Ben Andoni Nuk mund të mohohet se Partia Demokratike ka realizuar edhe protesta të mëdha, sa i përket pjesëmarrjes së publikut....
    Të tjera
    Sport28 Dhjetor 2024
    Ylli i Arsenalit, Bukayo Saka, ka thyer heshtjen e tij pas lëndimit që pësoi e i cili do ta lë atë për...
    Bota/Rajoni28 Dhjetor 2024
    Forcat izraelite arrestuan më shumë se 240 palestinezë, përfshirë dhjetëra nga stafi mjekësor dhe drejtorin e një spitali verior të Gazës që...
    Lajme28 Dhjetor 2024
    Kandidati i për deputet nga radhët e PDK-së, Ilir Tahiri, thotë se si pasojë e mungesës së energjisë elektrike dhe temperaturave të...
    Lajme28 Dhjetor 2024
    Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, ka kundërshtuar pretendimet se masat e subvencionimit të pajisjeve ngorhëse efiçiente nga dikasteri që ajo udhëheq kanë...
    Lajme28 Dhjetor 2024
    Kryetari i Partisë Republikane, Nikolla Sandulloviq, njoftoi se Prokuroria e Lartë Publike në Nish e ka hedhur poshtë padinë penale të Ministrisë...
    Lajme28 Dhjetor 2024
    Nën organizimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, sot nisën punimet e edicionit të 7-të të Konferencës së Ambasadorëve. Në...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.